OKB: Konfrontimet mes Serbisë dhe Kosovës rrezikojnë paqen
Transmetuar më 05.05.2012 17:50
Nju Jork, 5 maj 2012, NOA - Në raportin më të ri për situatën në Kosovë, Sekretari i OKB-së Ban Ki-moon deklaron se tensionet dhe konfrontimet në terren mes Serbisë dhe Kosovës janë rritur, veçanërisht në dy muajt e fundit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shprehet i alarmuar se përplasjet mes Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të shkaktojnë rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Ban Ki-moon bën përgjegjës për arrestimet, tensionet, retorikën agresive, liderët e Kosovës dhe të Serbisë.

Ai bën me dije se në 14 maj Këshilli i Sigurimit do të debatojë për raportin mbi situatën në Kosovë.

“Megjithëse Prishtina dhe Beogradi kanë arritur rezultate në dialogun në Bruksel si dhe progres në agjendat e tyre  përkatëse Evropiane, tensionet dhe konfrontimet në terren vazhdojnë të shkaktojnë rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”, thuhet në raportin e siguruar nga portali KosovaTimes.net nga burime ndërkombëtare në New York.

Sekretari Ban Ki-moon vlerëson se dy zhvillimet më të rëndësishme pozitive që kanë ndodhur gjatë katër muajve të fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, janë fillimi i studimit të Fizibiltetit për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian dhe kandidatura e Serbisë për anëtarësim në BE.

Ban Ki-moon thotë se një prej çështjeve kryesore që ka nxitur tensione mes dy vendeve janë qëndrimet e kundërta lidhur me zgjedhjet serbe.

Sekretari i Përgjithshëm ka bërë me dije se përfaqësuesi i tij në Kosovë, Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif e ka njoftuar Beogradin se nuk mund të mbajë zgjedhje lokale në Kosovë, duke nënvizuar se Qeveria e Serbisë është pajtuar me këtë.

Në raportin e OKB-së thuhet se për zgjedhjet lokale, UNMIK-u dhe Serbia do të bisedojnë sërish gjatë këtij viti.

Sekretari i Përgjithshëm ka përfshirë në raport një varg veprimesh të Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Serbisë, të cilat sipas tij kanë shtuar tensionet, siç janë një seri arrestimesh hakmarrëse nga policia e Kosovës dhe policia e Serbisë.

“Më 25 shkurt policia e Kosovës arrestoi gjashtë punëtorë të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme, me akuza politike. Më 8 mars, dy serbë të Kosovës, punëtorë të PTK-së së Serbisë, janë arrestuar nga policia e Kosovës për shkak se transportonin fatura dhe dokumente bankare. Më 12 mars, dy serbë tjerë, punëtorë të PTK-së, u arrestuan, ndërkaq më 27 mars, katër serbë të Kosovës janë arrestuar sepse po transportonin material për zgjedhjet serbe. Një ditë më vonë, një punëtor tjetër i PTK-së së Serbisë u arrestua sepse kishte me vete pagesa për pensionistë në Kosovë. Atij i janë konfiskuar paratë e pensioneve”, thuhet në raport.

Ai përmend gjithashtu se “Më 31 mars, xhandarmeria serbe arrestoi dy oficerë të policisë së Kosovës dhe i akuzoi ata për posedim të paautorizuar të armëve, në rrethana dhe lokacion që është ende nën hetime nga KFOR-i. Dy policët e Kosovës janë liruar dhe i janë dorëzuar EULEX-it”, thuhet në paragrafin 7 të raportit.

Ban Ki-moon nuk ka raportuar se arrestimi i policëve nga institucionet kosovare është cilësuar si rrëmbim brenda territorit të Kosovës.

Në raport përmendet shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve, pranë lagjes “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, ku humbi jetën Selver Haradinaj, por nuk thuhet se institucionet e Kosovës dhe partitë politike e cilësuan këtë sulm akt terrorist.

“Në orët e hershme të mëngjesit, më 8 prill, një shpërthim dëmtoi një banesë përdhese duke vrarë një shqiptar 38-vjeç si dhe lëndoi dy nga katër fëmijët e tij. Gruaja e tij shpëtoi e palënduar. Më vonë, në të njëjtën ditë, tre të rinj shqiptarë sulmuan një serb 66-vjeç i cili i hospitalizua për shkak të lëndimeve të rënda në gjoks dhe kokë. Policia e Kosovës reagoi duke provuar të vendosë një pikë të përhershme kontrolli, por qytetarë serbë të Kosovës rezistuan fizikisht ndaj këtij veprimi”, thuhet në raportin e Ban Ki-moon.

Situata në Veri të Kosovës vlerësohet sipas Ban Ki-Moon “si jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj çfarëdo zhvillimi politik mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Sekretari i Përgjithshëm ka njoftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit se rreziku për incidente më të rënda është gjithmonë i pranishëm.

Anëtarëve të Këshillit të Sigurimit u është dorëzuar edhe raporti për aktivitetin e EULEX-it, që është një pjesë e raportit të Kreut të OKB-së, citon KosovaTimes.

mit/noa.al

Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i materialeve të NOA.al, pa një leje të shkruar
  • Komentoni

  • Should be Empty:
  • Komente

Të nderuar lexues. Ju mund të komentoni lirisht, mjaft të mos përdorni fjalë fyese, apo që nxisin urrejtje mbi baza nacionale, racore, gjinie, fetare. Komenti juaj do të verifikohet nga sistemi nëse përmban shkelje të kodit të etikës dhe do të shfaqet brenda 15 minutave në vazhdim.

Mendi Postuar me 2012-05-05 12:29:47
Gjithmon ka qen krahu kah i forti.

Nëse do të votonit sot, kush do të ishte zgjedhja juaj ndër këto parti kryesore?

PD
PS
LSI
PBDNJ

Rezultatet

SOFT NEWS

Dentisti in Albania