Transmetuar më 14-09-2017, 12:59

Dikur një fushë e braktisur mbeturinash, sot shkolla e re me emrin e poetit dhe fizikantit “Betim Muço” në Kombinat, është një nga shkollat më të mira të Tiranës.

Ajo ka pak ditë që ka hapur dyert për nxënësit e saj të parë. Në përurimin e shkollës së re me kapacitet 1200 nxënës, mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, si dhe familjarë të poetit dhe fizikantit të njohur Betim Muço.

Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi punën për lirimin e territorit të zaptuar dhe ndërtimin në kohë rekord të këtij institucioni arsimor, i cili zgjidh përfundimisht problemin e mësimit me dy turne.

“Jam shumë i lumtur që më në fund ky projekt u bë realitet. Kemi një mundësi fantastike që ta nderojmë Betimin, jo me fjalime, jo me patetizma, jo me pllakata, por me një institucion, i cili me gjasë do të frymëzojë nesër djem dhe vajza të shkëlqyer, që do të rriten me dashuri në një ambient të ngrohtë, nga mësues që do të investojnë shpirtin, zemrën, dijet e tyre për ta”, tha Veliaj, duke shtuar se “Betim Muço” është një nga shkollat më të mira në kryeqytet.

Ai nënvizoi se ndërtimi i shkollës së re është mënyra më e mirë për të rritur një gjeneratë të mirëarsimuar dhe të denjë për qytetin e Tiranës.  Në ndryshim nga vitet e mëparshme, këtë vit Bashkia e Tiranës hapi katër shkolla të reja, të cilat do të pasohen shumë shpejt nga puna për ndërtimin e 16 shkollave të tjera. Veliaj deklaroi se Tirana është vendi i mundësive për të gjithë qytetarët.

Për të mbështetur dhe nxitur nxënësit ekselentë, Bashkia e Tiranës do të akordojë 3 mijë bursa. “Si Bashki e Tiranës kemi vendosur 3 mijë bursa këtë vit. Kush del me 10-ta, do të ketë edhe një bursë nga Bashkia e Tiranës.

Jo se besojmë që 10-tat duhen shpërblyer patjetër me para, por është një mënyrë për të thënë që në familjen tonë të madhe 1 milionëshe të Tiranës, pavarësisht vështirësive, do sillemi si çdo familje tipike shqiptare, që kur vjen puna te fëmijët, apo te më të mirët, nuk kursen”, nënvizoi Veliaj. /b.l/noa.al/