Flet tenori i mirënjohur "Mjeshtri i Madh" Kastriot Tusha. “Romancat shqiptare” i 12 Korrikut, një recital pa koment.Ai mbetet një ndër tenorët shqiptarë më të mirë të të gjithë kohërave. Tenori që është njehsuar me Himnin Kombëtar që çon peshë gjithë shqiptarët në botë kur këndon Himnin në ndeshjet ndërkombëtare. E sheh gjithmonë të qeshur por dhe gjithmonë në lëvizje. Zëri i tij tashmë ka kohë që i ka kaluar kufijtë e vendit dhe ka arritur deri në Koren e Jugut. Por atë nuk e dehin sukseset, pasi e di mirë se mbivlerësimi të çon në shterpëzim. Është tepër familjar, por mbi të gjitha shumë kërkues për veten ku kritikën më të shëndoshë e sheh tek familja. “Romancat shqiptare”, do të jetë recital i tij i shumëpritur i cili do të zhvillohet në amfiteatrin e Universitetit të Arteve për nder të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ai ka kohë që punon për këtë recital, punon ditë e natë dhe me shumë përgjegjësi pasi dhe pjesët që do të interpretojë do të jenë nga kompozitorët më të shquar shqiptarë. Sipas tij ky recital do të jetë i gjithi një surprizë që nga interpretuesi i romancave në vargje, tenorët shoqërues, sopranoja e ftuar etj…”jam nën ethet e recitalit” e mbyll bisedën Kastrioti, dhe balli i mbushet me djersë përgjegjësie.
Intervistoi: Albert Zholi
Çfarë po përgatit së afërmi Kastrioti?Është në nderin tonë që në këtë 100 vjetor të pavarësisë të shpalosim vlerat tona të vërteta kulturore në të gjitha fushat. Mendoj se një aspekt shumë i rëndësishëm i trashëgimisë tonë muzikore është edhe romanca, si një formë muzikore shumë e spikatur shprehëse, e cila është lëvruar jo pak nga kompozitorët shqiptar dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin e shijeve tona kombëtare të kultivuara në fushën e muzikës. Por mendoj se në këtë rast jubilar është me vend zgjedhja, përgatitja dhe interpretimi i një buqete romancash të autorëve shqiptarë të interpretuara nga unë dhe të ftuarit e mi. Koncerti do të mbahet në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve më datën 21 Korrik 2012.
Kush do të jetë e veçanta e këtij koncerti?
E veçanta është se koncertet e deri tanishme me romanca vokale kanë qenë të shoqëruara me pianoforte dhe publiku i pranishëm ka qenë i kufizuar. Mendojmë këtë herë ti japim kësaj forme një dimension më të gjerë, për ta ngritur këtë gjini në vendin që i takon në muzikën shqiptare. Besojmë se ky aktivitet i shkon shumë për shtat këtij përvjetori, duke nxjerrë në pah pasurinë shpirtërore të kombit tonë, të mbështetur tërësisht në vlerat tona kombëtare.
Cilët do të jenë të “ftuarit”?Te ftuarit e kësaj mbrëmje do të jenë sopranoja e mirënjohur Suzana Frasheri, kitaristi i mirënjohur Edison Miso, këngëtarja e mirënjohur Rovena Dilo, trompisti me emër Isak Shehu dhe surpriza të tjera që audienca do ti ndjekë gjatë mbrëmjes. Koncertin do ta shoqërojë formacioni orkestral i dhomës së Universitetit të Arteve i drejtuar nga Mjeshtri i madh Ibrahim Madhi. Artistët e ftuar në këtë koncert janë ndër më të suksesshmit në vendin tonë. Autorët e përzjedhur do të jenë emrat më të spikatur të muzikës shqiptare si : T. Harapi, A. Mula, A. Lalo, A. Pecci, E. Sina, Z. Çoba, L. Dizdari, A. Paparisto, V. Nova, F. Ibrahimi, R. Dhomi, L. GJoka, I. Shehu. etj…
Për më tej mënyra e konceptimit si do të vazhdojë?
Nuk do të ketë vetëm këngëtarë interpretues dhe shoqërues por do të ketë një zhvillim akoma më të gjerë ky recital nga mënyra e konceptimit. duke filluar nga orkestracioni duke ruajtur melodinë, harmoninë ashtu siç e ka konceptuar kompozitori. E gjithë struktura është ndërtuar mbi një fabul unike, në funksion të së tërës ku do të predominojë lirika dhe romantizmi.
Ju thatë se do të ketë dhe një aktor, çfarë roli do të luaj?
E veçantë tjetër e kësaj mbrëmjeje do te jetë dhe interpretimi i disa teksteve të romancave nga një artist i mrekullueshëm i skenës së Teatrit shqiptar. Emrin po ja u lë surprizë...
Kush ju nxiti për këtë recital?
Kam kohë që e mendoj realizimin e këtij koncerti. Por nxitja kryesore ishte që ta realizoj me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Si vjen në këtë recital Kastrioti? Vij me një garanci të plotë për suksesin e këtij koncerti. Kam bindjen se ky koncert do të jetë ndër pikat kulmore të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë... Është romanca ajo dhe krijimtaria e këtyre kompozitorëve të mëdhenj që për mua hyjnë në brezin e artë të artistëve shqiptarë që më jep garancinë që ky koncert do të jetë i suksesshëm. Nuk mund të realizohej ky koncert pa ndihmën e miqve dhe dashamirësve të zërit tim.
Sa ka ndikuar familja në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm?
Në gjithë aktivitetet e mia familjen time e kam pasur dhe e kam të pandarë dhe shumë afër meje. Ata janë pjesë e shpirtit, pjesë e suksesit, sepse më krijojnë një ngrohtësi dhe harmoni të padiskutueshme, për të realizuar arritjet e mia.
Si do ta përkufizonit të qenit femër me syrin e një artisti?
Femra është lulja në shkretëtirë që dhe pse e vetme e kthen shkretëtirën në ujëvarë. Është pranvera edhe në stinën e dimrit. Është aroma më e mirë në mes lulesh shumë ngjyrëshe.
Ç’është dashuria për Kastriotin?
Një trëndafil që, për nga bukuria nuk ka të krahasuar. Një trëndafil i vetmi në llojin e vet. Në dashuri duhet të jesh vetvetja dhe të transmetosh shpirtin dhe mirënjohjen, atë që ndjen në qenien tënde në fjalën më të magjishme dhe më të bukur me emrin dashuri.
Çfarë respekton më shumë tek një femër?
Sinqeritetin.
Çfarë bën në kohën e lirë Kastrioti?
Ja kushtoj familjes dhe dëgjoj muzikë.
Jeni supersticioz?
Besoj në punë dhe sinqeritet.
Gatuani?
Hahahahahahaha…me thënë të drejtën jo. Ndoshta kam qenë i përkëdhelur në këtë drejtim pasi kam një bashkëshorte që s'të lë hapësirë….
Marrëdhëniet me politikën?
Politika është art në drejtimin e shtetit. I respektoj politikanët por arti i të kënduarit është jashtë ngjyrimeve politike. Kënga është magjia shpirtërore që e bashkon politikën dhe heq parcelizimet.
Vesi që kritikoni më shumë tek njerëzit?
Mosmirënjohja. Kur takoj njerëz të tillë më sëmbon në zemër dhe për një moment ndihem i dobët. Jepi Çezarit atë që i takon Çezarit. Sa pak frymë do për të dhënë një falënderim, por sa zemra ngre peshë kjo fjalë e thënë me zemër.
Motua nga e cila që udhëhiqeni në jetë?
Dëgjo, puno, krijo dhe kurrë mos dëmto.
Ku ka qenë kohët e fundit Kastrioti?
Unë jam gjithnjë në lëvizje. Kohët e fundit kam qenë në Kanada, në Kore, në Gjermani, në Maqedoni në Kosovë, Mal të Zi. Profesioni im i tillë është. Ndihem mirë kur më vlerësojnë pasi unë jashtë nuk përfaqësoj Kastriotin, por Shqipërinë, flamurin kuq e zi, atë flamur që shqiptarët e mbajnë kudo që janë e mbajnë në gji si gjënë më të shenjtë.


Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA
Dizenjimi dhe mirëmbajtja nga: