Transmetuar më 26-03-2017, 19:47

20 vjet pas tragjedisë së Otrantos, Krenar Xhavara, vetëm 28 vjeç atëherë e sot 48, kujton se si në 8 minuta pa me sytë e tij të fundosej anija ku në bord ishte bashkëshortja, vajza 6-muajshe dhe anëtarë të tjerë të familjes.

“Unë humba gruan dhe një fëmijë, ndërsa vëllai im humbi 3 fëmijë dhe gruan”, thotë Krenari.

Në 28 mars 1997, nga Porti i Vlorës u nis drejt Brindizit anija me 115 qytetarë shqiptarë, ku, pas disa orë lundrimi, u përplas me anijen italiane Sibila, gjë që shkaktoi tragjedinë më të madhe, ku humbën jetën 81 persona, e që sot njihet si tragjedia e Otrantos.

“Unë isha nga mbrapa anijes, kur shikoj majën e Sibilës që na goditi. Anija u përmbys. Unë dhe disa të tjerë u gjendëm 20-30 metra larg anijes nga goditja që pësuam. Anija qëndroi për 8 minuta e batuar. Italianët nuk u munduan fare që të shpëtonin anijen tonë”, kujton 48-vjeçari.

Krenari tregon se u përpoq të notonte drejt anijes për të shpëtuar familjen, por qe e pamundur, transmeton TCH. Por, ende sot, pas 20 vitesh, ai thotë se drejtësia nuk ka shkuar në vend: “Kërkojmë që shteti të marrë në mbrojtje të drejtat tona”.

Në tragjedinë e Otrantos shpëtuan vetëm 34 persona, 57 trupa u nxorën nga fundi i detit dhe 24 rezultuan të humbur.