Transmetuar më 29-06-2017, 21:07

Kompania më e madhe e udhëtimeve detare, Ventouris Ferries, edhe një herë gjendet pranë artit dhe kulturës duke organizuar në Portin e Durrësit, një koncert për artdashësit.

Në bordin e anijes “Rigel III” të Ventouris Ferries, këtë të shtunë 1 korrik në mbrëmje, shumë njerëz do të kenë mundësi të shijojnë tingujt e muzikës dhe këngët më të mira të repertorit të njohur dhe më të fundit të këngëtares së famshme shqiptare, Aurela Gaçe.

Vetë këngëtarja, thotë se po e pret me padurim këtë koncert ku ajo do të performojë me AGband.

Aurela siguron se do të jetë një koncert live që do t’i rrëmbejë të tërë:

“Këtë të shtunë, o do të më zërë dëti, ose do ta zë”, – thotë Aurela, si gjithmonë ekspresive dhe e ëmbël.

“Do të jemi në bordin e anijes Rigel III të Ventouris Ferries në Durrës, jo vetëm për udhëtarët, domethënë, koncert për të tërë”, – fton ajo.

Kurse shton: “Kanë vendosur ta hapin sezonin me dallgë, se normalisht ju e dini që ne jemi shume të qetë”, – thotë Aurela, duke nënkuptuar sigurisht furinë që i rrëmben të pranishmit teksa ndizen prej saj në koncertet ku merr pjesë.

Ventouris siguron gjithashtu se do të jenë orë të këndshme dhe të magjishme në bordin e anijes “Rigel III”, të shtunën duke nisur nga ora 21.00.

Koncerti është falas për të gjithë pasagjerët që do të udhëtojnë nga Durrësi për në Bari më 1 korrik 2017. /noa.al/