Në një operacion të gjerë policor që u zhvillua dje dhe sot në lokacione të ndryshme në Kosovë u arrestuan pesë të dyshuar për krim të organizuar dhe posedim, shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotikePrishtinë, 6 Korrik 2012 NOA.al - Në kuadër të realizimit të objektivave që dalin nga Strategjia Kombëtare Kundër Drogave në Kosovë, Policia e Kosovës realizoi dje dhe sot një operacion në vende të ndryshme të Kosovës.
Këtij operacioni policor i parapriu një punë hetimore dhe operative nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN-së) e Policisë së Kosovës ku u arrestuan pesë të dyshuar dhe u konfiskuan rreth 350 kilogramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.
I tërë operacioni policor për arrestimin e të dyshuarve dhe konfiskimin e substancave narkotike duke përfshirë edhe masat e fshehta hetimore ka qenë i autorizuar nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë nga Drejtoria e Përgjithshme e përkrahur nga njësitet e DHTN-së nga rajoni i Ferizajt, Pejës dhe Prizrenit gjatë realizimit të operacionit policor kanë qenë të asistuar edhe nga Njësiti Special Operativ (NJSO) dhe njësitet e forensikës.
Realizimi i operacionit policor ka filluar dje (05.07.2012) në orët e mbrëmjes në disa lokacione njëkohësisht ku zyrtarët policorë nga DHTN- njësia në Pejë ka arrestuar të dyshuarin Blerim V. derisa i njëjti po tentonte të largohej nga Republika e Kosovës përmes pikëkalimit kufitar në Kullë me veturën e tij të llojit Pasat me targa zvicerane.
Në të njëjtën kohë DHTN nga rajoni i Ferizajt i asistuar edhe nga njësite tjera policore të specializuara kanë filluar realizimin e kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të dyshuarit Shpejtim P. në fshatin Xërxë – komuna e Rahovecit.
Gjatë kontrollit në një kamion me rimorkio të llojit Iveco me targa maqedonase në një hapësirë të improvizuar brenda rimorkios, zyrtarët policorë kanë zbuluar 331 paketime me peshë rreth 350 kilogramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.Operacioni policor është shtrirë tutje me kontrollin e një lokacioni tjetër në komunën e Rahovecit ku është arrestuar Besnik D. dhe Sefë F. si të dyshuar të përfshirë në këtë grup kriminal.
Pas grumbullimit dhe analizimit të informacioneve që ka siguruar policia rreth identifikimit të të dyshuarve, sot në pikë kalimin kufitar të Hanit të Elezit është arrestuar i dyshuari Xhevdet R. shtetas i Republikës së Maqedonisë derisa i njëjti po kalonte kufirin për në Republikën e Kosovës.
Sipas informatave të policisë ky i dyshuar vinte në Republikën e Kosovës për të marrë sasinë e substancave narkotike të cilën dyshohet se do ta transportonte në shtetet tjera evropiane.
Gjatë këtij operacioni policor në total deri tani janë arrestuar pesë të dyshuar dhe janë konfiskuar:
331 paketime me peshë rreth 350 kilogramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë;
Një armë automatike e llojit Shkorpion;
Një karikator me dhjetë fishekë të kalibrit 7.65 mm;
Një kamion të llojit Iveco me targa maqedonase;
Një veturë e llojit Mercedes;
Një veturë e llojit Pasat me targa zvicerane;
6720 € (gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet euro) para të gatshme;
26 franga zvicerane;
95 dollarë amerikanë etj.
Personave të arrestuar në konsultim me prokurorin kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës është në kërkim edhe të disa të dyshuarve të tjerë tashmë të njohur për policinë që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi kriminal.
Hetimet kanë rezultuar se pjesëtarë të këtij grupi kanë vendbanim ose qëndrim në shtetet tjera në rajon dhe më gjerë, për këtë arsye hetuesit policorë janë duke bashkëpunuar përmes kanaleve të komunikimit zyrtar edhe me agjencitë policore të këtyre shteteve.
Viteve të fundit Policia e Kosovës ka pasur progres në hetimin e veprave kriminale të kësaj natyre dhe kjo vjen si rezultat i përkushtimit dhe profesionalizmit në Policinë e Kosovës duke mos lënë anash edhe rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët e vendit dhe bashkëpunimit me agjencitë policore nga rajoni dhe më gjerë. a.b/noa.al







Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA
Dizenjimi dhe mirëmbajtja nga: