Transmetuar më 17-05-2017, 12:45

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka marrë nga Presidenti Ivanov mandatin për të krijuar qeverinë e re të Maqedonisë. Presidenti Gjorge Ivanov, tha se gjithçka është lënë pas dhe se ka ardhur koha për të zbatuar kushtetutën.

“Pengesat për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë së re janë mënjanuar. Sot po i qasemi përmbushjes së nenit 84/1 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, e cila ka shumicën në Kuvendin e RM-së, ka propozuar zotin Zoran Zaev që të jetë kandidat të cilit do t’i jepet mandati për formimin e Qeverisë”, deklaroi Presidenti Ivanov.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe i mandatuari Zaev.

”Edhe një herë theksoj se pengesat për dhënien e mandatit janë mënjanuar. Kryetari Xhaferi e dorëzoi njoftimin për shumicën parlamentare, kurse unë dorëzova garancitë për unitaritetin e shtetit. Në emër të shumicës parlamentare garantoj se do ta ruajmë unitaritetin, rendin kushtetues, sovranitetin dhe shumëetnicitetin e vendit”, theksoi Zaev.

Ai tha se ‘qeveria e re reformatore garanton interesat shtetorore dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, pa dallim etnike, religjioni, gjinie’. 

Dhënia e mandatit për Zoran Zaev, vjen pak javë pasi në krye të parlamentetit të Maqedonisë, për herë të parë u vendos një shqiptar, Talat Xhaferri. /k.k/noa.al/