Transmetuar më 23-02-2024, 09:10

Ngjarje horror në Durrës. Vajza vret babain dhe e varros në oborrin e banesës.

Familjarët e kallëzuan të humbur 50-vjeçarin, Policia, pas 10 ditësh kërkime dhe hetime intensive, zbardh ngjarjen.

Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj.

‘Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi Hygerta Meta, 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi Pëllumb Meta, 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit Pëllumb Meta, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit Pëllumb Meta Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja Hygerta Meta, 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Shtetasja H. M. ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit Pëllumb Meta është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme’, njofton policia.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd