Transmetuar më 24-01-2014, 13:15

Fabio Capello firmosi zgjatjen e kontratës së tij si drejtues i stafit teknik të kombëtares ruse të futbollit deri në botërorin e vitit 2018, që është programuar për tu zhvilluar pikërisht në tokën e Carëve, citon Supersport.

Lajmin e bëri të ditur nëpërmjet një komunikate në faqen e saj zyrtare federata e futbollit në Moskë.

Në dhjetor kishte qenë ministri rus i sportit, Vitaly Mutko që i kishte dhënë nota zyrtare akordit kontraktual me Capellon, duke shpjeguar se detajet do të formalizoheshin pas festave të Krishtlindjeve.

Kontratës i shtohen edhe dy vjet për të cilët ishte rëndë dakord që më parë, duke e zgjatur bashkëpunimin që nga 2016-ta deri në 2018-ën.

“I jam mirënjohës Federatës dhe ministrit të Sportit për besimin e treguar ndaj meje”, deklaroi Capello, që në të kaluarën ka drejtuar klube si Milani, Juventusi, Roma e Reali i Madridit, ekspereienca të cilave ju duhet shtuar dhe ajo si trajner i përfaqësueses angleze.

“Jam mjaft i lumtur që do të vazhdoj punën në Rusi. Kemi projekte të mëdha dhe do të bëj gjithçka është e mundur për ti bërë të lumtur tifozët”.

Nga ana e tij Nikolai Tolstykh, president i federatës u shpreh i lumtur që një trajner kaq i kualifikuar si Capello do të vazhdojë të punojë në futbollin rus.

Me Capellon kombëtarja ruse arriti vitin e kaluar për herë të parë që nga 2002 kualifikimin në një kampionat botëror, atë që do të zhvillohet këtë verë në Brazil.