Transmetuar më 14-09-2017, 09:11

Një operacion policor i koduar “Shpërndarësit”, ka vënë në pranga dy persona të kapur me lëndë narkotike, të ndarë në doza gati për shitje.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në orët e vona të së mërkurës, u bë arrestimi në flagrancë i Bulent Luniku, 22 vjeç dhe Ambri Sinakoli, 22 vjeç banues në Elbasan.

Arrestimi i tyre, u bë pasi në lagjen “Visarion Xhuvani”, në rrugën “Qamil Guranjaku” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “BMW” të drejtuar nga Luniku, në sediljen e pasme të këtij automjeti, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2 kilogramë kanabis sativa.

Lënda narkotike, një pjesë ishte paketuar me letër natriban dhe një pjesë e ndarë në doza të vogla gati për shitje.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy telefona celularë të markave të ndryshme, si dhe automjeti ku u gjet lënda narkotike.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al