Transmetuar më 08-03-2017, 19:34

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev thotë se do ta formojë qeverinë pa mandatin e dhënë nga presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

“Ne do të donim që formalisht ta marrin miratimin nga presidenti, por kjo nuk është e domosdoshme. Është një traditë e mirë ta pyesësh prindin e vajzës për dorën e saj në martesë, por nëse ai refuzon ju mund të martoheni sërish”, është shprehur Zaev.

Lideri i LSDM-së tashmë i ka votat për formimin e qeverisë, pasi ka marrë mbështetjen e deputetëve të BDI, Aleancës dhe Lëvizjes BESA.

Ndërkaq përgjigjen e parë për letrën drejtuar ndërkombëtareve, te cilëve u kërkoi të hedhin poshtë platformën e partive shqiptare, presidenti maqedonas Ivanov e mori nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Zv/ndihmës sekretari i Shtetit për çështjet euro-aziatike, Hoyt Brian Yi ia bëri të qartë se kreu i shtetit duhet të lejojë që të formohet sa më parë qeveria e re.

Duke kërkuar që palët të gjejnë kompromis, ai tha se Presidenti duhet t’u mundësojë deputetëve që kanë shprehur dëshire për të formuar qeverinë dhe partive që përfaqësojnë, të krijojnë sa më shpejt qeverinë, pasi vendit i nevojitet një ekzekutiv që të vijojë proceset për anëtarësimin e vendit në BE.

Por ndërsa apelet e ndërkombëtarëve theksojnë se nuk duhet humbur kohë, partia e ish- kryeministrit Nikolla Gruevski këmbëngul në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Komiteti ekzekutiv i kësaj force politike i ka bërë sërish thirrje Partisë Socialdemokrate të refuzojë platformën e partive shqiptare, që sipas saj parashikon shndërrimin e vendit nga shtet multientik, në një shtet me vetëm dy etni.

Ndërsa në Shkup, mijëra njerëz kanë hyrë në ditën e shtatë të protestave, duke kundërshtuar përdorimin e gjuhës shqipe zyrtare.

Protestuesit këndonin këngë patriotike dhe brohorisnin: “Mos luani me durimin tonë”.