Transmetuar më 23-02-2024, 12:45

Pyetje: Në Durrës ka patur një krim brenda familjes, por edhe në disa raste që ka patur qarku i Korçës. Cili është reagimi i institucioneve që ligji i ngarkon me përgjegjësi për rastin?

Ministri Balla: Viti 2023 ka qenë një vit me ngjarje të rënda të krimit brenda familjes dhe po ashtu një numër i rritur i dhunës në familje kjo dhe për shkakun se policia është munduar të identifikoj të gjitha rastet që kemi pasur sinjalizime. Dua të komunikoj me ju faktin se tashmë kemi një protokoll tërësisht tjetër nga Policia e Shtetit lidhur me konstatimin më të parë të një shqetësimi apo të një ankese, përsa i përket dhunës në familje, kryesisht bëhet fjalë për dhunë me bazë gjinore, dhunë seksuale. Unë nxis çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë të këtij vendi që të denoncoj rastet e dhunës dhe dua ta garantoj që jo vetëm Policia e Shtetit përsa i përket pjesës që i takon, por edhe institucionet e tjera ju e keni parë dje ne kemi filluar dje një qasje të re sa i përket pronave të sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi dhe korrupsioni do mundohemi që një pjesë të këtyre pronave t’i vendosim në shërbim të organizatave jo qeveritare, të cilat të kthehen në strehëza apo në shtëpi për vajzat, gratë e dhunuara.

Kjo betejë nuk është një betejë që mund ta fitoj vetëm Policia e Shtetit. Policia e Shtetit është aty për të bërë ndërhyrjen e parë dhe natyrshëm për të vendosur para ligjit dhunuesin, por kjo është diçka që unë mendoj duhet t’i bëjmë një apel gjithë shoqërisë tonë. Lufta kundër dhunës seksuale, dhunës me bazë gjinore nuk është diçka që zhvillohet dy javë kur mblidhen gjithë shoqatat e këtij vendi për të sensibilizuar. Unë mendoj që kjo duhet bërë çdo ditë dhe ju mediat keni një meritë të veçantë sikurse keni dhe një përgjegjësi të madhe për të sensibilizuar dhe për ta bërë shoqërinë sa më të bashkuar kundër këtij fenomeni të papranueshëm. Kështu që në këtë aspekt isha sot këtu në një prej shkollave më me emër të Korçës sikurse është ‘Raqi Qirinxhi’, nga e cila jo vetëm kanë dal një numër i madh personalitetesh me një kontribut të shquar jo vetëm për Korçën, por për gjithë vendin për të diskutuar me djemtë dhe vajzat e kësaj shkolle edhe për sa i përket Paketës së Sigurisë në shkolla. Besoj që biem të gjithë dakord se kjo paketë po jep dita-ditës efektet e mirëpritura nga komuniteti, nga publiku sa i përket garantimit që çdo vajzë dhe çdo djali i Korçës që frekuenton këtë shkollë apo shkolla të tjera të jetë i garantuar jo vetëm sa i përket sigurisë brenda në shkollë, por ne po punojmë bashkë me institucionet e tjera për të garantuar sa më shumë siguri në komunitete. Kemi miratuar kësaj jave në mbledhjen e qeverisë ligjin e ri, ndryshimet për në Ligjin e Prefektit për të ngritur shumë shpejtë Këshillat Vendor të Sigurisë Publike përmes të cilave do të garantojmë një koordinimi më të mirë të të gjithave institucioneve të sigurisë, agjencive ligj zbatuese dhe institucioneve të tjera për më shumë siguri dhe për më shumë një qasje pro aktive në parandalimin e çdo ngjarje kriminale. Një koordinim më të mirë të të gjithë institucioneve të sigurisë, agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të tjera, për më shumë siguri, për një qasje proaktive në parandalimin e çdo ngjarjeje kriminale.

Pyetje: PD e Rithemelimit, ka paralajmëruar se do të kallëzonte sot, në 11:30, pikërisht dhunuesit e protestuesve, të pjesëmarrësve në protestën e fundit të opozitës, në Prokurorinë e Tiranës?

Ministri Balla: Është në të drejtën e çdo qytetari të vendit të kallëzojë këdo, dhe i takon institucioneve të drejtësisë që t’i shqyrtojnë ato me vëmendjen më të madhe. Por besoj që biem të gjithë dakord që aktualisht në Shqipëri, ka dy palë: një palë të rreshtuar kundër reformës në drejtësi dhe kundër drejtësisë së re; dhe një palë tjetër që, mendoj unë, po bën gjithçka që reforma në drejtësi të shkojë përpara. Mendoj se Policia e Shtetit, në rastin që ju i referoheni ka bërë detyrën dhe vetëm detyrën. Unë e kam thënë, sa herë më është dhënë mundësia: – askush të mos guxojë, të ngrejë dorë, kundër Policisë së Shtetit. Ligji është shumë i qartë dhe kushdo që do të tentojë të ngrejë dorë kundër Policisë së Shtetit, do të përballet me parashikimet që ka ligji. Kështu që edhe në rastin në fjalë, besoj që kemi qenë të gjithë të qartë, ka pasur një qasje dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe ndaj institucioneve të shtetit. Të gjitha vendimmarrjet që janë marrë nga Policia e Shtetit janë udhëhequr nga urdhrat e dhënë nga prokuroria.

Pyetje: A do të kemi së shpejti një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për sa i përket ekstradimeve?

Ministri Balla: Ne po punojmë intensivisht për një gjë të tillë, sepse kjo lidhet, në mënyrë të qenësishme në qasjen tonë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Nuk mund të pranojmë që persona, të cilët kanë hesape të hapura me drejtësinë shqiptare, t’i fshihen asaj në vende me të cilat ne nuk kemi marrëveshje ekstradimi. Edhe pse besoj e keni parë, sikurse ia arritëm me Marokun, me të cilët nuk kishim një marrëveshje ekstradimi, dhe besoj që do t’ia arrijmë me çdo vend një marrëveshjeje të tillë, apo dhe jashtë marrëveshjes, për t’i dhënë fund kësaj kulture pandëshkueshmërie.

Pyetje: Deri ku janë hetimet për sa i përket dosjes së Ervis Martinajt? Ju keni vënë, të paktën, disa afate për Policinë e Shtetit për të kthyer një përgjigje, por duket se këto afate ende nuk e kanë nxjerrë fatin e tij.

Ministri Balla: Unë i qëndroj bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, të gjitha angazhimeve publike që kemi marrë. Të jeni të sigurt që Policia e Shtetit e bën detyrën e saj, 24 orë, çdo ditë, edhe ndaj këtij angazhimi, për t’i shkuar deri në fund, jo vetëm kësaj çështjeje, por çdo çështjeje tjetër të pazbardhur. Pjesë e analizës sonë sot, me DVP Korçë, do të jenë edhe ngjarje të vjetra kriminale, në Korçë, të pazbuluara.

Pyetje: Përsa i përket udhëtimit, ju do të shkoni direkt në Ersekë, pasi keni analizën. A mendoni se duhet të kishin filluar hetimet për sa i përket segmentit të ri, i cili ka pësuar shembje?

Ministri Balla: Patjetër, edhe për këtë çështje do të diskutojmë gjatë mbledhjes që kemi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd