Transmetuar më 19-08-2017, 18:25

Flasin për "Albanian Free Press", ekspertët Selami Xhepa dhe Zef Preçi

***

Rënia në “pikiatë” e monedhës evropiane, euro, në tregun shqiptar të këmbimit valutor gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti në Shqipëri duket se nuk ka qenë e rastësishme. Përveç efekteve sezonale, ajo mund të ketë qenë e stimuluar edhe nga veprime të paligjshme të lidhura me shitblerjen e votës, por edhe të tjera të tilla në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017.

Ky është dyshimi i ngritur prej ministrave teknikë të qeverisë, paraqitur në raportin e tyre final, që ata i kanë dorëzuar kryeministrit teksa kanë konfirmuar zyrtarisht dhe dorëheqjen e tyre nga postet respektive, mbajtur prej dy muajsh në kuadrin e marrëveshjes “Rama-Basha”. Për të shkuar edhe më tej, me kërkesën konkrete të ndërmarrjes së një hetimi të posaçëm, për të vërtetuar me fakte ekzistencën e një dukurie të tillë.

“Rekomandohet hetimi i ndryshimeve në tregun valutor për zhvlerësimin e euros që nga data 19.5.2017 deri më 27.6.2017, nëse ndryshimet e valutës janë lidhur me përdorimin e saj në mënyrë informale për shitblerjen e votave apo veprave të tjera penale në fushën e zgjedhjeve”, citohet saktësisht në raportin e ministrave teknikë.

Në fakt, harku kohor që ata përmendin përkon pikërisht me një rënie drastike të kuotimit të monedhës evropiane në tregun e brendshëm valutor të vendit tonë, deri në vlerat e këmbimit prej rreth 131 lekësh. Vlera këto që nuk ishin parë në vendin tonë prej vitesh, saktësisht që në vitin 2009, kur ai nisi të ndjente në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe efektet negative të krizës ekonomike globale.

Në fakt, eksperienca e ecurisë së tregut të këmbimit valutor tregon se përvit, në nisje të verës rezulton se ka një nënçmim të monedhës evropiane, e kjo për shkak të rritjes së prurjeve të saj (ofertës) nga ana e emigrantëve, apo edhe e turistëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion për pushime. Por rënia e sivjetshme e saj ishte drastike, deri në kufijtë minimalë të saj, për më tepër e ndodhur gjatë fushatës elektorale, çka mesa duket i ka detyruar ministrat teknikë të qeverisë të dyshojnë se ajo ka qenë e nxitur nga një ofertë e shtuar e eurove në treg, pikërisht për blerje të votës së lirë të qytetarëve, por në të njëjtën kohë, edhe për kryerjen e veprave të ndryshme penale që lidhen me zgjedhjet.

***

Xhepa: Prurje valutore nga  kanabisi, nuk e përjashtoj

Eksperti i njohur i ekonomisë, Selami Xhepa, gjatë një prononcimi të posaçëm për “Albanian Free Press”, i pyetur nëse mund të ketë ndodhur vërtet një zhvlerësim i stimuluar i euros gjatë periudhës parazgjedhore, (siç aludojnë ministrat teknikë) u shpreh se asgjë nuk mund të përjashtohet. “Kjo për faktin se ka edhe ndryshime në agregatët monetarë, në ofertën e parasë. Duket që ka patur një ofertë më të madhe valute sesa ka zakonisht, edhe pse në përgjithësi muajt e verës janë muaj me prurje të madhe valutore për shkak të mbërritjes së turistëve etj, kështu që i vërtetë është fakti se ka ndryshime apo luhatje në kursin e këmbimit valutor”, shpjegon ai. Për të shtuar më tej faktin se kërkesa për hetim e ngritur prej ministrave teknikë, edhe mund të qëndrojë. “Nuk është ndonjë gjë e padrejtë, për faktin që ajo kërkohet nëse ka patur prurje valutore nga tregtia e kanabisit, e që kjo nëse është e vërtetë, pastaj mund të jetë përdorur për motive politike. Unë nuk e përjashtoj si mundësi dhe madje e kam thënë disa herë edhe në debate televizive që çështja e kanabisit nuk është thjesht një çështje e karakterit ekonomik, por është më shumë një çështje e karakterit politik. Kështu që nuk përjashtohet fakti që mes tyre të ketë një lidhje të fortë”, argumenton më tej eksperti Xhepa.

Preçi: Lidhja nuk përjashtohet

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, nuk e përjashton shqetësimin e ngritur në raportin e ministrave teknikë lidhur me zhvlerësimin e monedhës evropiane, euro gjatë muajve maj-qershor 2017, por thotë se kjo mbetet për t’u vërtetuar. “Në të gjitha analizat ekonomike të bëra në 15 vitet e fundit, faktori më i besueshëm është ai që mbështetet në raportin kërkesë-ofertë. Rënia e madhe e euros është një tregues se oferta e valutës në treg ishte e madhe. Raporti i ministrave teknikë as e përjashton hipotezën që kjo të ketë të bëjë me përdorimin e valutës në fushatë zgjedhore, por as e provon. Mund të them se nuk përjashtohet një lidhje e fortë mes veprimtarisë kriminale në fushatën e fundit zgjedhore me zhvlerësimin drastik të monedhës europiane”, sqaron ekonomisti Preçi.

BSH: Në tregun vendas hyri shumë valutë

Hyrjet e larta të valutës në ekonominë shqiptare, duke krijuar madje edhe një tepricë oferte në tregun e brendshëm valutor kanë qenë shkaku i zhvlerësimit të madh të monedhës evropiane, euro, brenda tij gjatë muajve prill-maj-qershor 2017. Ky është një fakt i pranuar nga vetë ekspertët e Bankës së Shqipërisë, teksa kanë publikuar vetëm pak ditë më parë zhvillimet në kursin e këmbimit në tremujorin e dytë të vitit. Por pa dhënë një arsye konkrete në fakt, të shkaqeve që e kanë krijuar këtë ofertë të lartë valutore. Gjithsesi, ata kanë pranuar faktin se leku ka vijuar të forcohet gjatë tremujorit të dytë të vitit, madje me ritëm më të përshpejtuar në muajt maj dhe qershor, periudhë kjo e cila përkon me fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 qershorit. Konkretisht, Banka e Shqipërisë citoi se mbiçmimi vjetor i lekut shënoi vlerën 4.6% në këtë tremujor, duke u thelluar nga vlerat 3.5% dhe 3.2%, që shënonte përkatësisht në tremujorin e parë të vitit dhe në vitin 2016.

EFEKTET

Çmime më të ulëta, por në të njëjtën kohë edhe rritje më e ulët ekonomike. Kjo është ajo çka shkaktoi në realitet rënia “në pikiatë” e monedhës evropiane, shënuar përkatësisht gjatë muajve maj-qershor të këtij viti. Këtë konfirmojnë të paktën ekspertët e Bankës së

Shqipërisë, sipas të cilëve “efekti i kursit të këmbimit ishte më i pranishëm në rënien e inflacionit të artikujve të importit dhe  veçanërisht të atyre ushqimorë”. Kjo mjafton të kujtojmë faktin se ato blihen kundrejt valutës, e cila duke patur një nënçmim të dukshëm nga leku, ka bërë që artikuj të tillë të hyjnë në tregun vendas më lirë dhe duke shkaktuar kështu luhatje të dukshme në ecurinë normale të tij.