Transmetuar më 10-10-2016, 14:33

Gerard Pique po shkakton një debat të madh në kombëtaren spanjolle. Mbrojtësi i Barcelonës zbriti në fushë me një fanellë me mëngë të gjata, së cilës i kishte prerë krahët, duke e kthyer në fanellë me mëngë të shkurtra, por pa flamurin që fanellat me mëngë të shkurtra kanë në krahë.

Në mënyrë të menjëhershme ka ndërhyrë edhe Federata Spanjolle e Futbollit, e cila del në mbrojtje të shtatlartit katalanas.

“Mbështesim Pique në mes të kësaj polemike që lidhet me mungesën e mëngës në fanellë. Në fanellën tonë nuk është parashikuar që ngjyrat e flamurit të jenë të pranishme në mëngë siç është rasti i Sergio Ramos”, shkruan federata që thekson se Pique vendosi të mbante një fanellë me mëngë të shkurtra për arsye komoditeti.

Gjithsesi, polemikat do të vazhdojnë gjatë në një ambient gjithmonë në prag të kaosit për shkak të ndasive që ekzistojnë mes grupit katalanas dhe atij madrilen. Ndoshta kjo është një nga arsyet se përse menjëherë pas ndeshjes me Shqipërinë, Pique njoftoi largimin nga kombëtarja pas 2 viteve.

“Ka shumë njerëz që nuk më duan në kombëtare. Për këtë arsye, pas Botërorit nuk do të luaj më për Spanjën. Dua të fitoj Kupën e Botës, duke dhënë 100% si zakonisht, ndërsa më pas do të mendoj për Barcelonën”, deklaroi Pique.