Transmetuar më 29-12-2016, 23:20

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, flet për herë të parë me detaje mbi jetën e tij në Holandë, lidhjet e vazhdueshme me këtë vend që thotë se e dashuron shumë dhe raportet familjare mes dy vendeve.

Lideri demokrat, në këtë atmosferë të festave të fundvitit, në intervistën e mëposhtme dhënë për Tv Klan, pohon se Vitin e Ri e ka ndarë shpesh mes Holandës dhe Shqipërisë dhe thekson se 2017-a do ta presë atë dhe familjen e tij, te shtëpia në Tiranë ku jeton prej mëse 12 vjetësh.

Ç’raport keni me festat. Jo vetëm sot, por edhe në përgjithësi, edhe në rininë tuaj, edhe në fëmijërinë tuaj dhe tani që jeni prind.

Gjërat kanë ndryshuar shumë, në mënyrë themelore. Për mua, festat në radhë të parë, janë mundësi për të kaluar më shumë kohë me familjen. Eshtë borxhi më i madh që kam. Është ndaj familjes time, ndaj vajzave të mia, ndaj bashkëshortes time, ndaj prindërve. Por kjo ka ndryshuar ndër vite. Brezi ynë ka njohur festat në kohën e diktaturës të cilat ishin një mundësi për të qenë bashkë, në gëzimin e festimit familjar.

Fevziu: E ruani akoma këtë traditë, festoni në shtëpi zakonisht për Vitin e Ri?

Basha: Me sa mundemi po. Herë me prindërit me mi, herë me prindërit e Aurelës. Me vëllain tim, me vëllain e Aurelës dhe shpeshherë vitet e fundit me miq, brenda familjes.

E keni dekoruar shtëpinë?

Kemi vënë një bredh.

Kush merret me dekorimin?

Aurela me vajzën e madhe, Dafinën.

Vajzat kënaqen nga atmosfera e festave?

Jashtëzakonisht! Gëzimi i festave për mua sot, është gëzimi i fëmijëve. Kur shoh fëmijët që gëzohen, kur shoh vajzat që gëzohen, ky është gëzimi që përjetoj për festat.

Ju thatë që zakonisht e ruani traditën për ta festuar sërish në shtëpi, në mënyrën tradicionale që kemi njohur gjithmonë. Por kam përshtypjen se ka gjithmonë akuza se në fakt ju udhëtoni më shumë në Hollandë se sa në Shqipëri, që do të thotë, e bëni atje apo këtu Vitin e Ri.

Ne e bëjmë vitin e ri këtu, këtë vit do ta bëjmë këtu, ka pasur disa raste kur e kemi bërë atje, por në tërësi familja feston këtu, familja jeton këtu.

Përse ju ngatërrojnë kaq shumë me Hollandën. Vura re LSI-në, në një deklaratë të fundit që sërish e riforcon këtë çështje.

Unë kam jetuar në Holandë, kam studiuar në Holandë dhe pa dyshim që kam shijuar vitet e mia në Holandë dhe i jam mirënjohës përjetë atij vendi për atë që më fali. Privilegjin që kam patur dhe vitet e para të hapjes së Shqipërisë për të shkuar e studiuar, për të krijuar miqësi atje, për të mësuar rreth një shoqërie me mundësi të barabarta për njerëzit. Ky është një privilegj që unë e kam patur, por unë kam vendosur vetë të rikthehem në shtëpi në vitin 2004, pas një periudhe katër vjeçare shërbimi në Kosovë.

Kishit një dilemë, të ktheheshit në Shqipëri apo të qëndronit?

Pa dyshim. Ka qenë një vendim i rëndësishëm i jetës sime, por një vendim i prerë, i marrë në konsultim me bashkëshorten time Aurela, atëherë nuk kishim fëmijë. Ne ndodhemi prej vitit 2004 këtu. Nuk janë mediat që kanë spekuluar për këtë. Por ka qenë Edi Rama që ka spekuluar. Ajo është një sajesë, një baltosje. Për fat të keq, është një nivel shumë i ulët për dikë që akuzon çdo ditë mediat si kazan e vetë bie në nivelin e baltosjes së jetës familjare të fëmijëve të kundërshtarit politik. Por siç e kam thënë edhe më parë, unë kam zgjedhur ta injoroj këtë. Ka shumë miq, komshin të pallatit, që thonë, si nuk i kthen përgjigje. Jemi në qendër të vëmendjes së publikut dhe jemi këtu për publikun dhe jo për veten tonë. Ky është një nivel i ulët i kundërshtarit politik, të merret me fëmijët e kundërshtarit, por kur kam parasysh se ç’heqin fëmijët e shqiptarëve nga i njëjti kundërshtar politik, fëmijë që për këtë festë nuk marrin dot dhurata, shumë prej tyre jetojnë në shtëpi ku u është këputur energjia elektrike, apo ku prindërit janë pa punë dhe nuk sigurojnë dot mjetet bazë të jetës, pra kur shoh se çfarë për fat të keq kundërshtari politik ka shkaktuar me politikat e tij, me papërgjegjësinë e tij, për qindra, mijëra fëmijë shqiptarë, mendoj që nuk është e domosdoshme që të reagoj sa herë që merret me fëmijët e mi. Po, ne jetojmë në të njëjtin apartament që prej vitit 2005, apartament që e kemi blerë në vitin 2003, para hyrjes në politikë. Vajzat shkojnë këtu në shkollë, vajza e madhe shkon në shkollë dhe vajza e vogël shkon në kopësht. Gjithçka tjetër është një sajesë e pastër që bëhet vetëm për qëllime politike.

Ju jeni larguar në Holandë në moshë shumë të re, apo jo?

Në vitin 1993.

Ishit maturant në mos gaboj… Ose në vitin e parë të studimeve dhe keni studiuar atje. Në momentin që jeni kthyer në Shqipëri, sipas të dhënave që kam unë, të mos jem i gabuar, keni pasur një pagesë shumë të mirë në Kosovë. Përse një çift që paguhet mjaft mirë në një vend tjetër, që ka ndërtuar edhe një lloj jete në një shtet tjetër ku ka jetuar për më shumë se sa një dekadë, vendos të kthehet në Shqipëri? Cili ishte motivi që ju shtyu të ktheheshit?

Motivi ishte dhe është, sepse ne besojmë, besojmë tek Shqipëria. Besojmë se edhe Shqipëria ka të gjitha shanset dhe mundësitë të kthehet në një vend ku jo vetëm unë dhe familja ime, por çdo shqiptar, të ketë mundësinë të jetojë mirë.

Ju ftuan apo vendosët të vinit vetë z.Basha?

Pa dyshim edhe jam ftuar, por vendimin e kam marrë unë. Vendimin e kam marrë unë bashkë me bashkëshorten time, kishim një vit që ishim martuar, në vitin 2004 ishim martuar. E kam shpjeguar para disa vitesh por po e kthej prapë në vëmendje. Isha para disa vendimeve, kisha një ftesë për të punuar në një institucion ndërkombëtar në Hagë që sapo themelohej, kisha një ftesë për të punuar në Neë York, po kështu për Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe një ftesë të përsëritur nga opozita, nga Partia Demokratike, nga Sali Berisha, për t’iu bashkangjitur përpjekjes opozitare dhe me thënë të drejtën, shpirti më qante prej vitesh…

Gjatë kohës që ishe në Holandë, ishe i lidhur me Shqipërinë?

Në mënyrën më intensive.

Vinit shpesh në Shqipëri?

Pothuajse çdo muaj. Puna më lidhte sepse gjatë kohës që studioja kam punuar part-time kryesisht me zyrën e marrëdhënieve me jashtë të Fakultetit Juridik, kemi pasur disa projekte me Shqipërinë dhe kjo më mundësonte me mjete të tjera, jo me mjetet e studentit, të isha në një kontakt shumë më të shpeshtë se sa ç’i rastis një studenti në veçanti siç ishin vitet ’90 që ishin vite edhe me mundësi më të pakta për studentët se sot.

Ju u larguat fiks në momentin e një kthese të madhe të Shqipërisë në aspektin shoqëror. Kur u kthyet pothuajse 12 vjet më pas, sa kishte ndryshuar Shqipëria? Jo në anën e ndërtimeve, atë vizive, por edhe në shoqëri.

Pa dyshim që ishte një Shqipëri ndryshe nga ajo që unë kisha lënë. Kishte zhvillim dhe kishte edhe prapambetje. Varet nga pikëvështrimi. Pikëvështrimi im ishte pa dyshim dhe mbetet i dikujt që ka shijuar dhe gëzuar frytet e lirisë dhe mundësive që ofron liria në Europë, në Perëndim, në një nga vendet më të zhvilluara, më demokratike, më tolerante siç është Holanda. Kështu që, nga kjo pikëpamje, kërkesat e mia për realitetin shqiptar edhe para futjes direkte në politikë, kanë qenë shumë më të larta se realiteti. Padurimi, frustrimi me gjendjen, dëshira për të bërë diçka, besimi se mund të bëj diçka, kanë qenë motivuesit kryesorë për të marre vendimin që mora.

Në këto momente që keni qenë i angazhuar si kryetar opozite, si Ministër dhe si anëtar i mazhorancës. Ka pasur ndonjë moment që jeni ndjerë i penduar që morët vendimin për t’u kthyer?

Asnjëherë! Në asnjë çast.

A ka pasur moment që jeni lodhur nga politika. Keni thënë, dreqi ta marrë, le të shkojë ku të shkojë…

Jo të shkojë ku të shkojë… por me të vërtetë jam kryetar i opozitës por jetoj me realitetin shqiptar, me hallet, me zhgënjimet, me shpresat e shqiptarëve dhe unë si çdo njeri kam momentet e frustrimit tim total në veçanti me pamundësinë për të ndryshuar gjërat shpejt dhe mirë siç dua dhe siç besoj se mund të ndryshojnë. Momente të tilla ka patur plotë e në veçanti këto tre vitet e fundit. Por po kështu, ka patur edhe momente shumë pozitive. Si sot që po flasim, shqiptarët kanë marrë një lajm shumë të mirë. Dy ditë para fundvitit më në fund beteja për dekriminalizimin ka shënuar fitoren e parë. Pra sigurisht është një problem që u krijua nga politika. Nuk e krijuan shqiptarët e thjeshtë, e krijoi politika. Beteja që ka nisur është në një farë mënyre për të prishur një të keqe të madhe, një dëm të madh, që politika po i bën Shqipërisë, po i bën shqiptarëve, po i bën fëmijëve të tyre. Por megjithatë njerëzit duhet të dinë te shijojnë edhe arritjet, edhe fitoret. Dhe sot mendoj që është një ditë fitoreje, shprese, për shqiptarët. Është edhe një sinjal i fortë që shoqëria, njerëzit e kanë forcën për t’u ndarë nga e keqja. Nuk do të jetë një betejë e lehtë. Sepse krimi në politikë ka mbështetje dhe ka mbrojtje qeveritare, por jam i bindur që nëse shqiptarët e ndershëm bashkohen në vendosmërinë për t’u ndarë nga e keqja, do të ndahen nga e keqja dhe do të ecim përpara. Kjo është bindja ime.

Çfarë bëni ju në kohën e lirë pasi kam përshtypjen shumë pak veta e dinë që në rininë tuaj ju keni qenë një volejbollist. Çfarë mbeten nga pasionet e vjetra, çfarë pasionesh të reja keni?

Pasionet e vjetra, sporti…

Vazhdoni të luani volejboll?

Jo, nuk është se më mbetet shumë kohë. Kam vite që nuk kam arritur të luaj në asnjë ndeshje të vetme. Sigurisht që volejbolli është një lojë skuadre, është lojë ekipi. Edhe po të kem një moment nuk është se mund të luhet menjëherë. Koha dhe rrethanat në të cilat veproj, si kryetar i partisë më të madhe opozitare, më kufizon mundësinë për të patur kohë të lirë. Koha e lirë zakonisht shkon për familjen, për fëmijët dhe pak për lexim.

Keni akoma mundësi të lexoni?

Kush do, e gjen gjithmonë mundësinë për të lexuar, por për mua janë orët e vona të natës.

Dita zakonisht, sa e ngarkuar është? Dhe çfarë axhende ka dita?

Ka një axhendë jashtëzakonisht të ngarkuar e cila komplikohet në mënyrë të rregullt, të padiskutueshme nga ndërhyrjet, ngjarjet e ditës, të cilat kurrë nuk të lënë të kesh një ditë të planifikuar. Siç nis në mëngjes, nuk mbaron kurrë në darkë.

Gjatë gjithë këtyre viteve që ju keni qenë edhe ministër i mazhorancës, dhe më pas do t’ju pyes edhe për vitin 2016, cili ka qenë momenti që keni ndjerë sadisfaksionin më të madh?

Kam disa. Lidhen sigurisht me produktet e punës, lidhen me momente të cilat është e thjeshtë të thuash që i kemi ëndërruar, por as nuk i kemi ëndërruar, si momenti i marrjes së ftesës për në NATO, kur isha Ministër i Jashtëm, momenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, heqja e vizave për shqiptarët, udhëtimi i parë me studentët më 15 dhjetor pa viza, fiks 6 vjet e dy javë më parë, moment i paharrueshëm. Kur ingranazhet që punojnë në kokën e politikanit dhe që racionalizojnë gjithçka në fakte, argumente, në shifra, i lënë vendin një reflektimi personal, njerëzor, një miklimi që ja isha pjesë e diçkaje që realisht ndryshon jetën e njerëzve për të mirë dhe kjo nuk ndodh në momentin e sallës, të dritave apo lajmit, ndodh kur takon një çift… nuk e harroj një çift të moshuarish në tregun e Tiranës, dy apo tre javë pas liberalizimit të vizave, të cilëve u shkelqenin sytë sepse për herë të parë në 10 vjet do të shkonin të takonin djalin në Gjermani dhe ajo që merr nga një moment i tillë është shumë më e madhe se sa madhështia e heqjes së vizave, ceremonia në Bruksel. Fakti se si influencon jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, të njerëzve të thjeshtë dhe kupton se ke pasur rolin tënd, që unë kam pasur rolin tim për t’i bërë këta të ndjehen kështu.

Pra ke një kontribut personal në këtë rezultat të themi…

Politika është një sport i vështirë. Një sport gjaku thonë në Uashington por po kështu nëse orientohet nga e mira është një mundësi e jashtëzakonshme për të bërë gjënë e duhur, në javët, muajt apo vitet që na fal Zoti në këtë jetë.

Po momenti më i vështirë i karrierës së mëparshme, jo i këtij viti?

Padyshim ka patur shumë. Ka pasur sfida. Nuk dua sonte të risjell momentet tronditëse që kam kaluar edhe në përgjegjësitë e mia. Por ka patur të tilla.