Transmetuar më 04-10-2017, 17:51

Ndarja e bujshme në shtator të vitit 2016 me aktorin Brad Pitt, ka lënë gjurmë të thella tek Angelina Jolie. Në një intervistë për revistën italiane “Chi”, ajo tregon se ka kaluar një vit të vështirë, ndërkohë që fëmijët e saj kishin nevojë për të.

“Prej një viti përveç punës sime humanitare, u dedikohem plotësisht atyre. Nuk ankohem, e adhuroj rolin tim si nënë. Kur ata do të duan që unë ti kthehem punës, do e nisim atë rrugë bashkë. Momentalisht po mundohem që të ruaj ekuilibrin tim me të gjitha mënyrat”, shprehet aktorja.

Ajo pranon se të jesh vetëm është shumë e vështirë dhe se e shikon të ardhmen shumë ndryshe.

“Për mua ajo që ka rëndësi është që kur zgjohem të di se fëmijët e mi janë të lumtur dhe me shëndet të plotë. Sa më takon mua, kryqëzoj gishtat që gjithçka shkon mirë pavarësisht kaosit të muajve të fundit”, pranon Jolie.

Angelina dhe Brad qëndruan bashkë për plot 12 vite, për t’u divorcuar në shtator të vitit 2016.

“Më kanë cilësuar gjithmonë të çmendur dhe të egër, por ishte mënyra ime për të luftuar kundër botës në të cilën nuk gjeja vendin tim”, shpjegon Jolie.

Ajo shton se para se të bëhej nënë nuk e dinte se çfarë do të thoshte të ishe e lumtur.

“Thonë që jam e ftohtë, indiferente. Është e vërtetë, më ndodh që të jem e ashpër, por e vërteta është se kam shumë dashuri për të dhuruar. Jam luftëtare, luftoj me shumë pasion për idetë e mia, por tentoj që të mos bëj keq rreth vetes”, shprehet ajo, shkruan noa.al.

Më tej Angelina bën një deklaratë të fortë, “Më habit fakti që jam ende gjallë! Qysh adoleshente mendoja gjithmonë për vdekjen. Jam shumë me fat që mund të jetoj jetën për të cilën u linda. Më pëlqejnë angazhimet e mia dhe zgjimi me fëmijët dhe qentë. Për mua, kaosi është jetë”. /a.y/noa.al