Transmetuar më 14-11-2016, 18:46
Edhe pse nuk është shfaqur shumë mediatikisht me reklama dhe në emisione, në Shqipëri ekziston një kompani shitjesh online e cila në 11 Nëntor 2016 mbushi 5 vjet. Duke parë promocionin e këtij përvjetori u bëmë kuriozë, pavarësisht se disa herë mund t’i kemi hasur në rrjetet sociale sërish nuk besoja të kishte një kompani të tillë në Shqipëri me 5 vite eksperiencë.

Dyqani online i cili na tërhoqi vëmendjen quhet Dyqan Taxi dhe tregton produktet e saj në platformën www.dyqantaxi.com.

Duke e analizuar vumë re që kishte dhjetëra kategori të mbushura plot me produkte nga atletet, shkopat e peshkimit, ushqimet e kafshëve deri tek smartphonë dhe televizorët. Sa më shumë që navigonim në faqe aq më shumë kuriozoheshim për këtë kompani, kështu vendosëm të kontaktoj,ë dhe të lëmë një takim.Zyrat në të cilat operonin ishin ndryshe nga zyrat normale të bizneseve që kemi hasur zakonisht. Ishin të vendosura larg qendrës së Tiranës dhe pamja e jashtme ishte modeste, pa shenja të mëdha dalluese në hyrje të tyre. Sa hymë brenda vumë re një energji dhe vrull të madh nga plot njerëz të rinj. Zyrat ishin të larta me shumë ndriçim dhe pavarësisht rrëmujës së produkteve të cilat fotografoheshin në hyrje të saj kishte shumë stil. Tek secila zyrë kishte shprehje motivuese dhe pozitive të pikturuara në mur, në korridore kishte disa murale plot ngjyra kurse tek hyrja e drejtorëve ekzekutivë kishte shprehjen “the only way to do great work is to love what you do” - “e vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha është të dashuroni atë që bëni”.Kompaninë e drejtonin Valer Pinderi dhe Altin Luli të cilët ishin edhe themeluesit e kësaj kompanie dhe u treguan shumë të gatshëm për t’u intervistuar nga NOA.al

Çfarë është DyqanTaxi dhe si lindi? Valer Pinderi: Dyqan Taxi është platforma më e madhe e shitjeve online në Shqipëri e cila aktualisht ka mbi 30.000 produkte dhe ia u mundëson blerjen e tyre ç’do shqiptari pa patur nevojë për kartë krediti apo llogari bankare. Kjo platformë ka lindur me një investim shumë simbolik dhe vetëm dy punonjës në një zyrë 18 metra katrorë, me qëllimin për tu bërë kompania më e madhe e shitjeve online në Shqipëri.

Sa kohë keni që operoni? Altin Luli: Regjistrimi i emrit online është bërë në 11.11.2011 kurse regjistrimi i kompanisë në QKR është bërë më 31.05.2012. Ne preferojmë të quajmë datën e regjistrimit të emrit online duke qenë se edhe biznesi jonë fokusohet online.

Dhe sa staf ka aktualisht kompania?

Altin Luli: Aktualisht kemi 50 punonjës dhe po rritemi çdo muaj.

Si ka mundësi që flitet kaq pak për ju edhe pse keni 5 vjet në treg dhe tregtoni kaq shumë produkte?

Ne, eventin e 5 vjetorit në fakt e kemi titulluar “Ky është vetëm fillimi”, kjo është edhe strategjia jonë. Deri tani edhe pse jemi rritur me ritme shumë të mëdha, çdo vit rritja jonë si në staf, hapësira zyrash apo shitje ka kaluar 250% dhe kemi plan ta vazhdojmë këtë trend edhe për 5 vjet të tjera. Por deri tani ne nuk kemi dashur të dalim shumë mediatikisht sepse kemi punuar intensivisht për të ndërtuar strukturën e brendshme, për të lidhur marrëveshje me furnitorët dhe për të kuptuar konsumatorin në detaje. Shitja online ashtu siç e dini, në Shqipëri nuk është në nivelet ndërkombëtare kështu ne nuk kemi luksin për të marrë punonjës të trajnuar apo për të zbatuar struktura pune të mirëpërcaktuara, por na është dashur ta krijojmë të gjithën nga e para duke u rritur gradualisht muaj pas muaji. Gjithashtu edhe furnitorët apo partnerët tanë nuk janë dixhitalizuar në nivelin e duhur që të mund të fillojnë bashkëpunim të menjëhershëm por edhe ata duhet të ndihmohen muaj pas muaji për të evoluar bashkë me ne. Me këto 5 vite unë kam kuptuar që shitja online është diçka krejtësisht e ndryshme nga shitjet tradicionale që kemi hasur dhe kërkohen njohuri apo aftësi të ndryshme për të ecur përpara. Tani pas 5 vjetësh dhe me 50 punonjës mendojmë se kemi një strukturë të fortë dhe aftësitë e duhura për të përballuar ritmin e radhës të rritjes i cili do të bëjë që Shqiptarët jo vetëm të flasin por edhe të na kenë si pikën kryesore të referimit për blerjen e produkteve online.

Përse tek hyrja e zyrave nuk ishte emri DyqanTaxi dhe çfarë janë ato faqet e tjera që pamë të afishuara tek platforma juaj.

Altin Luli: Kompania jonë quhet Nettrade Albania dhe DyqanTaxi është një prej platformave qe ne menaxhojmë. Aktualisht ne menaxhojmë 6 platforma shitjesh, DyqanTaxi.com, simjalti.al, idedhuratash.al, bukinist.al, sekret.al, luledielli.al dhe kemi në plan të hapim edhe tre të tjera brenda vitit 2017. Të gjitha këto platforma, kanë fokusin e tyre të ndryshëm nga njëri tjetri duke u specializuar dhe dhënë një shërbim më cilësor.

Cili është plani juaj i ardhshëm, duke qenë se shpreheni që ky është vetëm fillimi?

Valer Pinderi: Ne brenda 5 viteve do të bëhemi pika kryesore e referimit për blerjet online të shqiptarëve duke u bërë kështu për shqiptarët ashtu siç është bërë Amazon për amerikanët. Plani ynë i biznesit është që për dy vjet të jemi 150 punonjës, të kemi mbi 500 porosi në ditë dhe me pika për kujdesin e klientit në pesë qytete të tjera shqiptare përveç Tiranës që aktualisht e kemi. Gjithashtu duam të bëhemi një shembull për të rinjtë shqiptarë duke i motivuar të përpiqen edhe ata për një sukses të ngjashëm. /noa.al/