Transmetuar më 23-02-2024, 18:25

Policia e Durrësit tha pasditen e sotme se ka zbardhur vrasjen e 50-vjeçarit Pëllumb Meta, duke zbuluar se autori i krimit të rëndë nuk është vajza e tij 19-vjeçare, por djali 25-vjeçar, Hysen Meta.

Deri orët e fundit policia kishte deklaruar se vrasjen e kishte bërë e bija e të ndjerit, Hygerta Meta. Madje policia tha se e reja e pranoi autorësinë e krimit.

Por në hetime të mëtejshme, policia ka zbuluar se qitësi nuk ishte Hygerta, por vëllai i saj i madh, Hysen Meta i cili ka pranuar ekzekutimin e babait.

“Nga të gjitha veprimet hetimore që janë kryer rezulton se djali i familjes ka realizuar qitjen. Nuk mund të japi. të gjitha detajet edhe për shkak të sekretit hetimor dhe ndjeshmërisë që ka pasur ngjarja. Edhe 19-vjeçarja është përfshirë. Arsyeja qëndron te konfliktet që kanë pasur pjesëtarët e familjes. E ka pranuar ekzekutori akuzën”, sqaroi pak më parë shefi i policisë së Durrësit.

Policia sqaroi se vrasja ka ndodhur në një prej dhomave të banesës dhe më pas trupi është transportuar dhe varrosur në një kasolle.

Në banesë është gjetur edhe një predhë e armës së zjarrit me të cilën është kryer krimi.

Janë gjetur gjithashtu pjesë të armëve të zjarrit kallashnikov, është sekuestruar municion luftarak si dhe teshat e përdorur në krim.

Policia tha se u arrit të gjendet edhe një armë krimit, model 54 në një zonë moçalore në vendin e quajtur Vaskat.

Gjithashtu, policia ka arrestuar edhe djalin tjetër, Amarildo Meta, 22-vjeç, të cilësuar si bashkëpunëtor në krim.

Në hetim është marrë edhe bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta, e cila po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd