Transmetuar më 01-06-2017, 07:29

Votohet qeveria e re e Maqedonisë, e cila do të drejtohet nga lideri socialdemokrat Zoran Zaev. Mesnatën e lënë pas, mes të mërkurës dhe të enjtes, Kuvendi i Maqedonisë votoi me 62 vota pro nga 120 në total, mazhorancën e re të përbërë nga i LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.

Zoran Zaev deklaroi në fjalën e parë si Kryeministër se qeveria e drejtuar prej tij do të kthejë besimin e qytetarëve te institucionet dhe do të ndërmarrë reforma të thella.

Ai kërkoi që të shmanget gjuha nacionaliste dhe të respektohet të gjithë etnitetet në Maqedoni, ndërsa premtoi edhe zgjidhjen e kontestit të emrit.

Radmilla Shekerinska u zgodh ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski ministër i Punëve të Brendshme, Dragan Tevdovski ministër i Financave, Nikolla Dimitrov ministër i Punëve të Jashtme, Renata Treneska Deskovska ministre e Arsimit dhe Shkencës, Goran Sugarevski ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Lupço Nikollovski ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave, Milla Carovska ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Damjan Mançevski ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Sadulla Duraku ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë, Bylent Salihu ministër i Drejtësisë, ministër i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu, ministër i Shëndetësisë Arben Taravari dhe Robert Allagjizovski ministër i Kulturës.

Koço Angjushev u zgjodh ministër pa portofol, i cili do të jetë zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, Bujar Osmani gjithashtu është zgjedhur ministër pa portofol, por do të jetë zëvendëskryeministër për Eurointegrime, si dhe Hazbi Lika, i cili do të jetë zëvendëskryeministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve.