Transmetuar më 23-02-2024, 19:00

Në foto është gropa e hapur brenda kasolles së lopës, ku fëmijët e 49-vjeçarit Pëllumb Meta, Hyseni 24 vjeç, Amarildo 22 vjeç dhe Hygerta 19 vjeçe kishin varrosur trupin e tij, pasi 24-vjeçari e kishte vrarë brenda në banesë, më 10 shkurt. Policia e Durrësit e zbuloi trupin e të ndjerit sot herët në mëngjes. Në pranga kanë rënë të 3 fëmijët, kurse e ëma po ndiqet penalisht në gjendje të lirë

DURRËS, 23 SHKURT 2024 /NOA.al – Policia e Durrësit tha sonte se në vrasjen e 49 vjeçarit Pëllumb Meta qitësi i armës së zjarrit ka qenë Hysen Meta, por shtoi se në këtë krim janë përfshirë edhe dy fëmijët e tjerë të viktimës, djali më i vogël Amarildo dhe vajza Hygerta. E dyshuar është dhe gruaja e të ndjerit, Blerina Meta e cila po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Më herët sot, policia tha se Pëllumbin e kishte vrarë 19 vjeçarja Hygerta Meta. Por pasi e arrestoi të renë që pranoi vetë të ishte ajo vrasësja, grupi hetimor e riktheu në shtëpi për të rindërtuar skenën e krimit.

Duket se nuk kishte përputhje të dëshmisë dhe provave ndaj u krye hetim i thelluar.

Në një dalje sonte në media, drejtori i Policisë Durrës, Skënder Hita, ka deklaruar se shkrepjen e armës e ka bërë djali i madh, 24 vjeçari Hysen Meta, por në krimin e shëmtuar janë përfshirë edhe vajza Hygerta dhe djali tjetër, 22 vjeçari Amarildo.

Pëllumb Meta është vrarë në orët e drekës së datës 10 shkurt 2024 me një pistoletë model 54. Ai është vrarë në një nga dhomat e shtëpisë dhe më pas trupi i tij është zhvendosur në kasollen e lopës, ku dhe është groposur.

Motivi i vrasjes sipas fëmijëve të tij ka qenë konflikti i vazhdueshëm në familje dhe këmbëngulja e babait që vajza të martohej me një djalë kundër dëshirës së saj.

“Nga të gjitha veprimet hetimore që janë kryer rezulton se djali i familjes ka realizuar qitjen. Nuk mund të japim të gjitha detajet edhe për shkak të sekretit hetimor dhe ndjeshmërisë që ka pasur ngjarja. Edhe 19-vjeçarja është përfshirë. Arsyeja qëndron te konfliktet që kanë pasur pjesëtarët e familjes. E ka pranuar ekzekutori akuzën”, sqaroi pak më parë shefi i policisë së Durrësit.

Policia sqaroi se vrasja ka ndodhur në një prej dhomave të banesës dhe më pas trupi është transportuar dhe varrosur në një kasolle.

Në banesë është gjetur edhe një predhë e armës së zjarrit me të cilën është kryer krimi.

Janë gjetur gjithashtu pjesë të armëve të zjarrit kallashnikov, është sekuestruar municion luftarak si dhe teshat e përdorura në krim.

Policia tha se u arrit të gjendet edhe një armë, model 54 në një zonë moçalore në vendin e quajtur Vaskat.

Gjithashtu, policia ka arrestuar edhe djalin tjetër, Amarildo Meta, 22-vjeç, të cilësuar si bashkëpunëtor në krim.

Në hetim është marrë edhe bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta, e cila po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd