Transmetuar më 23-02-2024, 22:16

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla thotë se ngjarja e rëndë në Durrës, ku u vra 50-vjeçari Pëllumb Meta dhe u arrestuan 3 fëmijët si të dyshuar, mund të ketë ndodhur për motive të cilat ende nuk i dimë.

Në emisionin “Zonë e Lirë” Kulla u shpreh se dy vëllezërit përdorën motrën e tyre, që ajo të thoshte se i ati donte ta fejonte pa dëshirën e saj.

Sipas Kullës, në orët dhe ditët e ardhshme, do të zbulohen gjëra më të rënda rreth kësaj ngjarjeje.

“Unë mendoj që pas kësaj vrasjeje ka shumë të panjohura brenda familjes. Në momentin që e dëgjova që vajza ka vrarë të atin, do ta besoja nëse do ta kishte vrarë me një thikë në moment e sipër, por me 4 plumba, aq më tepër që i ati në zanat ishte roje sigurie, më duket e pamundur që një vajzë 19 vjeçe do merrte pistoletën dhe do kishte saktësi në gjuajtje. Pjesa më makabre e historisë, është fakti që e kishin varrosir në oborrin e shtëpisë dhe e kishin deklaruar të humbur. Besoj që brenda duhet të ketë histori, jo me do më fejonte, nuk do më fejonte, është e stisur. Mendoj që do të ketë histori më të thella, histori dhunë në familje, histori lekësh. Policia është treguar profesionale. Ata janë mundur ta shesin si një incident mes vajzës dhe prindit, duke shpresuar se opinioni publik do të përkrahë vajzën e cila nuk ka dashur të fejohet me mblesëri.

Mendoj që historia do të jetë shumë më e thellë dhe në orët apo ditët e ardhshme do të zbulojmë gjëra më të rënda. Ata janë mundur të përdorin vajzën. Nënën nuk e di, por dy vëllezërit dhe vajza që janë arrestuar, janë të gjithë brenda. Por është e pamundur që nëna të mos kishte ditur gjë dhe të paktën është bashkëpunëtore e fshehjes, në mos qoftë edhe ajo organizatore e gjësë. Shkaku i vërtetë do të zbulohet. Përtej ngjarjes, kemi një makabritet të jashtëzakonshëm”, theksoi ai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd