Transmetuar më 14-08-2017, 20:24

Në ujërat e detit Jon është gjetur një anije e madhe, në brendësi të së cilës janë konstatuar armë të rënda, dhe që dyshohet të jetë mbytur 100 vite më parë.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, i cili tha se mjeti lundrues është gjetur në afërsi të Gadishullit të Karaburunit.

“Bëhet fjalë për një anije civile e pajisur me mitralozë dhe e përdorur për qëllime ushtarake. Anija është ruajtur mjaft mirë, ajo gjendet në thellësi të madhe dhe duket se është goditur kur ka qenë në lundrim”, ka thënë Tare.

Ai sqaron më tej se anija u gjet në kuadër të bashkëpunimit mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe specialistëve amerikanë të hartografisë navale.

“Mendohet se anija është mbytur gjatë Luftës së Parë Botërore, e goditur nga një silur i nëndetëseve austriake, të cilat patrullonin edhe detin Adriatik nga baza e Kotorrit”, tha Tare.

Relikti është zbuluar në një thellësi prej 50-60 metrash poshtë Karaburunit. Ende nuk është bërë verifikimi i tij edhe pse ka nisur puna për të verifikuar dhe konsultuar të gjitha tragjeditë e ndodhura rreth 100 vjet më parë në brigjet shqiptare. /k.k/noa.al/