Transmetuar më 05-10-2017, 10:00

“Djali im është i pafajshëm. Ai nuk është i përfshirë në sulmin me armë ku u vra Ibrahim Basha. Ne jemi nga Gjirokastra dhe nuk e di se si ai u gjend në Lazarat. Unë e dija që Xhuljano ndodhej në lagje”.

Kështu deklaroi dje, në një intervistë për “GSh” Ilirjan Malo, babai i të pandehurit Xhuliano Malo. Ky i fundit dyshohet të jetë njëri prej të pandehurve që mori pjesë në sulmin me armë ndaj policisë në Lazarat në qershor të 2015-ës, ku u vra edhe efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha. Ilirjan Malo hodhi akuza ndaj policisë, duke thënë se, në momentet e para që i biri është marrë në pyetje, është dhunuar.

“Djalit i kishin bërë presion psikologjik dhe e kishin rrahur, kishin ushtruar dhunë makabre, aq sa e dërguan për në spitalin e Gjirokastrës pasi i ra të fikët dhe pësoi vdekje klinike”, tha ai. Ndërkaq, dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca e radhës ndaj 11 të akuzuarve për sulmin në Lazarat dhe vrasjen e Ibrahim Bashës, ku Ilirjan Malo deklaroi në mbrojtje të të birit.

Malo tregon se si e mori vesh për arrestimin e të birit, duke pretenduar mospërfshirjen e Xhulianos në një organizatë kriminale.

Zoti Ilirjan, djali juaj akuzohet se ka marrë pjesë në sulmin me armë në Lazarat dy vite me parë, ku vdiq efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha. A ishit në dijeni se ku ndodhej Xhulio ditën e ngjarjes?

Nuk e kuptoj si u gjend Xhulio në Lazarat. Ne jetojmë në Gjirokastër. Djali në mëngjes ishte në shtëpi dhe nuk kisha dijeni që ishte larguar për në Lazarat, pasi mendova se ishte në lagje. Ai ishte adoleshent kur ndodhi ngjarja, ishte vetëm 17 vjeç. Nuk ka lidhje me sulmin. Ai u gjend në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar.

Si u njoftuat për arrestimin e djalit?

E mora vesh nga lajmet, më pas më kontaktoi një oficer policie. Sapo e kuptova çfarë kishte ndodhur, shkova menjëherë në rajonin e policisë, ku më morën edhe në pyetje. Ata u treguan të pabesë; unë kam qenë ushtarak dhe shumë prej tyre i njoh, por ditën e arrestimit nuk më lanë as që të isha i pranishëm në momentin që morën në pyetje tim biri, i cili ishte nën moshë. Ndërkohë që më pyesnin, dëgjoja britmat e tim biri.

Mendoni se e kanë dhunuar për të treguar çfarë dinte?

Mësova që djalit i kishin bërë presion psikologjik dhe e kishin rrahur, kishin ushtruar dhunë makabre, aq sa e dërguan për në spitalin e Gjirokastrës pasi i ra të fikët dhe pësoi vdekje klinike. Ndërkohë, sipas procesverbaleve, deklarimet e Xhulios rezultojnë në orën 10:00, por djali është përmendur dhe ka dhënë deklarime në orën 4:00.

Kush ishte prezent gjatë deklaratës së Xhulios, kishit siguruar një avokat?

Të gjithë u treguan të pabesë, sepse kur djali dha deklaratën, ka qenë prezente psikologia, e cila i ka thënë Xhulios “nuk ka problem mund ta firmosësh”, ndërkohë që brenda kishte qenë edhe një avokat i prezantuar sikur ishte i familjes, por ne nuk e njihnim atë. Pasi kishte firmosur djali, asnjë nuk më dha asnjë shpjegim. Psikologia më tha vetëm “sill rroba për Xhulion sepse do i duhen që të ndërrohet”. Nga kjo e kuptova që situata ishte e rëndë. Por djali është i pafajshëm, vetë prokuroria e ka përfshirë në këtë ngjarje.

Në dijeninë tuaj, a kishte njohje Xhuliano me personat e tjerë që janë arrestuar në lidhje me sulmin?

Ne jemi nga Gjirokastra dhe me origjinë nga Tepelena. Djali shokët i ka qytetarë, nuk i njeh djemtë e tjerë që po akuzohen për sulmin, as ata nuk e njohin tim bir. Shokët e tij janë shokët e shkollës. Si mund të jetë pjesë e një organizate kriminale një 17-vjeçar kur im bir nuk e dinte çfarë është një organizatë?!

Më herët Xhuljano ka deklaruar se i njeh personat e arrestuar. Çfarë reagimi keni në lidhje me këtë fakt?

Nga ata persona, djali im njihte vetëm Albanin. Kanë qenë në një shkollë bashkë. Djali im nuk i njeh personat e arrestuar, por mendoj se atë deklaratë ai e ka bërë duke qenë nën presion.

Kur jeni takuar me Xhulianon në burg, çfarë ju ka treguar?

Kur e kam takuar, ndodhej në ankth. Djali më ka thënë se është i pafajshëm dhe e kanë arrestuar kot.

Sot (dje) ju dëshmuat në Gjykatën e Krimeve të Rënda në seancën e radhës të zhvilluar ndaj djalit tuaj dhe të pandehurve të tjerë. Çfarë deklaruat?

Mbrojta pafajësinë e djalit tim, pasi duhet të dalë e vërteta. Unë kam dy vajza dhe Xhulion e kam djalë të vetëm. Kam ardhur në Tiranë dhe çdo javë e takoj tim bir dhe e theksoj: ai është i pafajshëm. Sapo kishte mbyllur vitin e dytë të gjimnazit kur ma arrestuan. Po i humbet e ardhmja. Xhulio nuk ka lidhje me atë sulm dhe ai duhet të lirohet dhe të vazhdojë jetën. Ka dy vjet e 4 muaj që lëviz nga burgu i Kavajës tek ai i Fushë-Krujës. Kërkoj të drejtën për tim bir.

Çështja e tyre po gjykohet nga e para. A keni ndonjë thirrje ndaj institucioneve të drejtësisë?

Drejtësia duhet të vihet në vend dhe personat përgjegjës të dënohen për atë që kanë bërë. I bëj thirrje edhe prokurorisë që ta shohë çështjen me më shumë përparësi, sepse unë jam i bindur që im bir është i pafajshëm.