Transmetuar më 31-08-2017, 08:15

Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjes këtë të enjte me një shkrim mbi turizmin në Shqipëri, të publikuar në mediat italiane.

“Mirëmëngjes dhe me këtë analizë për Shqipërinë si surpriza e lundrimit turistik të vitit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Shkrimi është botuar nga italiania http://www.themeditelegraph.com dhe ndërsa të shqipëruar e gjeni më poshtë, në italisht e gjeni duke klikuar këtu.

Shkrimi i plotë- Anijet turistike në zbulim të Shqipërisë

ANALIZË

Trieste- Me krizën në Lindjen e Mesme dhe Venecian jashtë limiteve, kompanitë rinovojnë itineraret.

Është Shqipëria surpriza e tregut të lundrimit. Vendi që po përpiqet të bëhet i njohur në nivel ndërkombëtar është Saranda, një qytet bregdetar pothuajse ngjitur me ishullin e Korfuzit. E njohur njëherë e një kohë në Itali me emrin Santi Quaranta (Dyzet Shenjtorët), në vitin 1940 u ripagëzua me emrin Porto Edda në nder të Edda Ciano Mussolinit gjatë periudhës së pushtimit italian në Shqipëri.

Sot, edhe falë mediave, një pjesë e popullsisë përfshin dhe atë italiane, edhe pse zyrtarisht është njohur një minoritet grek autokton: faktikisht gjendemi fare pranë kufirit me Greqinë.

Cilët janë faktorët që kanë shtyrë disa kompani lundrimi të eksperimentojnë këtë destinacion? Pikë së pari rënia e kërkesës për në Turqi për shkak të mungesës së e stabilitetit politik të vendit, si pasojë e të cilit të gjitha kompanitë turistike u detyruan të rishikojnë planet e tyre në Mesdheun Lindor. Si fillim u hoqën anijet dhe u spostuan në tregje të tjera: një zgjedhje e detyruar edhe për shkak të çështjes shumëvjeçare të tranzitit të anijeve në Venecia, i cili praktikisht ka ndaluar kalimin nga Adriatiku e të gjitha anijeve të reja. Anijeve të mbetura iu desh të kërkonin brigje të tjera ku të hidhnin spirancën, sidomos në lindje të Detit Tirren i cili është i mbipopulluar.

Kështu Saranda nisi të eksperimentohej para së gjithash nga Holland America Line dhe duke filluar nga ky vit u transformua në destinacion fiks të Msc Crociere. Është pikërisht kompania e Gianluigi Apontes e cila ka në program numrin më të madh të udhëtimeve që prej prillit të kaluar deri në fund të 2018-ës. Msc Poesia do të sjellë pasagjerët e saj në Shqipëri edhe 10 herë të tjera këtë vit dhe 23 të tjera janë parashikuar për sezonin e ardhshëm.

Pastaj gjejmë Holland America që ka sjellë Westerdamin në “Vendin e Shqiponjave”, ndërsa vitin tjetër do të sjellë dhe Oosterdamin. Ndërsa operatorë të tjerë kanë në program udhëtime të rastësishme, si p.sh. Cunard, Hapag-Lloyd, Oceania, P&O Cruises, Phoenix Reisen, Regent dhe Silversea.

Porti i qytezës shqiptare nuk ka struktura të mjaftueshme për të akomoduar një anije të madhe lundrimi, kështu që linjat e lundrimit qëndrojnë larg portit dhe i transportojnë pasagjerët me mjetet e tyre. Porti i vogël është ngjitur me lungomaren ku ndodhet dhe pjesa më e madhe e lokaleve që, falë turistëve, e kanë rritur ndjeshëm xhiron e tyre. Deri tani Saranda ishte destinacion turistik kryesisht në nivel kombëtar. Nuk ka dyshim që plazhet që e rrethojnë atë janë parajsa të vërteta turistike që ende nuk njihen, ndaj dhe turistët që udhëtojnë me anije nuk i vlerësojnë sa duhet ato.

Po të konsiderosh pastaj çmimet e ulëta të taksive dhe shërbimeve që ofrojnë strukturat në plazh, ekskursionet e organizuara individualisht janë shumë të përhapura. Detaj jo i vogël: mund të paguani fare mirë në euro që tregtarët vendas e konsiderojnë një monedhë të “çmuar”. Sigurisht që kompanitë organizojnë dhe ekskursione kulturore dhe në natyrë: vendet më të preferuara për t’u vizituar janë kështjella e Ali Pashë Tepelenës, vendi arkeologjik i Butrintit, kisha bizantine e Shën Kollit në Mesopotam, si edhe burimet e panumërta piktoreske të Syrit të Kaltër.