Transmetuar më 05-10-2017, 08:21

Kryeministri Edi Rama, e ka nisur këtë të enjte duke ftuar të interesuarit për të aplikuar për pozicionin e drejtuesve të spitaleve të rëndësishme në vend.

Kreu i qeverisë informon lidhur me spitalet ku kërkohet drejtor i përgjithshëm në kryeqytet dhe ato rajonale.

Më konkretisht në Tiranë kërkohet drejtor për “QSUT” Tiranë, Spitalin Universitar të Traumës, maternitetin “Koço Gliozheni”, maternitetin “Mbretëresha Geraldine” dhe Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Ndërkohë në rrethe, kërkohet drejtor për spitalin e Beratit, Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit, Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë ftesë të posaçme të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, drejtuar atyre që duan të sfidojnë veten dhe ndryshojnë realitetin, duke u bërë pjesë e bashkëqeverisjes përmes drejtimit të spitaleve tona”, shkruan Rama në Facebook.

Ai thotë se kur kanë mbetur edhe 24 orë nga afati i fundit, po edhe për të promovuar këtë qasje të re në zgjedhjen e drejtuesve publikë, që do të shtrihet në çdo fushë shërbimesh për qytetarët, të gjithë të interesuarit që duan të aplikojnë për pozicionet e drejtuesve të spitaleve universitare dhe rajonale në vend, janë të ftuar të aplikojnë sipas procedurave të shpallura në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, faqen web www.puna.gov.al dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale www.shendetesia.gov.al

Dokumentacioni i kandidatëve do të dorëzohet pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kandidatët do të testohen nga Komisioni i vlerësimit ad hoc, i cili do të përbëhet nga:

– Përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

– Mjek me eksperiencë shumë-vjeçare në shërbimet spitalore;

– ​Dy menaxherë sipërmarrjesh të suksesshme;

– Drejtues i një Spitali jashtë vendit;

– ​Ekspert ndërkombëtar në fushën e menaxhimit shëndetësor/spitalor, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

– Mjek i njohur me titull shkencor, i cili ushtron të drejtën e pensionit;

“Suksese të gjithëve! Për shëndetësinë që duam, për Shqipërinë që duam”, mbyll Rama njoftimin e tij. /a.y/noa.al