Transmetuar më 12-01-2017, 22:08

Këngëtarja e famshme shqiptare, Anita Take, në një intervistë ndër të fundit që ka dhënë para se të ndahej nga jeta, tregonte se ajo ishte e përgatitur për vdekjen dhe se nuk kishte frikë nga ajo pasi i shoqi, Agim Prodani e kishte ambientuar me këtë ide.

Ndiqni pjesën e intervistës që flet për këtë argument dhe më poshtë intervistën e plotë:

Thatë që e përjetuat dhimbshëm parakalimin e kolosëve të muzikës. Keni frikë nga vdekja? -Jo shumë, sepse më ka përgatitur Agimi. Ai fliste shumë për vdekjen. Në një periudhë lodhjeje profesionale, unë kalova një lloj depresioni ku e kisha frikë vdekjen e Agimit. Dhe ai punoi shumë me mua. Ai gjithnjë e thoshte që unë do jetoja më shumë. Edhe pse kishim vetëm 7 vjet diferencë. Ai ishte shumë i lodhur dhe jeta e puna që bënte, e sfiliti. Vuante nga pagjumësia dhe gjithë natën vetëm krijonte. Flinte në mëngjes, atëherë kur ripërtërihej jeta. Ajo që për mua ka qenë e rëndë, ka qenë mënyra se si u ndava me të. Nuk isha e përgatitur dhe nuk u gjenda aty, ti rrija pranë, të më linte një amanet. Por humbjet duhen gëlltitur, sepse mua më takon të ruaj dinjitetin e bashkëshortit, të fëmijëve të mi dhe të familjes. Me kalimin e kohës njeriu mëson të jetojë me humbjen. Ndaj dhe grave që kanë humbur bashkëshortët, u them se duhet t’ia lënë kohës. Mos ta sfilitin veten, ashtu siç bëra unë.

Intervista e plotë

Ndër çastet më të bukura të jetës së saj, ajo veçon ditën kur u bë për herë të parë nënë, si dhe çastin kur bashkëshorti i saj, Agim Prodani i tha: “Të dua”. Ajo ka vendosur të mos ndahet kurrë nga kënga, ndaj krahas debutimeve në skenë gjatë përgjatë tre viteve të fundit dhe tek “Këngët e Shekullit”, po përgatit edhe albumin e saj të dytë me këngët më të mira. Albumin e parë e ka publikuar para një viti, i cili është pritur shumë mirë në publik.

Znj. Take, tashmë emri juaj është gdhendur në librin e historisë së muzikës shqiptare, çfarë mund të na thuash më shumë në lidhje me arritjet e tua artistike në këtë fushë? Arritjet e mia artistike mund t’i përmbledh vetëm me tre fjalë. Punë, punë dhe vetëm punë. Mendoj se nuk mjafton vetëm pasioni dhe talenti për të bërë diçka në një fushë të caktuar, por natyrisht në lidhje me suksesin, ka të bëjë këmbëngulja, serioziteti dhe qëllimi që i ke vënë vetes.

Gjithashtu, ka të bëjë edhe kontrolli ndaj vetes. Kur them kontroll, kam parasysh spektatorin, i cili të kontrollon në çdo hap që hedh në këtë drejtim. Nisur nga kjo, unë këtë e kam pasur si pikëvëmendje në jetën time skenike, muzikore dhe familjare.

Ndonëse jeni një zë i fuqishëm i muzikës shqiptare, ju keni marrë pjesë shumë pak në festivalet, që janë zhvilluar nga Radio-Televizioni Shqiptar, përse ka ndodhur kjo me ju? Është shumë e vërtetë kjo që thoni ju, por ndonëse nuk kam marrë pjesë në festivale të këtij lloji, aktiviteti im në fushën e muzikës ka qenë tepër i dendur. Kjo më ka penguar të marr pjesë në aktivitete të tilla. Megjithatë, mendoj se festivalet që janë zhvilluar nga Radio-Televizioni Shqiptar, kanë qenë evenimente shumë të bukura kulturore, me shumë emocione dhe me një lloj konkurrence. Por, ndonëse këtë konkurrencë unë e kam dashur, qëllimi i misionit tim ka qenë të dal në skenë dhe të këndoj bukur për publikun, si dhe të them atë çka dua të them nëpërmjet këngës dhe nëpërmjet vargjeve. Gjithashtu, kam preferuar të kem korrektesën time profesionale dhe qytetare përballë spektatorit, pasi të dyja janë të rëndësishme për njëra-tjetrën. Nisur nga kjo, edhe pse unë kam marrë pjesë shumë pak në festivalet e organizuara nga Radio-Televizioni Shqiptar, gjithmonë e kam ndjerë veten shumë mirë edhe jashtë tyre, pasi kam marrë pjesë në aktivitete të tjera, po aq të rëndësishme dhe më pranë publikut.

Sa vjet keni që këndoni në skenë?  Jeta ime në skenë përmbledh një epokë 50-vjeçare. Në këtë këtë periudhë të gjatë unë kam jetuar si këngëtare dhe vazhdoj të jetoj akoma duke kënduar.

Cilat nga këngët më të dashura për ju?  Unë kam shumë këngë të dashura, ndaj nuk mund të veçoj ndonjërën prej tyre. Për mua, si këngë më të dashura, janë këngët me tematikë shoqërore dhe ato me tematikë të dashurisë intime. Pra, këngë që kanë pasur melodi të thjeshta. Kënaqësia dhe arritja ime ka qenë se, këto këngë, ndonëse kanë kaluar 50 vjet, vazhdojnë të këndohen edhe sot nëpër festat familjare nga brezat e rinj dhe të moshuar. Duke parë rezistencën e këtyre këngëve dhe interesimin e njerëzve për t’i kënduar ato, mendoj se kjo është arritja më e madhe për mua dhe krijuesit e këtyre këngëve.

Të ka rastisur të dëgjosh ndonjë nga këngët e tua dhe si të është dukur interpretimi nga këngëtarët e tjerë? 

Ka pasur shumë raste, kur unë kam dëgjuar këngët e mia të kënduar nga këngëtarë të tjerë. Kjo nuk më kanë lënë ndonjë shije të veçantë, përveçse kënaqësisë që kënga ime jeton. Unë gëzohem jashtëzakonisht shumë, kur dëgjoj këngët e mia të këndohen nga të tjerët dhe nuk rrëmbehem nga i mendimi, që ata i kënduan, i kënduan më mirë, ose më keq se unë. Për mua nuk ka rëndësi kush i këndon, por ka rëndësi të jetojë kënga dhe ajo të përcillet ndër breza. Kjo mendoj unë është arritja më e madhe për një këngëtar, apo krijues. Këtu unë nuk kam parasysh çmimet e marra nëpër festivale, por çmimin e madh që të jep publiku, duke i duartrokitur dhe i kujtuar ato këngë. Pra, unë mendoj se kënaqësinë më të madhe nuk ta japin çmimet, por ta jep publiku dhe jetëgjatësia e këngës, duke u transmetuar brez pas brezi.

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?  Këto janë momente që natyrisht nuk harrohen. Kam qenë shumë e re kur jam ngjitur në skenë. Ka qenë viti 1949. Në atë kohë, kam qenë si amatore në Shtëpinë e Oficerëve, pasi atëherë nuk kishte festivale, nuk kishte as skena, ku ne mund të dilnim lirshëm, siç dalin sot këngëtarët, nuk kishte as televizione për të shpalosur talentin tone.

Si ju lindi pasioni për këngën?  Kënga ishte një ndjenjë që lindi siç duket bashkë me qenien time. Në këtë rrugë më ka përkrahur shumë edhe mamaja ime, e cila e donte shumë artin. Më pas, nga kënga në këngë, nga debutimi në debutim, arrita deri në skenën profesioniste, kohë kjo kur mblidheshin talentet.

Çfarë të kujtohet nga periudha, kur ju hodhët hapat e para në rrugën e muzikës? 

Në kohën kur unë nisa rrugën e këngës, kishte pak këngëtarë dhe kompozitorë në Shqipëri. Në atë kohë ishte një bërthamë e vogël këngëtarësh dhe kompozitorësh, që kishin studiuar jashtë Shqipërisë, si në Austri dhe në Itali. Unë i përkas atij brezi, që dolëm si luledelet, që dalin pas një shiu në pranverë. Ashtu filluam të dalim edhe ne katër, apo pesë këngëtarë, ku më pas vitet bënë që të dalin qindra e qindra këngëtarë, të cilët debutuan dhe vazhdojnë të debutojnë me shumë dinjitet brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nga familja juaj ka pasur ndonjë që merrej me art?  Prindërit e mi kanë qenë shumë artdashës, por nuk e kanë ushtruar në jetë këtë profesion. Babai im ka pasur një vegël frymore, që i binte në shoqërinë “Vatra” në Amerikë, ku ai kishte emigruar. Edhe nëna këndonte bukur. Pra, ka qenë edhe ambienti familjar, që më ka ndihmuar.

