Transmetuar më 16-07-2017, 11:35

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes,Milva Ekonomi, mori pjesë sot në një prej aksioneve masive për pastrimin e plazheve dhe parqeve natyrore të Shqipërisë që po zhvillohen në gjithë vendin nga Korpusi i Vullnetarëve.

Ministrja Ekonomi i’u bashkua aksionit të pastrimit të Parkut të Llogarasë, ku dha një mesazh për mediat dhe publikun.‎

Në këtë aksion mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

“Turizmi në Shqipëri ka shënuar një bum për ekonominë e vendit, duke u bërë një kontribues shumë i rëndësishëm, jo vetëm për nga numrat mbasi përfaqëson 7% të PBB-së, por edhe nga përkushtimi që ne po tregojmë për kulturën dhe natyrën e vendit tonë, për t’ia bërë të njohur të gjithë turistëve që vijnë e vizitojnë Shqipërinë. Por që të lëmë një mbresë të mirë tek të gjithë vizitorët padyshim ndërhyrje të rëndësishme duhen bërë”, tha ministrja.

Ajo shtoi se, në fillim të sezonit turistik MZHETTS iu bashkua nismës Europiane të plazheve të pastra, ndërsa më pas mbështeti iniciativa të shoqërisë civile për të pastruar plazhet.

Ekonomi tha se atraksionet tona turistike kanë nevojë jo vetëm të promovohen por edhe të mirëmbahen.

“Pastërtia është një treguesit kryesore të mirëmbajtjes së destinacionit turistik. Prandaj dua ti bëj thirrje gjithë qytetarëve që përdorin këto atraksione por dhe Bashkive që të kenë vëmendjen ndaj pastërtisë dhe të punojnë shumë për të patur një sezon turistik të shëndetshëm dhe shumë mikpritës për të gjithë ata që janë turistë, vendas apo të huaj”, deklaroi Ekonomi.