Transmetuar më 22-03-2017, 15:18

Përmet, 22 mars 2017, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani morën pjesë në kremtimet e festës tradicionale të Sulltan Novruzit në Teqenë e Baba Aliut, në Ali Postivan të Përmetit, duke uruar përzemërisht këtë ditë të shenjtë të besimtarëve bektashinj.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit tha se sot festohet dita më e rëndësishme e besimit bektashian, dita e ringjalljes dhe shpresës “dhe të gjithë ne lutemi për një të ardhme më të mirë për veten tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë, por ne lutemi për një të ardhme më të mirë edhe për të gjithë shqiptarët”.

Ai shtoi se teqetë shqiptare përfaqësojnë një arkitektonikë mahnitëse dhe krijojnë në tokën që jetojmë ne një kostelacion yjesh të përngjashëm me ato që shihen në qiell.

Sipas tij, besimi bektashian, në gjirin e të gjithë besimeve të tjera, arriti të vendosë rrënjë të thella në shpirtin tonë e të kthehej në një burim jo vetëm tolerance e harmonie, por edhe në një faktor të qenësishëm kulture, patriotizmi, edukate dhe filozofie optimiste.

Me këtë rast Presidenti i Republikës dekoroi me titullin “Naim Frashëri” klerikun dhe udhëheqësin e shquar shpirtëror të bektashinjve, Baba Hekuran Nikollari me motivacionin: “Për kontributin e rëndësishëm në ringritjen, ruajtjen dhe përhapjen e besimit bektashian. Me vullnetin e Zotit si dhe talentin e përkushtimin e tij u ka ofruar besimtarëve bektashianë paqen fetare, dorën e ngrohtë, karakterin atdhetar, dashurinë hyjnore si edhe shpresë e besim tek mendimi filozofik që përfaqëson”./a.y/noa.al