Transmetuar më 04-10-2017, 21:11

Alfred Peza, ish-deputeti i Partisë Socialiste vjen në IN Tv,  si autor i librit “Sarah” . I ftuar në emisionin Kolaudim, gazetari tregon sesi lindi ideja e veprës, të cilën e inauguron pas dy ditësh.  Rrënjët e informacionit që e çuan Pezën tek “Sarah”, kanë të bëjnë me Sarah Blloshmin, të lindur në Konstadinopojë. Sarah, do të thotë perëndeshë edhe në fakt e tillë ishte vajza e gjeneralit shumë të njohur shqiptar, mbesa e Ismail Qemalit, një vajzë që jetoi mes dy botëve, perëndimit dhe lindjes, mes dy besimesh, krishterimit dhe islamizmit.

Por Alfred Peza tregoi gjithashtu se do të vazhdojë të ndjekë angazhimet e tij në politikë, ndërsa tha se zyra e tij aktualisht ndodhet në katin e tretë të selisë së Partisë Socialiste. “Sipër zyrës së Edi Ramës, një kat më sipër” –rrëfen Peza.

Alfred Peza foli edhe për tre prioritet e qeverisë Rama.  “Një prioritet është ta çojmë qeverisjen tek njerëzit, se nëse ka një problem madhor në këto 105 vite është fakti që qytetari ndihet i shkëputur nga zyrtari.  Për ta shkëputur atë edhe nga burokracitë e administratës”-thotë Peza. Rritja ekonomike mbi 5 për qind, është një tjetër prioritet i qeverisë Rama 2. Po kështu investimet në industrinë e turizmit do jenë përparësi në këtë mandat qeveritar.  Po kush është kryeministri më i mirë i tranzicionit për Pezën? Dhe përgjigja e tij për djemtë e kolaudimit ishte, “Edi Rama, por vlerësoj Fatos Nanon për disa aspekte”. Më tej ai e krahasoi Nanon me një lloj Mandele ballkanike.