Transmetuar më 08-08-2017, 08:12

Kryeministri Edi Rama këtë verë e ka kthyer në traditë që thuajse çdo mëngjes të promovojë pjesë nga Shqipëria turistike.

Kështu ka bërë edhe mëngjesin e kësaj të marte, ku në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një shkrim të revistës italiane “Vanity Fair”.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull të bukur botuar për Shqipërinë në një nga revistat italiane”, shkruan kreu i qeverisë.

Shkrimi i plotë

VERËN, NË DETIN E SHQIPËRISË!

Një grup i zëshëm zonjash tek të shtatëdhjetat është rreshtuar në plazhin e një kafeneje në Porto Palermo, një zonë e vogël bregdetare disa kilometra nga Himara. Me një theks tipik të Torinos, për t’ia hedhur pritjes në radhë, flisnin me zë të lartë mbi surprizat e udhëtimit të tyre në të ashtuquajturin "Toka e Shqiponjave". Në thelb, për të përmbledhur më të spikaturat, deri më tani ato ishin pesë. Tirana mund të arrihet në më pak se dy orë fluturim nga Italia. Në Shqipëri, të gjithë apo shumica flasin mjaft rrjedhshëm italisht.

Kudo që mund të shkosh mund të hani mirë dhe të shpenzoni pak (sigurisht më pak se në ‘Belpaese’). Deti është aq i bukur sa ai i Greqisë (por, ju lutem, mos ua thoni grekëve këtë!). Njerëzit janë gjithmonë miqësore dhe të gatshëm në atë mënyrë që, mjaftojnë të shkëmbesh vetëm disa fjalë dhe menjëherë kalon në slloganin e pashmangshëm Itali-Shqipëri "një fytyrë, një racë". Duke lënë pas periudhën shqiptare të emigracionit pas rënies së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (në vitin 1991), prej kohësh i arkivuar tashmë dhe i tejkaluar me fenomenin e fundit të emigracionit në kthim, paragjykimi është zëvendësuar nga kurioziteti. Ia vlen, pra, ta provosh atë.

TIRANA. 50 NUANCA, POR JO (MË) GRI

E re dhe proaktive si kryetari i pashëm i bashkisë Erion Veliaj, Tirana është motori i zhvillimit që po prek gjithë vendin. Me më shumë se njëqind kantjere të hapura në qendër të qytetit, parqet e lojërave të inauguruara në periferi, zonat e reja të gjebra që kanë zëvendësuar betonin, hapjen e zonës pedonale në sheshin e madh Skënderbej, transformimin e pazarit të vjetër ushqimor i njohur si Pazari i Ri, i cili tani ngjason me tregun La Boqueria të Barcelonës, por në miniaturë, ish bunkerin antiatomik të Tiranës të përshtatur në Bunk’Art ku dëshmitë historike të periudhës komuniste janë të ekspozuara krah veprave të artit bashkëkohor, Tirana është një qytet interesant për t’u vizituar (dhe sidomos) për t’u jetuar.

Blloku, zona që ka qenë tradicionalisht e rezervuar vetëm për elitën komuniste, me një mizëri dyqanesh, restorantesh, baresh dhe lokalesh, sot është lagjia më cool e kryeqytetit. Ditë e natë, këtu ashtu sikurse në majën e Dajtit ku mund të mbërrihet për një çerek ore nëpërmjet teleferikur romantik Dajti Ekspres, të rinjtë takohen për të kremtuar një stil jetese tipik të verës mesdhetare. Nëse mes vendeve që sipas guidave turistike duhen parë absolutisht, janë në radhë të parë Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, Muzeu Historik Kombëtar dheQendra Botërore Bektashi, urdhri islamik sufist i themeluar në shekullin e XIII nga Haxhi Veli Bektashi, ajo që kundërshton nuancat e shumta gri të kryeqytetit shqiptar dhe që janë të lidhura me periudhën e udhëheqësit komunist Enver Hoxha, është ndjesia e një qyteti ku punohet pa pushim.

BERATI, GJIROKASTRA, BUTRINTI

Edhe pse mund të duket e lehtë të thuhet, shprehja "i’a vlen rruga" mund të jetë mjaft e dobishme në rast se ju keni dyshime për zgjedhjen e një destinacioni. Në lidhje me tre zonat shqiptare të deklaruara zona të Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, për shembull, kjo thënie është shumë e përshtatshme. Me lumin Osum që rrjedh në shpatet e maleve, shtëpitë prej guri të ndriçuara lehtësisht në natën e errët dhe Kisha që ruan nga lart qytetin duke mbajtur shtrënguar ikonat e saj të çmuara (dhe, dy hapa larg muzeut Onufri), Berati është quajtur "qyteti i një mijë dritareve." Me pak imagjinatë ", nëpër rrugët e ngushta dhe rrethinat rurale, këtu ndihesh si brenda një djepi.

Ka qenë shkrimtari i famshëm Ismail Kadare që e ka bërë në fakt të pavdekshme bukurinë objektive të Gjirokastrës, falë romanit të tij “Kronikë në gur” (1971). Në mesin e kafeneve në natyrë, pazarit të suvenireve e antikuareve tipike lokale dhe banesave të vjetra të epokës osmane, gati për t’iu rindërtuar fasadën, busull këtu është kalaja, për pamjen bujare që ofron mbi qendrën e vjetër historike dhe në pak (por në të vërtetë, përsëri shumë!) ‘stonatura’ moderne.

Dhe pastaj, për entuziastët e arkeologjisë, është i pashmangshëm Butrinti. I ruajtur mirë, i kuruar dhe i vendosur në një peizazh të mbetur pezull mes detit dhe bimësisë së dendur që duket sikur dëshiron ta përpijë, zona më e rëndësishme e Shqipërisë i katapulton vizitorët në një udhëtim prapa në kohë përmes rrënojave të qytetërimit helenistik, romak, bizantin, venecian dhe osman.

SI ËSHTË DETI NË SHQIPËRI?

Rruga gjarpëruese bregdetare që lidh qytetin e Vlorës me Sarandën, është një nga më spektakolaret në Mesdhe. Pas kalimit të 1.027 metër lartësi në Llogara, në fakt, duke filluar nga gjiri i Palasës deri poshtë në Kepin e Stillos, Riviera Shqiptare është një seri gjiresh dhe plazhesh të parapëlqyera, pak a shumë, nga numra të mëdhenj turistësh.

Saranda e shkëlqyeshme dhe plazhet e gjata të Vlorës (ashtu si edhe në veri, plazhet e pafundme dhe të pajisura të Durrësit) tërheqin mbi të githa familjet dhe kur bie dielli, argëtimin e festave në breg. Por ato të Himarës, Dhërmiut dhe Porto Palermos, ruajnë një sharm më diskret. Duke përshkuar këtë shtrirje të bregdetit shqiptar, midis fshatrave, hoteleve të vogla familjare, dhe mini-gjireve për tu zbuluar në liri të plotë (mundësisht me një anije private) ka hapësirë për t’u ndjerë vërtetë "pionierë".

KSAMILI, ISHULLI I ËNDRRAVE

Nga ana tjetër, ishulli i Korfuzit është vetëm pak milje detare larg, dhe ata që janë në kërkim të një deti për kartolinë (ose më mirë të thuash për Facebook), mund të zbresin pak më poshtë për të qëlluar në shenjë me Ksamilin. Katër ishujt e tij të vegjël, lehtësisht të arritshëm me not apo varka me pedale nga plazhi, ju ftojnë për t’u çlodhur në ujërat e qartë ku, jashtë pikut të sezonit, edhe peshqit habiten me praninë e plazhistëve. Megjithatë, Korriku dhe Gushti, këtu si kudo është periudha që e bën dallimin: zgjohuni herët dhe kredhja e vetmitare është e garantuar!