Ruani ndonjë moment, kur jeni mallëngjyer në skenë?  Po. Ky çast prekës më kujtohet edhe tani dhe lidhet me periudhën kur më kishte vdekur nëna ime. Për ta larguar dhimbjen dhe për të qëndruar larg zakoneve, unë isha larguar posaçërisht nga Shqipëria për një turne në Evropë. Pasi qëndrova më shumë se tre javë larg Shqipërisë, më bëjnë një telefon dhe më ftojnë për të marr pjesë në Festivalin e Pranverës. Në këtë festival unë do të merrja pjesë si e ftuar. Erdha dhe këndova pikërisht këngën e nënës, ngaqë në atë kohë ne ishim në prag të festës së 8-Marsit. Teksa këndoja këtë këngë, befas mu kujtua nëna ime, që kishte dy javë që kishte vdekur. Nisur nga kjo, unë u mallëngjeva shumë, saqë shpërtheva në lot. Mu trash edhe zëri dhe nisur nga kjo i kërkova falje spektatorit, që kishte mbushur sallën. Më pas mora frymë thellë, e përsërita këngën dhe papritur pashë që edhe spektatori i prekur thellë dhe i emocionuar nga ajo që më ndodhi mua, shpërtheu në duartrokitje të zjarrta. Në ato momente mua mu duk sikur e pata të gjallë nënën time.

Si kanë qenë marrëdhëniet e Anita Takes me kolegët dhe, a takoheni tani shpesh për të kujtuar dhe hequr mallin e atyre viteve? 

Marrëdhëniet e mia me kolegët kanë qenë shumë të mira, madje do të thoja më shumë se të mira. Në atë kohë, duke qenë se ishim shumë pak këngëtarë dhe krijues, qëndronim shumë më afër njëri-tjetrit. Unë kam pasur partnere dhe partnerë në skenë, me të cilët ruaj kujtime shumë të bukura. Pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më, por unë i kujtoj akoma me respekt. Kujtoj me respekt edhe ata që jetojnë dhe kur mblidhemi nëpër festa të ndryshme, kujtojmë me shumë nostalgji periudhën që kemi kaluar bashkë, si dhe arritjet dhe zhgënjimet në fushën e muzikës.

Krahas arritjeve në këngë, një moment i rëndësishëm për çdo artist është edhe periudha bashkëshortore, çfarë mund të na thuash më shumë në lidhje me këtë, kur dihet që bashkëshorti juaj, Agim Prodani është një ndër themeluesit e muzikës së lehtë shqiptare? 

Me bashkëshortin tim, Agim Prodani, jam njohur nëpërmjet këngës, meqë ai ishte kompozitor. Ndoshta, zëri më bëri që unë të njihem me një personalitet të muzikës shqiptare, që natyrisht në atë kohë ai ishte i ri dhe nuk e kishte krijuar atë imazh aq të bukur që ka sot.

Këtë njeri unë e kam vlerësuar shumë. Ai më kishte piketuar mua si një këngëtare, si një kolege, që më respektonte dhe unë pronto në çdo moment. Me kalimin e viteve, ne u njohëm më shumë me njëri-tjetrin, nga ku më pas na lindi edhe ajo e shkretë dashuri si i thonë, pasi kjo ndjenjë njerëzore nuk ka asnjë recetë dhe vjen në një moment, kur ti ndoshta dhe nuk e pret. Jeta ime në familje ka qenë shumë e ngrohtë dhe me një mirëkuptim, të cilin ia uroj çdo njeriu.

Cila ka qenë pika juaj kyçe në këtë lidhje bashkëshortore?  Pika jonë kyçe ka qenë, që ne e njohëm shumë mirë njëri-tjetrin para se të binim në dashuri. Mendoj se kjo ka qenë një arritje madhe në jetën tonë bashkëshortore. Nga kjo martesë na kanë lindur dy djem.

Fëmijët tuaj, a kanë marrë profesionin e prindërve të tyre?  Po. Ata janë shumë të talentuar. Më i madhi, Kujtim Prodani, është kompozitor dhe kantautor. Djali i dytë, Florian Prodani ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë, në degën inxhinieri ndërtimi, por nuk e ka ushtruar fare këtë profesion. Më pas ka studiuar për informatikë. Edhe atij i pëlqen shumë muzika dhe për këtë vazhdon të punojë në piano, në shtëpinë e tij.

Tani që jeni në një moshë të thyer, a do të këndoni, nëse nga publiku do t’ju vijë një ftesë? 

Patjetër që do të këndoja. Unë publikut shqiptar i kam shumë borxhe, ndaj sa të kem frymë do të këndoj për të, pasi ka qenë pikërisht ky publik, që gjithmonë më ka përkrahur, më ka mbështetur dhe duartrokitur, sa herë që kam dalë në skenë. Në këto tre vjetët e fundit, unë kam kënduar dhe nuk jam ndarë nga kënga, megjithë moshën time të madhe. Nisur nga kjo, mendoj se unë po jetoj për të kënduar.

Kur keni kënduar për herë të fundit?  Për herë të fundit kam kënduar tek “Këngët e Shekullit”.

Si t’u duk ajo natë?  Ajo natë për mua ka qenë një mrekulli. Ndaj uroj të mos e kem natën e fundit. Unë u befasova, që ato këngë të vjetra dhe me një tekst, që ndoshta nuk janë dhe aq të përshtatshme me realitetin e kohës, akoma pëlqehen dhe duartrokiten nga publiku.

Aktualisht, a keni ndonjë dëshirë, që mendoni ta realizoni së shpejti? Aktualisht po mendoj të realizoj albumin tim të dytë, me këngët e mia më të zgjedhura.

Po ndonjë peng të parealizuar? Më vjen shumë keq, që nuk pata fatin të filmohem në jetën time si këngëtare. Cilat mendoni se janë çastet më të bukura në jetën tuaj?  Si çaste më të bukura në jetën time, mund të veçoj çastin kur unë u bëra nënë për të parën herë. U gëzova shumë kur më thane: “Të ka lindur djalë”. Gjithashtu, çast tjetër i bukur për mua, është edhe çasti kur bashkëshorti im, Agim Prodani më tha: “Të dua”. U gëzova shumë, pasi kjo fjalë u shqiptua fort nga ai dhe jo sa për të kaluar radhën. (Qesh).

Njohja me kompozitorin Agim Prodani, sa të ka ndihmuar në jetë? 

Më ka ndihmuar shumë. Ndaj, për këtë unë falenderoj shumë profesionin tim, i cili më njohu me njeriun, që më ka ndihmuar dhe më ka përkrahur pa masë në rrugën time artistike. Ai gjatë gjithë jetës sime mbeti për mua, jo vetëm një bashkëshort i mirë, por edhe një shok dhe koleg shumë i mirë.

Bashkëshorti juaj ka qenë një kompozitor dhe kompozues i shumë prej këngëve të tua, të gjitha këngët e dashurisë, Agimi t’i ka kushtuar ty? Jo, të gjitha këngët e mia, që flasin për dashurinë janë kompozime të bashkëshortit tim, por disa nga këngët më intime, të cilat unë i ruaj akoma, janë kompozuar nga ai. Tematika e këngëve të tij ka qenë shumë e larmishme, por disa nga më pikantet, kur ka qenë temperatura 40 gradë, mi ka kushtuar mua, ndërsa të tjerat jo.

Zonja Anita, si e jetoni muzikën tani? -Nuk mund ta kuptoj jetën pa muzikë. Kam lindur duke kënduar dhe do vdes duke kënduar. Kur kam oferta për të kënduar, kurrë nuk i refuzoj, ndërkohë që intervistat i kam pak të zorshme. Sa rëndësi i keni dhënë punës, në jetën tuaj? -I kam dhënë rëndësi të madhe. Nëse kam arritur të bëhem diçka në jetë, kjo ka qenë vetëm nëpërmjet punës, punës dhe punës. Keni qenë shumë aktive si në profesion dhe në marrëdhëniet me familjen. Sa ju ka kushtuar gjithë ky përkushtim? -Unë nuk kam qenë vetëm këngëtare në jetë. Së pari kam qenë një kolege me një partner të vështirë. Kur them të vështirë, dua të them se ai ka qenë maniak pas të përkryerës, dhe bashkëpunimi me të, ka qenë i vështirë, por i suksesshëm. Nëse unë kalova disa vite si kolege me Agimin, në një marrëdhënie profesionale dhe shoqërore, theksoj se kanë qenë marrëdhënie shumë korrekte pa interes mashkulli për një femër, besoj se rolin kryesor e ka luajtur korrektesa dhe përkushtimi për punën. Këtë gjë, ai ma ka përsëritur shpesh kur ishim të martuar. Kur e kujtonim kohën tonë të punës në bodrumet e radios, ai më thoshte:”Ndjehesha shumë në siklet kur vija me vonesë, dhe të gjeja duke më pritur gjithnjë e rregullt dhe në orar”. Kjo ishte arsyeja që i fitova zemrën, atij djali të edukuar dhe të talentuar, që gjithnjë ishte i rrethuar nga këngëtare shumë më të bukura se unë, shumë më tërheqëse se unë. Unë e kam respektuar gjithnjë veten. Kështu e fitova Agimin, pa bërë asnjë përpjekje. Duke respektuar veten, duke u mbrojtur kur duhej, e urtë, punëtore, kokulur, dhe pa dyshim dhe me seriozitet.  Kjo do të thotë se duke i patur këto karakteristika individuale, tuajat, ja u lehtësuan jetën? – Nuk më kanë kushtuar shumë. Unë u bëra bashkëshorte e Agimit, por siç thotë populli “i vura shpatullat shtëpisë”. Sepse Agimi, duke qenë krijues, kishte nevojë për kushte dhe lehtësime në familje. Unë, e dobët kam qenë, por e fuqishme, dhe e kam adhuruar familjen, shtëpinë. Më ka pëlqyer gjithnjë ambienti familjar, dhe harmonia. I jam dhënë familjes me mish e me shpirt. Fëmijët nuk i çoja në çerdhe sepse kisha frikë se më sëmureshin, dhe nuk mi mbanin mirë edukatoret. Por unë punoja, dhe më duhej të shkoja në estradë dy herë në ditë. Në mbrëmje ne kishim shfaqje dhe më duhet të dilja para spektatorëve. Spektatori nuk do t’ia dijë për problemet dhe punët që ka këngëtari në shtëpi, kështu që shumë herë vija kompresa me ujë të ftohtë në sy, për të larguar lodhjen dhe për të më kthyer shikimin. Agimi ka qenë shumë i lidhur me shtëpinë. Pianoja, cigarja dhe Anita kanë qenë pjesë e pandarë e jetës së tij. Gjatë gjithë jetës kam qenë organizatore e punëve, sepse më duhet të mendoja për ushqimin, pazarin, gjellën, tavolinën, fëmijët. Por ka qenë diçka që unë e kam pëlqyer, dhe nuk e kam ndjerë si rëndesë. Nuk ndjeheni e lodhur nga gjithë këto përpjekje? -Jam e lodhur, por e bëj përsëri. Tani jetoj me djalin dhe përsëri merrem me këto punë. I shërbej shumë. E kam kënaqësi ti shërbej njerëzve. Ta kanë vlerësuar këtë përkushtim Agimi dhe fëmijët? – Tani më ngacmove shumë. Pasi jetuam 31 vjet së bashku dhe rregulluam kushtet tona, pra, u sistemuam me shtëpinë që jemi sot, ndërsa po hanim drekë me djemtë dhe unë ndjehesha e lodhur, Agimi u tha atyre: “Dëgjoni djema, unë gruan dhe ju nënën tuaj të themi të drejtën e kemi shfrytëzuar pak. Sot e tutje, do marrim angazhim që ta ndihmojmë. Ti Flori do të hekurosësh, ti Kujtim do bësh pazarin, dhe unë në shtëpi do bëj sa të mundem.” Unë i dëgjoja, dhe u lumturova, dhe pse me mendjen time përsërisja që përsëri do i bëja vetë, sepse e kisha në natyrë këtë gjë. Atë ditë u nisa për në Elbasan dhe kur u ktheva e gjeta të vdekur Agimin.  E ndjeni shumë humbjen e bashkëshortit? -Mos më thoni! Dje kam qenë në varreza dhe jam akoma me velin e trishtimit. Ndërsa flas, jam e ngarkuar me kujtimet e mia. E kam ndjerë shumë, por e kam marrë me filozofi sepse jeta është ndërtuar në këtë mënyrë, ikën një njeri, lind një tjetër, rritet, vdes. Por ndiej mungesën e tij si shok, si mikun më të mirë që pata. Jam përpjekur që ta kompensoj, duke krijuar me njerëzit marrëdhënie miqësore, duke qenë një nënë e lumtur, por dhe vjehrre e lumtur. Nuk jam besimtare, por çdo mëngjes them: “O zot, faleminderit!”  Anita si vjehrrë. Si janë raportet me nusen tuaj? -Nuk e ndjej veten vjehrrë. Unë nuk kam vajzë, por dhe po ta kisha nuk mendoj se do kisha dashur më shumë dhe do kisha më shumë konfidencë se kam unë me Gentën. Ndjehem shumë e plotësuar me të. Dje që isha në varreza shkova tek varri i nënës së Gentës dhe i thashë: “Nuk të njoha asnjëherë, por ti e linde, e rrite, për ta gëzuar unë!” Genta është më e mirë seç të gjithë e njohin. Shkoj çdo të shtunë, që ajo ka ditën e pushimit, dhe drekoj me djalin dhe nusen. Ky është një ligj me të cilin nuk mund të luhet. Po ju keni patur vjehrrë? -Foton e vjehrrës akoma e mbaj mbi kokën e krevatit tim. E kam dashur shumë vjerrën, dhe kemi qenë bashkë deri në fund të jetës. Më kujtohet që Agimi më thërriste lule, ndërsa ajo lulishte ( Më thoshte:Je më shumë se një lule). Edhe sot, ky emër më ka mbetur tek njerëzit e shtëpisë.  Cilat janë këshillat tuaja për një grua, që të jetë e lumtur dhe e suksesshme në jetën e saj? -Të jetë vetvetja. Të jetë e sinqertë me partnerin dhe me fëmijët. Duke qenë kështu ka harmoni në familje dhe pa dyshim lind dhe respekti, dhe ajo familje nuk do të përjetojë probleme të rënda.  Por nëse një grua ka kontradikta me bashkëshortin. Çfarë mendimi keni për rebelimin e saj dhe për divorcin? -Në momentin që nuk ka riparim marrëdhënia dhe partneri ka probleme, unë mendoj se gruaja duhet të kërkojë zgjidhjen e kësaj lidhjeje. Kur në familje ka dhunë, ajo duhet të rebelohet. Unë po ta kisha patur në jetën time, nuk do e kisha toleruar. Gjithnjë duke iu referuar korrektes sime personale. Nuk ka pse të sakrifikojë gruaja gjithë jetën për hir të fëmijëve, ose për hir të një interesi mbijetese. Ajo duhet të zgjedhë rrugën e saj në jetë. Nuk jam pro tradhtisë në familje. Por mbasi njeriu e ka zgjidhur martesën, jam dakord dhe me një martesë të dytë dhe të tretë. Dhe më duket se kështu ka ardhur koha tani. Familja është tepër e shenjtë dhe do mbrojtur, por gjithnjë kur ajo është e shëndoshë. Mendoj se elementi kryesor është kujdesi dhe zgjedhja e partnerit. Sot lidhjet bëhen shumë shpejt. Unë i vë rëndësi shumë njohjes paraprake. Unë me Agimin kam kaluar shumë kohë njohjeje, para se të vendoseshim të lidheshim. Njohja pa piksynime është e rëndësishme. Femra intrigon kollaj. Pikërisht për këtë shkak sot vihemi përballë historish të çuditshme dhe këto na bëjnë që meshkujt ti shohim me sy të keq. Pavarësisht se këtu kanë pjesë dhe femrat.  Çfarë ju bën ju sot, të ndjehemi mirë me veten tuaj? Unë ndihem mirë se jetoj. I kam fëmijët mirë me shëndet, dhe njerëzit që më rrethojnë janë mirë. Ndihem një nënë e përkëdhelur. Thatë që keni patur dy lindje shumë të vështira. Si ka qenë ardhja e fëmijëve të tu në jetë? – Fëmija i parë erdhi në momentin e duhur, pas gjashtë vjetësh që ne ishim lidhur. Por shtatzënia ime e parë ka qenë shumë e vështirë. Kam kaluar në fëmijëri sëmundjen e brucelozës, dhe më kujtohet që kam bërë mbi dy mijë inxheksione për të mbajtur fëmijën, sepse rrezikoja abortin. Kam kaluar shumë kohë në spital dhe personeli mjekësor më ka mbajtur në pëllëmbë të dorës. Më kujtohet që ndërsa arrinte momenti i ardhjes së fëmijës, doktor Glozheni u thotë punonjësve të tij “Gati i keni enët e gjakut!”Kur dëgjova profesorin, mendova se situata ishte e rrezikshme dhe unë perceptova që mund të humbja djalin. Atëherë kam menduar: “Nëse do zbres ato shkallët e maternitetit pa djalë, do hidhem nga shkallët!” Nuk është mirë që e them, por atëherë e mendova me të vërtetë. Unë nuk mund ta kuptoja dot jetën, pa fëmijën. Mendoni që, vetëm pas tre muajsh, kam mundur të ngrihem në këmbë e të eci. Kur kam dalë nga spitali kisha shtuar 28 kile, flokët më ishin zgjatur dhe babai mezi më njohu. Më kujtohet që nuk më bënte asnjë veshje dhe unë kam marrë një copë kambrike që e përdrodha në trup si veshjet indiane, deri sa formova gardërobën time të re. Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, ka mbetur në historinë e maternitetit, fakti që, kam ndenjur 9 muaj në shtrat, deri sa realizova ardhjen e fëmijës tim në jetë.  A ndjeheni një nënë e shpërblyer nga fëmijët e tu? -Për sa i përket marrëdhënieve të tyre me mua, absolutisht po. E kam pak peng djalin e madh që vazhdon të jetë beqar, por kështu e sheh ai jetën e tij, dhe mua më duket vetja e pafuqishme të ndërhyj në zgjidhjet e tij. Do dëshiroja shumë që sa të jetoja ta shihja dhe atë të sistemuar me familje, por nuk është e mundur të realizohet gjithçka që do zemra e një nëne. Në familje jo gjithçka shkon në mënyrë perfekte. Ka dhe të meta që duhet të suportohen. Ju keni përtypur ndonjë të metë të bashkëshortit tuaj? – Nuk them se ishte një e metë e dëmshme, por Agimi nuk dilte nga shtëpia. Unë si grua e re që isha, e dashuruar marrëzisht pas tij, do doja që ai të më shoqëronte. Me përjashtim të dy viteve të para kur ishim të fejuar, më pas ai nuk më shoqëronte as në shëtitje, as në vizita. Unë u mësova me këtë gjë, dhe e mirëkuptova. Për mua ishte e rëndësishme që ai nuk ndërronte partnere. Edhe kur shkonim nëpër mbrëmje atij nuk i pëlqente të kërcente, mua po. Nuk është se më ndalonte të kërceja me partnerë të tjerë, por unë e ndjeja që atij i vinte keq ti hidhesha në qafë një mashkulli tjetër, dhe unë nuk e bëja. Pra ka patur gjëra të vogla, të këtij lloji. Agimi më thoshte gjithnjë: “Jam menduar se kë mund të vija në vendin tënd, por nuk e kam gjetur kurrë një zëvendësuese”. E njëjta gjë më ka ndodhur dhe mua. Kur kam qenë në Austri, para disa vitesh, njerëzit rreth e rrotull, me të cilët krijuam miqësi i thoshin djemve: “Kjo e ka humbur shokun prej vitesh. Tani ka nevojë për një friend, një shok”. Me atë gjermanishten time të çalë u thosha: “Nuk kam mundur kurrë të gjej, njeri më të mirë se atë që kisha. Nuk më bën përshtypje që kam 20 vjet pa të”.  Realisht si e jetoni lidhjen me të? -E mendoj ditë dhe natë. Ai është pjesë e jetës sime. Shumë herë ndalem, afër fotografisë së tij mbi piano, dhe i them:”Ah more Agim, kështu është jeta, pas pak do vij tek ty dhe unë”. Flas me të. Pastaj gjëja që më ngushëllon është fakti që për të flitet shumë. Kjo më sjell kënaqësi. Nuk është në këtë moment duke pirë kafe me mua, por është në një shoqëri që e kujton, në respektin, në vlerësimet dhe superlativat e njerëzve. Me rastin e 45 vjetorit të festivalit kalova një moment shumë të vështirë. U bë një homazh për artistët që nuk jetojnë më, dhe duke parë secilin prej tyre në sallë, mendoja se çdonjëri ishte një kolloz, shihja fotot dhe u shkëputa nga realiteti duke u futur në botën e të vdekurve. Më pas drejtuesi i festivalit thirri emrin tim, por unë e ndjeva që këmbët më ishin bërë kallkan dhe pasi i dhashë një shtytje trupit dola në skenë, dhe më kaloi gjithçka. Unë e kam këtë gjë: po të jem para publikut, tjetërsohem. Thatë që e përjetuat dhimbshëm parakalimin e kolosëve të muzikës. Keni frikë nga vdekja? -Jo shumë, sepse më ka përgatitur Agimi. Ai fliste shumë për vdekjen. Në një periudhë lodhjeje profesionale, unë kalova një lloj depresioni ku e kisha frikë vdekjen e Agimit. Dhe ai punoi shumë me mua. Ai gjithnjë e thoshte që unë do jetoja më shumë. Edhe pse kishim vetëm 7 vjet diferencë. Ai ishte shumë i lodhur dhe jeta e puna që bënte, e sfiliti. Vuante nga pagjumësia dhe gjithë natën vetëm krijonte. Flinte në mëngjes, atëherë kur ripërtërihej jeta. Ajo që për mua ka qenë e rëndë, ka qenë mënyra se si u ndava me të. Nuk isha e përgatitur dhe nuk u gjenda aty, ti rrija pranë, të më linte një amanet. Por humbjet duhen gëlltitur, sepse mua më takon të ruaj dinjitetin e bashkëshortit, të fëmijëve të mi dhe të familjes. Me kalimin e kohës njeriu mëson të jetojë me humbjen. Ndaj dhe grave që kanë humbur bashkëshortët, u them se duhet t’ia lënë kohës. Mos ta sfilitin veten, ashtu siç bëra unë. Duke kaluar tek kënga, pasioni juaj i madh ju dhe vetë e thatë që i harroni të gjitha dhimbjet. -Flas për Agimin sikur e kam diku aty. Ndonjëherë tregohem e kujdesshme, se mos i mërzis njerëzit, por ai ka qenë dhe është shumë i pranishëm në jetën time profesionale. Para katër vjetësh kam qenë në Kosovë, në një eveniment shumë të bukur dhe elitar. Kisha 50 vjet pa shkuar në Kosovë dhe mezi prisja të kisha një ftesë. E ndërsa këndoja para të pranishmëve flisja dhe për Agimin dhe bëja me kokë. Më dukej sikur diku do ta shihja. Dhe u dërgova dhe të pranishmëve puthje me dorë. Dhe pastaj mendova për atë gjest, se si do i dukej Agimit. Në fakt shumë vjet më parë, ndërsa isha rreth të 50-ave, në një koncert recital, u kam dërguar puthje me dorë spektatorëve dhe ai ishte mbrapa perdes dhe më ndiqte. Më kujtohet që menjëherë sa e takova e pyeta:”Mos bëra gabim?” Dhe ai më tha:”Jo Anita, është e drejta e moshës. Ndaj mos u rezervo!” Ka qenë xheloz ndaj jush? -Jo xheloz, në kuptimin negativ të fjalës, por ka qenë. Unë e kuptoja, dhe rezervohesha. Keni qenë shumë e kujdesshme, atëherë? -Kam patur një natyrë të ekuilibruar. Në moshën time të duket sikur jeta është e shkurtër. Por në fakt e gjithë koha që jetova me Agimin, dhe e sotmja pa praninë e tij reale por me praninë shpirtërore, përbën një cikël të pandashëm, sepse kemi jetuar dhe folur kaq shumë, sa për shumë momente gjej ngushëllim tek fjalët e tij. Zonja Anita, para tre vjetësh ju keni promovuar dhe një album të ri. Në moshën 70-vjeçare i keni dhuruar publikut këngët e të paharruarës Take. Nga buron ky vitalitet? -Nga dashuria. Dashuria për këngën, për punën, për njerëzit sepse kam dashur që ti dhuroj gjithçka atyre.