INTERVISTË EKSKLUZIVE me ARTISTEN EDI LUARASI, NOA.al/ Irma Toptani - Ishte e vetmja femër në Tiranën e viteve ‘60, që guxoi të lyente flokët me ngjyrë të kuqe. E bukur dhe me një personalitet imponues. Edi Luarasi ka çfarë të rrëfejë në këtë intervistë ekskluzive për Agjencinë Kombëtare të Lajmeve NOA, nga një jetë me kontraste të forta. Vajza moderne, që u dëbua nga skena dhe ekrani për të jetuar dramën e saj në një tjetër teatër, atë të realizmit socialist, iu desh të ringrihej dhe të gjente forcën për të mos braktisur njeriun e zemrës dhe pasionin e jetës, që nuk ishte tjetër, veçse dashuria për teatrin...***
Edi Luarasi jeton në zonën e ish-Bllokut, në të njëjtën banesë ku për vite me radhë ndau jetën me bashkëshortin e saj, Mihalin. Ndonëse kanë kaluar shumë vite qëkurse u shfaq për herë të parë në ekran, Edi Luarasi vijon të jetë një femër moderne dhe me një stil krejt të veçantë. Ka flokë të shkurtër, mban gjithmonë syze dielli dhe preferon pantallonat, ndonëse ka mbushur plot 72 vite jetë. Nuk heq dorë nga ngjyrat dhe nuk e fsheh ekspresivitetin në gjithçka që tregon, pavarësisht se vitet e fundit ka qëndruar larg mediave dhe ekranit.
Ndiqni më poshtë intervistën e plotë:
Zonja Luarasi, profili juaj mbetet një nga më të spikaturit e kohës. I riktheheni shpesh të shkuarës? Me skenën jam dashuruar që fëmijë. Skena, publiku, duartrokitjet kanë qenë gjithmonë bashkë me mua. Që e vogël kam kënduar me motrën time në duetin e njohur “Motrat Mirdita”, kështu që skena për mua ka qenë prezente gjithnjë.
Çfarë do kishit ndryshuar nga vetja, teksa i shihni gjërat të shkëputura nga emocionet e asaj kohe?
Nuk do kisha ndryshuar asgjë, më ka pëlqyer vetja kështu siç jam, me të mirat e me të këqijat. Jeta është gjithnjë me zigzage dhe nëse ke një jetë të qetë, atë nuk do ta quaja interesante. Tërë jeta ime ka qenë me momente të forta. Vajzë kam qenë fëmijë e llastuar, çapkëne deri vonë. Si moment kyç në jetën time kujtoj këtë: Më dukej paburrni, pa personalitet, që një person, që është në një situatë të keqe ta braktisësh. Aq më tepër kur bëhet fjalë për burgun. Është momenti më kritik kur duhet t’i gjendesh pranë.
Ju keni patur një personalitet imponues. Lind kjo bashkë me njeriun apo është e kushtëzuar nga personat që takojmë në jetë?
Edhe lind edhe kultivohet, të dyja bashkë ndikojnë. Unë kam patur nënën time shumë autoritare, strikte. Unë nuk i ngjaj fare asaj. Por gjithçka është në gen. Unë nuk kam gënjyer kurrë në jetë. Gjithnjë kam mbajtur vesh në atë çka më thoshte nëna, “që mos gënjeni kurrë, se rrena del”.
***
Edi ka një zë kumbues. Ruan ende sharmin e dikurshëm dhe për më tepër stilin avangard, që e bëri të veçantë për kohën. Pëlqehej jo më pak nga femrat sesa nga meshkujt, ndonëse siç thotë nuk bënte asgjë për të qenë në qendër të vëmendjes. “Unë nuk e kam vlerësuar veten për të bukur, dhe kur ma thonin më kalonte shkarazi. S’i kam dhënë rëndësi të qenurit në qendër të vëmendjes”, thotë zonja Luarasi.
Si e keni mposhtur frikën dhe paragjykimet e asaj kohe?
Unë nuk jetoja për të tjerët. Nuk pyesja se ç’thonin të tjerët. Kam qenë një tip që nuk paragjykoja se ç’do të thonin. Por, megjithëse kam qenë një tip i fortë, po aq e dobët dhe e brishtë kam qenë, pasi nuk fyeja dot njeri. E kaloja një fyerje edhe në heshtje dhe nuk ia ktheja me të njëjtën monedhë... Në atë kohë i kam bërë flokët e kuqe, që ishte një tmerr. Dhe unë e kam bërë... paçka se pastaj ma përmendnin në çdo mbledhje. (Qesh)...
E pyetët bashkëshortin përpara se t’i lyenit flokët të kuqe?
Jo, nuk mora leje që t’i lyeja. Bëra si më tha koka. Mihali m’i pëlqeu jashtëzakonisht, e më tha se më shkonin shumë. I mbajta nja tre muaj dhe pastaj i ndryshova. Se unë i ndryshoja shpesh, i zgjasja, i prisja shkurt, si të ma thoshte mendja.
Si ishte për një femër në atë kohë që të admirohej nga publiku dhe sidomos nga meshkujt?
Unë kam qenë gjithmonë e pëlqyer nga publiku. Dhe sidomos jo nga meshkujt, por nga femrat. Femrat më donin jashtë mase. Është vërtet interesante... Dhe këtë e ka vërtetuar drama “Vizita e Damës Plakë”. Si më ka pritur publiku atë natë unë nuk do ta harroj. Se nuk ishte publiku i para 20 viteve, por ishin bijtë e tyre. Ovacione të tilla në shfaqje më kanë lënë një mbresë të pashlyer.
