Transmetuar më 04-10-2017, 18:57

Arrestohet njëri prej personave të dyshuar se ishte pjesë e grupit që përplasi makinën e zv. drejtorit të policisë së Elbasanit, pak ditë më parë.

Bëhet fjalë për Enea Bekteshin, 31-vjeç i cili është prangosur nga forcat operacionale të Elbasanit.

Mësohet se Bekteshi mund të ketë qenë pjesë në ngjarjen e pak ditëve më parë në Elbasan, ku pati një konfromtim mes forcave të policisë dhe disa personave.

Ngjarja pasoi me debate dhe akuza politike, madje kulmuan deri te ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili tha se në vend ekzistojnë 20 banda kriminale.

Pak ditë më parë, është zbuluar se ky person ka qenë në listën e Prokurisë, e cila ka kërkuar që Enea Bekteshi të përgjohet, pasi ka informacione se ka marrë pjesë në një tentative vrasjeje me armë luftarake.

Ndaj këtij shtetasi Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë më datë 29.09.2017, ka lëshuar urdhër ndalimi pasi dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit  tip “Audi” me targa  AA 795 EP i dyshuar i blinduar që goditi mjetin e policisë me targa MB 002 AA më datë 18.09.2017 në  Lagjen “Dyli Haxhire” pranë tregut Agro – Ushqimor.

Pasi ka goditur mjetin e policisë mjeti tip “Audi” i dyshuar i blinduar  është futur në ambientet e brëndshme të tregut Agro – Ushqimor.

Ndalimi i tij, u bë në Cërrik në banesën e shtetasit Aleks Pupuleku,(kunati i tij)  dhe gjatë kontrollit të banesës të ushtruar nga efektivat e policisë grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa” dhe një mjet të mprehtë (bajonetë)

Në vijim të veprimeve   nga efektivat e policisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleks Pupuleku, 40 vjeç banues në Cërrik.

Veprimet janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë.

Ndaj shtetasit Aleks Pupuleku materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejsme për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndaj shtetasit Enea Bekteshi, materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë  për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /k.k/noa.al/