Transmetuar më 31-08-2017, 12:40

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi takoi sot në Bruksel homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në përfundim të takimit, Thaçi tha se Kosova dhe Serbia, kanë nevojë për një marrëveshje të re përfundimtare e cila do rregullonte marrëdhëniet në të ardhmen.

“Edhe Kosova edhe Serbia dhe qytetarët e dyja vendeve, kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare që i hap perspektivë dy vendeve tona drejt integrimit europian”, tha Thaçi.

Ai bëri me dije se deri më 17 tetor, sistemi i drejtësisë i Kosovës do të shtrihet në tërë territorin e vendit.

Sipas tij, vetëm dialogu, mirëkuptimi dhee pajtimi janë rruga e së ardhmes për të dyja vendet.

“Ne jemi dy shtete të pavarura e sovrane. Kemi nevojë për komunikim, kemi nevojë për marrëveshje që do të jetë përmbyllëse mes Kosovës e Serbisë prandaj kjo fazë e re e dialogut është e nevojshme të fillojë e të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të jetë marrëveshje e standardeve dhe kritereve europiane”, u shpreh Thaçi për gazetarët.

Ai shtoi se edhe në këtë fazë, do të ketë nevojë për ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Duhet t’i japim fund armiqësisë shekullore dhe ta arrijmë marrëveshjen e normalizimit e pajtimit”, tha ai, duke nënvizuar se sot mes Kosovës dhe Serbisë ka një komunikim më normal nga sa ka qenë më herët.

Ai deklaroi se e gjithë bota e di që Kosova është vend sovran i njohur nga 114 vende dhe se procesi i pavarësisë është i pakthyeshëm.

“Diskutimi po bëhet se si Kosova e Serbia do të funksionojnë si dy vende të pavarura”, sqaroi Thaçi, duke nënvizuar se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton marrëveshje për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana e tij Vuçiç deklaroi se po shihen mundësitë për zgjidhjen e problemeve historike mes dy vendeve, duke deklaruar se “Ia vlen ta provojmë për hir të së ardhmes”. /a.y/noa.al