Jeni ndjerë ndonjëherë xheloze për popullaritetin që gëzonte në atë kohë bashkëshorti juaj, tek femrat apo në publik?
(Qesh)... Sa më shumë që përpiqeshin nuk mundën të ma merrnin. Kjo tregonte se isha më e zonja se ato. Megjithatë gjithnjë më ka pëlqyer, që mashkulli të jetë i dëshirueshëm për femrat, jo i padëshirueshëm.
E mbani mend puthjen e parë, si e keni përjetuar atë moment?
E çuditshme, por tani që po përpiqem ta kujtoj nuk e mbaj mend. Nuk e di pse, por duhet që të ma ketë rrëmbyer Mihali atë puthje. Ne shkëmbenim shikime prej kohësh. Isha shumë re, 17 vjeçe. Isha e hareshme, e lirë, ndërsa ai ishte 11 vite më i madh se unë. Femrat i turreshin të gjitha ngaqë sa kishte ardhur nga jashtë. Mendoja me vete, ç’i pëlqenin femrat atij, por pastaj rashë brenda vetë... E çuditshme është se më kanë propozuar edhe kur kam qenë e martuar. Dhe unë ia thoja Mihalit. Kam qenë jashtë mase e sinqertë dhe im shoq kishte shumë shumë besim tek unë.
Çfarë pëlqeve te Mihali dhe kur e kuptove se nuk jetoje dot pa të?
Te Mihali më ka pëlqyer shumë serioziteti, pesha e fjalës, se i bukur ai s’ishte. Pastaj unë s’i kam pëlqyer kurrë meshkujt e bukur. Me të kam qenë e lirë, nuk më ka vënë kurrë caqe, ndaj dhe them që ai është burri ideal për mua. Kur u fut në burg, kuptova që e doja marrëzisht...
Si i keni patur raportet me fëmijët, a ju mungojnë tani që i keni larg?
Me dy fëmijët e mi jam marrë shumë. Kur Mihali ra në burg, unë në shtëpi mbaja perde të trasha që thuajse nuk hapeshin... Aty brenda kisha botën time, luaja me fëmijët kukafshehthi. Tani djali dhe vajza janë larg, por unë mendoj më mirë larg se këtu, ndërsa unë vetë nuk gjej kurrkund qetësi përveçse në Shqipëri.
Pakkush e di që ju keni punuar edhe si rrobaqepëse. Si e përjetuat këtë këtë moment?Një gjë e veçantë më kujtohet, kur i qepa një fustan një juristeje, që do të shkonte në Paris. E kam takuar edhe sot atë, dhe më thotë “Edi, unë atë fustan e mbaj akoma për ekstra”. Kur më pyesnin nëse kisha kënaqësi kur bëja gjëra të bukura, u thoja: “Hiç fare”. Unë kënaqësinë e kam në skenë, kur më hoqën nga teatri, sikur më hoqën zemrën...
***
“Skena ka qenë jeta ime e dytë”, thotë Mjeshtrja e Madhe Edi Luarasi, teksa flet për eksperiencën në Teatrin Kombëtar. E megjithatë nuk ngurron të zbulojë se ka ende një peng...
Çfarë ju ka mbetur peng, një dëshirë që ende s’e keni realizuar?
Më ka mbetur peng që s’e kam realizuar rolin e Eliza Dulitëll tek drama “Pigmaljoni” e Bernard Shout. Ajo ishte një vajzë popullore që shiste lule, e palarë dhe fliste me zhargon rruge, e paarsimuar, por që më vonë do bëhej aristokrate. Pedagogia ime ruse në shkollë, Nina Çifranova, kur iku në Bashkimin Sovjetik, më porositi: “Edi mos e lërë të të ikë nga duart “Pigmaljonin”. Je e prerë për Eliza Dulitëll”. E vërtetë , ishte karakteri im, ajo. Ky është pengu im…
E vizitoni shpesh Teatrin Kombëtar. Duket sikur arti dramatik është në një periudhë të vështirë?
Unë jam pjesë e Teatrit dhe do të mbetem e tillë. Më vjen shumë keq për të metat që shihen në Teatrin Kombëtar. Më kujtohet në kohën tonë, ne vetëm të hënën kishim pushim, ndërsa në tërë ditët e tjera kishim shfaqje. Ne punonim ditë dhe natë... Unë interpretoja edhe kur laja teshat e fëmijëve, se asokohe nuk kishim lavatriçe. Mendja më rrinte tek roli, ndërsa sot është tërësisht ndryshe. E them me dhimbje, repertori i Teatrit është i dobët. Por, gjithnjë shpresoj se ndoshta do të ndryshojë...
mit/noa.al
Disa nga rolet në teatër dhe kinema të mjeshtres së madhe, Edi Luarasi:
Lena te “Doktor Aleksi”,
Kordelja tek “Mbreti Lir”,
Cuca tek “Cuca e maleve”,
Kristina tek “Fytyra e dytë”,
“Ngadhnjim mbi vdekjen”;
“Vitet e para”,
“Gjurmët”,
“Vizita e Damës plakë”,
“Cilindri”,
“Streha e të harruarve”, etj.


Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA
Dizenjimi dhe mirëmbajtja nga: