Transmetuar më 24-02-2024, 09:00

Kylian Mbappé do të largohet nga PSG. Tani "telenovela" mund të përfundojë, është vetëm në pritje të një komunikimi zyrtar nga Real Madridi, pretenduesi i vërtetë i sulmuesit francez. Ish-presidenti i Lyon, Jean-Michel Aulas foli për këtë çështje në "RMC Sport":

"Largimi i Kylian është më shumë një çështje emocionale, do të thosha, sesa krijimi i marrëveshjeve komerciale për të drejtat televizive. Kylian krijoi me të vërtetë një epokë, qëndroi 7 vite te PSG, gjë që është madhështore.

Për mua, në periudhën më të mirë të OL, kur dilnim kampionë çdo vit, e fitonim titullin 7 herë radhazi, asnjë lojtar nuk qëndroi kurrë për 7 vite. Kylian mbetet në kombëtaren franceze dhe ne e dimë lidhjen e tij me çështjet kombëtare.

Shpresoj që së shpejti të kemi lajme të mira edhe për Lojërat Olimpike "Paris 2024". Pasojat e largimit të tij? Është shumë herët për t’i thënë. Sot Ligue 1 është padyshim Kylian, por edhe paraqitjet e PSG-së si të tilla. Në jetë, gjithmonë duhet të gjesh një mundësi nga vështirësitë.

A nuk është kjo mundësi për PSG-në? Jam i bindur për këtë, duke e njohur mirë Nasser Al-Khelaifi dhe besuar në aftësinë e tij për të kapur një mundësi të re, për të sjellë dy ose tre lojtarë shumë të mëdhenj, që ndoshta do të rikthejnë besueshmërinë.

Në çdo rast, shpresoj që këtë vështirësi, sepse dukshëm është kolosale, ta shndërrojmë në një mundësi. Dhe ne e dimë, jeta shpesh përbëhet nga surprizat. Le të supozojmë se ky sezon do të jetë i mirë për PSG-në, me Kylian që fiton Ligën e Kampionëve”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd