Shkelzen Maliqi
"Ajo çka dua të them me këtë është se edhe nëse versioni zyrtar konstaton se Asanaj ka bërë vetëvrasje, kjo nuk mund të trajtohet si akt personal, si krizë dhe vetëdorëzim personal, pa pasoja për interesin publik. Thuhet se ekziston një letër e viktimës. Edhe përmbajtja e saj është e përfolur, zyrtarisht nuk është konfirmuar. Aty Asanaj i adreson motivet për vetëvrasje dhe sikur na orienton se nga duhet t’i kërkojnë arsyet e (vetë)zhgënjimit dhe (vetë)hidhërimit të tij. Por, a është kjo letër autentike? Mos është shkruar me diktat dhe kërcënim?"...
Nga Shkëlzen Maliqi
Edhe nëse versioni zyrtar konstaton se Dino Asanaj ka bërë vetëvrasje, kjo nuk mund të trajtohet si akt personal, si krizë dhe vetëdorëzim personal, pa pasoja për interesin publik
Vetëvrasje apo vrasje? Nuk ka ende version zyrtar për vdekjen makabre të Dino Asanajt, kryetarit të Agjencionit për Privatizim të Kosovës. Ajo çka është thënë për autopsinë që i është bërë kufomës është vetëm përfolje e raportit mjekësor, dhe jo konstatim zyrtar që merr parasysh edhe rrethanat dhe elementet tjera të shuarjes së një jete, që gjithsesi ndodhi me dhunë, qoftë kjo një vetëdhunë jo shumë e zakonshme, që po ngjall shumë dyshime. Ta therë dikush veten 11 herë me thikë?! Nëse jo krejt e pamundur, për shumëkënd kjo është praktikisht e pabesueshme. Personi që ia bën këtë vetës do të duhej të kishte një vetëurrejtje dhe vetëzhgënjim tejet të madh, të papërmbajtshëm dhe autoagresiv. Dhe kjo sikur nuk përputhet fare me profilin e personit i cili përfytyrohej, – me nuanca të ndryshme të aprovimeve dhe të mohimeve që kushtëzohen nga rreshtimi politik i viktimës, e edhe i gjykuesve të tij, – si një biznesmen, patriot dhe njeri i suksesshëm, ndër më të suksesshmit, madje i tillë që mund të quhet edhe model i elitës së re kapitaliste. A nuk ishte Asanaj ai që realizoi ishullin e ëndrrës amerikane në Kosovë, ndërtuesi i “Fshatit amerikan”, ku banon shumica e pasunarëve të rinj të Kosovës, biznesmenët, politikanët dhe ca të tjerë që përfliten edhe për prejardhje të dyshimta të kapitalit të tyre…?
Sigurisht se ngjarja është tragjike, cilido qoftë motivi, cilado qoftë prapavija. Në këtë moment nuk do të doja të paragjykoja dhe spekuloja më shumë seç është e arsyeshme. Mendoj se duhet pritur versioni zyrtar që të sqarohen të gjitha rrethanat. Pastaj mund të analizohet më saktësisht kjo ngjarje e rëndë. Edhe versioni më i përfolur i vetëvrasjes, nëse zyrtarizohet, do të duhej të dilte si një motivim i logjikshëm për aktin kaq të pabesueshëm. Dhe kjo, pa dyshim, kërkon që hetimet të bëhen në mënyrë sistematike dhe thellë. Hetimi nuk mund të mjaftohet vetëm në zbulimin e motivit që e ka shkaktuar shuarjen e jetës të një njeriu fatkeq, qoftë vetëvrasje, qoftë vrasje, por në të dy rastet duhet të zbardhet edhe lidhja e ngjarjes me funksionin e rëndësishëm publik që e ka ushtruar Dino Asanaj. Vdekja e tij nuk është tragjedi personale dhe familjare, por është një aferë e madhe publike.
Ajo çka dua të them me këtë është se edhe nëse versioni zyrtar konstaton se Asanaj ka bërë vetëvrasje, kjo nuk mund të trajtohet si akt personal, si krizë dhe vetëdorëzim personal, pa pasoja për interesin publik. Thuhet se ekziston një letër e viktimës. Edhe përmbajtja e saj është e përfolur, zyrtarisht nuk është konfirmuar. Aty Asanaj i adreson motivet për vetëvrasje dhe sikur na orienton se nga duhet t’i kërkojnë arsyet e (vetë)zhgënjimit dhe (vetë)hidhërimit të tij. Por, a është kjo letër autentike? Mos është shkruar me diktat dhe kërcënim? A ka ndonjë fjalë ose formulim tjetër që mund të vë në dyshim spekulimet rreth kësaj porosie të fundit? Dhe ka edhe shumë pyetje të tjera relevante…
Kundër Dino Asanajt janë ngritur dy akuza publike shumë serioze nga personat që kanë dalë humbës nga procesi i privatizimit: humbën pasurinë që e patën blerë ose marrë në shfrytëzim të afatizuar. Asanaj u akuzua se ka kërkuar ryshfet të majmë, disamilionësh. Thuhej se këtë nuk e ka bërë vetë, por përmes personave të tretë që cilësohen si “njerëz të tij”. Kush janë këta njerëz? A kanë emër? Çfarë lidhje kanë me Dino Asanajn dhe Agjencionin për Privatizim? A ka mundur Dino Asanaj, edhe pse ka qenë kryetar i APK, të premtojë dhe marrë vetë vendimet aq të rëndësishme që të anulohen pronat e atyre që akuzojnë? Bordi i agjencionit ka edhe anëtarë të tjerë me të drejtë vote, dhe a kanë edhe ata sqarime për procesin?
Akuzuesit e Asanajt kanë shprehur keqardhje për vdekjen tragjike, por nuk po heqin dorë nga kallëzimi se ua ka kërkuar miliona euro ryshfet për favorin. Mua këto akuza më duken të dyshimta. Një skandal në vete është mënyra se kur dhe si janë plasuar akuzat kundër Asanajt. Nuk janë paraqitur dhe nuk janë deponuar te prokuroria kallëzimet e detyrueshme të veprës penale në momentin kur u është bërë shantazhi, që do të ishte provë e fuqishme se akuzuesit janë biznesmenë të ndershëm që ndjekin mënyrat e ligjshme të realizimit të të drejtave dhe kërkesave të tyre, por janë “kujtuar” që ta akuzojnë Asanajn vetëm atëherë kur i kanë humbur davatë tek AKP-ja.
Për mua, sa është krim një sjellje abuzive e personit zyrtar, i cili kërkon lekë për të siguruar favorin në procesin e privatizimit, po aq është krim edhe dalja në publik me akuza spekulative, ku vetë vonesa e kallëzimit do të duhej të bëhej shkas për hetime dhe ndjekje penale. Çdokush që paraqitet me vonesë duhet të paralajmërohet: o kallëzo me kohë dhe jepi prokurorisë mundësi që shantazhuesi të kapet duke e bërë krimin – kjo ndodh jo vetëm në filma, por edhe në jetën reale, kur bizneseve të ndershme u zihet fryma nga mafia –, o hesht, sepse kështu po vetëkallëzon se nuk je as ti i pafajshëm.
Një alibi që zakonisht përdoret për vonesë të kallëzimit është “frika” se edhe drejtësia është e kapur nga korrupsioni dhe krimi. Kot e kallëzon shantazhin për pagesë të majme të haraçit, përderisa edhe prokuroria dhe hetuesia është “në duart e mujsharëve”, thonë ata që kujtohen vonë se paskan qenë të shantazhuar.
Në rastin që ka ndodhur, mendoj se kjo alibi nuk qëndron. Në Kosovë e kemi të paktën një instancë të pavarur të hetuesisë, Euleksin, që assesi nuk është aleat i krimit. Përkundrazi.
Mendoj se lançimi i akuzave publike spekulative dhe pa mbulesë përbën një element tjetër që rastin Asanaj e bën edhe më të komplikuar. Po përhapet një zakon i keq edhe te ne me plasimin në publik të akuzave të mëdha për hajni dhe korrupsion, ku “kallëzuesit” zakonisht nuk kanë asnjë pasojë dhe përgjegjësi për atë çka pohojnë, madje nuk u kërkohet as që t’i dëshmojnë akuzat.
Kjo “liri e shprehjes”, se mund ta gjuash tjetrin në fytyrë me baltë dhe të mos kesh as përgjegjësi morale, nuk është dukuri aspak normale. Me këtë nuk po e paragjykoj as përgjegjësinë e gazetës, që është pronë e njërit nga akterët e aferës, dhe ishte përdorur si platformë për fushatën kundër Asanajt. Rreth kësaj është herët që të nxirren konkluzat, por kjo nuk nënkupton edhe amnestime paushalle në emër të “lirisë së fjalës”.
Varianti më i keq për interesin publik do të ishte nëse me konstatimin e vetëvrasjes do t’i vihej kapaku çështjes.



Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA
Dizenjimi dhe mirëmbajtja nga: