Tiranë, NOA.al - Dhjetë emra të njohur, poetë e rapsodë të këngës dhe polifonisë labe janë vlerësuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi publikisht dhe zyrtarisht për veprën dhe punën e tyre të jashtëzakonshme artistike dhe atdhetare.Ky vlerësim vjen në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Shumica e tyre janë ende në jetë aktive krijuese si:
Lefter Çipa, Kujtim Mici, Muhamet Tartari, Feti Brahimaj, Teno Lona, Sejmen Gjokoli dhe Tomorr Lelo, dhe disa “pas vdekjes”si: Dule Havari - Hamdi Pulo - Zaho Balili. Ata ia kanë dalë që në këto dhjetëvjeçarët e fundit, të skalisin emrat e tyre në trashëgiminë e stërlashtë shpirtërore të Labërisë, përmes krijimeve artistike të njohura anë e mbanë.
Vlerësimi i tyre me titujt Mjeshtër i Madh, Naim Frashëri i Artë dhe Naim Frashëri i Argjentë vjen pas propozimit të bërë nga Akademia e Shkencave si një vlerësim për kontributin e tyre. Duke përshëndetur në emër të këtij grupi poeti Muhamet Tartari tha se çdokush ka detyrë të mbrojë traditën e kulturën kombëtare dhe falënderoi Presidentin Topi dhe Akademinë e Shkencave për vlerësimin e këtyre emrave, disa pas vdekjes.Lefter Çipa (Pilur, Himarë) dekorohet me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në forcimin dhe zhvillimin e kulturës dhe folklorit shqiptar në zonën e Bregut dhe më gjerë, në sjelljen e elementëve të rinj në poezinë dhe folklorin e Pilurit dhe Himarës, si krijues dhe drejtues i grupit të famshëm polifonik të Pilurit.”
Kujtim Mici (Tërbaç, Vlorë), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut në studimin, evidentimin dhe zhvillimin e folklorit të zonës së Lumit të Vlorës e sidomos në fshatin e Tërbaçit, si themelues i grupit polifonik me emër të Tërbaçit.”
Muhamet Tartari (Vranisht, Vlorë), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për studime të spikatura të folklorit, për zhvillimin e poezisë, këngës dhe valles labe përqënduar në zonën e Vranishtit dhe Labërisë në rritjen e vlerave të iso-polifonisë, si drejtues i grupit të famshëm të Vranishtit”.
Dule Havari, pas vdekjes, (Dukat, Vlorë), “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin: “Për punë të palodhur në fushën e folklorit, si krijues dhe organizues i grupit folklorik dhe këngës dhe valles së zonës së Dukatit”.
Feti Brahimaj (Lapardha, Vlorë), “Naim Frashëri i Argjentë” me motivacionin: “Për veprimtari të dendur dhe efektive në fushën e folklorit dhe ripërtëritjes së traditës, si krijues dhe organizator i grupit të shquar polifonik të Lapardhasë dhe zonës Kotë-Drashovicë të Vlorës”.
Hamdi Pulo, pas vdekjes, (Tragjas, Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për evidentimin, zbulimin dhe zhvillimin cilësor të folklorit të Tragjasit, si krijues i shumë vargjeve dhe këngëve me nivel ideo-artistik dhe patriotik”.
Teno Lona (Fterrë, Sarandë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Si krijues dhe
drejtues i grupit polifonik të Fterrës dhe grupeve të zonës së bregdetit të Sarandës”.
Tomorr Lelo (Smokthinë, Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Si organizator i aftë i ansamblit folklorik “Çipini”, si krijues i veçantë dhe interpretues i momentit emocional dhe për zhvillimin edhe sot e kësaj dite i traditave folklorike të Labërisë”.
Sejmen Gjokoli (Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për aftësi të spikatura organizative, drejtuese, krijuese dhe interpretuese të këngës dhe valles labe, si themelues dhe drejtues i ansamblit “Bilbili”, Vlorë”.
Zaho Balili, pas vdekjes, (Rexhin, Tepelenë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në zhvillimin e folklorit të zonës së Tepelenës, veçanërisht me grupin e Hormovës, si drejtues i spikatur dhe rapsod”.


Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA
Dizenjimi dhe mirëmbajtja nga: