Transmetuar më 05-02-2012, 20:12

INTERVISTË/Flet Bajazit Cahani, shkrimtari dhe poeti i njohur i letërsisë shqipe

Tiranë, 5 Shkurt 2012 NOA/ Agime Kastrati – E ka shkruar me shumë dashuri, madje ka marrë shkas nga lagjja ku ai u lind e u rrit, nga shokët e tij të fëmijërisë. Ka pas raste që e ka kënduar dhe vetë bashkë shoqërinë e tij në festa familjare e ditëlindje të ndryshme. Por, asnjëherë nuk është “ngopur”, me poezinë e tij që u bë kënga më e njohur e fëmijëve. Edhe pse kanë kaluar disa dekada, të gjithë e kanë në mendje, madje dhe shumica nga ne e dinë përmendësh këngën e filmit shqiptar “Tomka dhe shokët e tij”. Për vite me radhë autori i tekstit të kësaj kënge mbresëlënëse që theu çdo barrierë dhe i mbizotëroi të gjitha kohërave mbeti thuajse anonim. Vetëm me ardhjen e demokracisë poetit të njohur në mbarë trojet shqiptare z. Bajazit Cahani i erdhi ndriçimi i duhur.

Vepra e tij poetike mori dhe meritat që i takojnë. Poeti lirik hasjan filloj të merrte “ fronin” e merituar në zhanrin e poezisë vetëm pas rënies së komunizmit. Njihet nga të gjitha trojet shqiptare si poeti disident që e përballoi më së miri ndrydhjen shtypjen dhe shfrytëzimin e kohës së komunizmit. Anashkalimi si poet, ndërprerja e fakultetit dhe marrja e tij me forcë për të kryer shërbimin ushtarak, mosnxjerrja në pah e veprave të tij poetike, këto dhe pjesë të tjera të pazbardhura nga jeta e tij tregon në një intervistë te shkurtër për revistën, Bajazit Cahani poeti lirik me origjinë nga Dushanova e Prizrenit, (kështu quhej dhe vendi kur familja e tij bëri shpërnguljen).

Kur ka nisur karriera juaj poetike?

Para se të dal tek fillimi i karrierës dua të përmend dhe pak nga rrënjët e mia origjinën time të hershme. Atë vit që linda unë im atë, 3-4 muaj më përpara rikthehet nga Dushanova e Prizrenit në Kishaj (lagjen Cahan) në Has. Arsimin fillor e kam kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të përgjithshme e kam kryer në Kamëz të Tiranës madje kam qenë maturanti i parë i asaj shkolle. Ndërsa studimet e larta i kam përfunduar në fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës në vitin 1975, pas ndërprerjes që më bënë për kryerjen e detyrimit ushtarak nga regjimi i asaj kohe. Krijimtarinë letrare e kam filluar që në bankat e shkollës, dhe të gjitha janë të botuara në organet mediatike të asaj kohe si: Revista “Nëntori”, “Ylli”, në gazetat “Zëri i rinisë”, “Drita”, në gazetën “Rilindja” e Prishtinës, revistën “Pionieri” në Tiranë dhe revistën “Fidani” në Prizren.

Kujt brezi i përkisni si shkrimtar, a bëni pjesë dhe ju tek disidentët e atyre viteve?

Unë i përkas brezit të shkrimtarëve të viteve 1970-të. Atëherë në mbarë trojet shqiptare u vërejt një periudhë e frymës liberale në fushën e letërsisë. Për veprën time poetike janë thënë e stërthënë mendime të ndryshme. Por pavarësisht mbijetesës time si shkrimtar unë i përkas totalisht disidentëve të asaj kohe. Rrethi miqësor i imi në atë kohë, më ka mbajtur jashtë mase shumë dhe unë i mbijetova rrethanave dhe ideve komuniste që në çdo kohë i kundërshtoja sepse jam dhe do te mbetem demokrat i denjë. Veprimtaria letrare e imja gjithmonë është anashkaluar dhe emri im si autor i veprave të njohura asnjëherë s’ka dalë në pah. Marr si shembull tekstin e këngës së filmit “Tomka dhe shokët e tij”, që është tekst i shkruar nga unë por asnjëherë nuk është thënë se kush është autori i saj, edhe pse skenari është shkruar nga Nasho Jorgaqit dhe kompozimi nga Aleksandër Lalo, emra këta të njohur në fushën e artit shqiptar. Unë në shumë raste të tjera kam qenë vetëm si hije përkrah shkrimtarëve të njohur.

Meqë i përkisni zhanrit të poetikës çfarë është poezia për ju?

Poezia për mua është një kumt shpirtëror që nuk mundem ta mbaj më në shpirtin tim, ndaj formën më të përshtatshme për ta kumtuar, kam poezinë. Me fjalë të tjera, është kitara me anën e së cilës artikuloj tingujt e shpirtit tim pa asnjë paragjykim metrik. Vetëm temporitëm, muzikalitet dhe për mua nuk ekziston koha dhe mosha.

Ju vini nga një krahinë burimore poetike. Çfarë vendi zë vendlindja në poezinë tuaj?

Po. Unë vij nga një trevë tradicionale poetike e njohur në historinë e letërsisë shqipe, që nga i madhi Pjetër Bogdani e deri tek Pal Ndrecaj, Besim Muhadri, Ukshin Morina e Kujtim Morina dhe breza te tjerë të rinjsh që sa vijnë e shtohen. Me pak fjalë unë me plot bindje them se në krijimtarinë time poetike vendlindja zë vend aq sa djepi në jetën e një njeriu.

Në çfarë raporti janë teksti e nënteksti e simbolika në poezinë tuaj?

Nënteksti dhe simbolika kanë vendin primar, por metafora mbetet mbretëresha. Nëntekstin dhe simbolin në shumë raste e definoj me retiçencën, për ti lënë hapësirë dhe liri fantazisë së lexuesit, duke shprehur kështu respekt për intelektin, kulturën dhe shijen e tij.

Në kohën tranzitive, pas komunizmit, duket sikur nuk ka maja në poezi. Është e vërtetë apo iluzion?

Më bëtë një pyetje të vështirë dhe provokative. I. Kadareja, F. Arapi, D. Agolli, A. Podrimja, A. Shkreli apo ndonjë shkrimtar tjetër, që ju mund t’i quani maja, me veprën e tyre më të mirë kanë vënë një standard. Ata prej kohësh i kanë kaluar kufijtë kombëtarë. Por, për mua, kjo është relative, sepse dikush ka kaluar kufirin me vizë shtetërore, dikush ka thyer kufirin inkonjito, duke vënë dhe kokën e tij në rrezik. Por nuk kemi një shembull Sollzhenjicin apo Vaclav Haviel. Por ama ne kemi Martin Camaj që pak kush mund ta ketë e për të cilin pak vlersim e popullarizim është bër për të. Sintaksa e tij poetike është e vështirë, shprehjet metaforike e simboli vijnë krejt natyrshëm, Ne jemi ballkanas e shqiptarë e ju duhet ta kujtoni përgjigjen e LAMARTINIT se si ky i fundit i përgjigjej De Radës tonë të madh se, poezia ka lindur në ato brigje e sërish atje do të kthejë. Kështu që nuk është aspak një iluzion por një realitet i kapshëm.

Meqë jeni në dijeni të enciklopedisë të botuar nga shteti maqedonas çfarë qëndrimi keni ju ndaj pjesë së shkruar për shqiptarët.

z. Bajazit Cahani: Kjo është pyetje shumë e drejtë që duhet medoemos që çdonjëri prej nesh të jetë i drejt me përgjigjen ndaj kësaj çështje të rëndësishme sidomos për pjesën e shqiptarëve. Të gjithë e dimë se Maqedonia është një shtet i ri i formuar nga ardhacakët. Pjesa kryesore e kësaj zone është shqiptare dhe këtë e tregon vet historia dhe vendbanimet shqiptare. Pa shqiptaret Maqedonia nuk bën dot asgjë edhe pse në enciklopedinë e tyre shqiptaret i kanë paraqitur si njerëz mali. Madje jam shumë kritik ndaj qëndrimit të akademikëve maqedonas të cilët kanë mundur të hedhin në botim në enciklopeditë e tyre mendime të tilla të pabaza.

A besoni tek fati pasi pas shume përpjekjeve veprat e tuaja i kanë qëndruar dekadave dhe sot kanë vendin e merituar?

Kësaj pyetjeje si shmangem dot edhe jam paksa skeptik ndaj fatit. Shumica e kolegëve, miqve e dashamirësve të mi shumë shpesh më thonë: ka qenë fati që më ka ndihmuar mua për ti shpëtuar ndonjë burgimi të përjetshëm të asaj kohe apo ndonjë mase tjetër drastike të metodave komuniste. Por unë them se siç thotë poeti i madh Din Memheti, “Fatin nuk e nënshkruaj”, ky është dhe mendimi im. Është rastësi dhe nuk më pëlqen dhe asaj i besoj.

Kush është Bajazit Cahani.

Bajazit Cahani u lund më 17 korrik të 1945 në Kishaj, Cahanit në Has. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse ciklin e lartë të shtatëvjecares e kreu në shkollën “Bajram Curri” në Kukës dhe më pas e përfundoi në Vorë. Studimet e larta i ka përfunduar në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Ka punuar si gazetarë në organe të ndryshme të shtypit si dhe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shumë shkolla të Kukësit. Që nga viti 1993 deri më vitin 2006 ka punuar si kryeredaktor i Radio Kukësit, tani jeton në Tiranë.

Librat të botuar:

Në pritje-poezi viti 1972Krijimtarine letrare e filloi qe ne bankat e shkolles dhe ka botuar poezi qe heret ne organe te ndryshme te shtypit te perditshem e periodik, si ne gazeten "Zeri i rinise", ne gazeten "Drita", ne revisten "Nentori", "Ylli", ne gazeten "Rilindja" e Prishtines, revisten "Pionieri" ne Tirane dhe "Fidani" ne Prizren etj. Ne vitin 1987 ka vene ne skene pjesen teatrale per femije "Kaprolli i Baces Deme" ne Teatrin e Kukullave ne Kukes. Nje pjese e mire e poezive per femije jane kompozuar kenge. Eshte, gjithashtu, autor i tekstit te kenges tashme te njohur "Tomka" ne filmin me te njejtin titull, me skenar te shkrimtarit Nasho Jorgaqit dhe kompozitor Aleksander Lalo. Krijimtarine per femije ende nuk e ka permbledhur ne liber te vecante. Shkruan publicistike dhe proze artistike.

Rrjedh një lumë. . , -poezi, 1981

. . . dhe mbeta flaka në udhëtim. . . -poezi 1998

Nada, N ada. . . , poema 2009

. . . Nëpër kohë. . . , poezi 2009

a. k/NOA