Transmetuar më 05-10-2017, 10:46

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi është përplasur sërish në seancën parlamentare të ditës së sotme me opozitën. Ndërsa javën e kaluar u përplas me Sali Berishën dhe preu seancën teksa ai fliste, sot u përfshi në debat me kreun e opozitës Lulzim Basha, gjatë kohës që diskutohej ngritja e komisionit të reformës zgjedhore.

Gjithçka ndodhi pasi opozita po kërkon debate për këtë komision dhe kërkon që ky debat të zhvillohet pasditen e sotme.

Kurse grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkojnë që debati të zhvillohet në një seancë tjetër.

Kryedemokrati Lulzim Basha u ngrit në foltoren e Kuvendit dhe i kërkoi kryeparlamentarit që të mbledhë Konferencën e Kryetarëve, ose në të kundërt i tha se do të jetë përgjegjës për bllokimin total të punimeve të parlamentit.

“Mblidh Konferencën e Kryetarëve tani! Vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet me një javë debati. Për një afat të arsyeshëm debati ne kemi propozuar orën 16:00, nëse ju duhet më shumë kohë të përgatiteni, merrni orën 18:00. Por kjo seancë nuk mund të procedojë në shkelje totale të normave dhe rregullores të Parlamentit.

Është në rendin e ditës, s’mund ta heqësh nga rendi i ditës ti sepse ke ardhur i papërgatitur”, u shpreh Basha.

Ai akuzoi se kërkohet që t’i mbyllet goja opozitës, duke mos u larguar nga foltorja.

Basha tha gjithashtu se “ky biçim Parlament po degradon nga dita në ditë”, duke shtuar se sot në rendin e ditës është çështja më e rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështja e zgjedhjeve.

Ai akuzoi mazhorancën se vjen e papërgatitur për debat, pasi nuk e do debati,

“Ti ngre kartonat këtu për ti mbyllur gojën opozitës me kartona, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë”, tha ndër të tjera Lulzim Basha.

Duke u ndalur në situatën e krimit në vend, deklaroi se “Ju keni lepurin në bark, s’dini nga t’ia mbani; se nga një anë keni ngjarjen e Elbasanit, nga tjetra anë keni Rrugën e Elbasanit. Po ky është problemi juaj. Problemi i shqiptarëve është se ju vini këtu me një maxhorancë fiktive, në aleancë me krimin, me një parlament ilegjitim”.

Nga ana e tij Ruçi tha se kjo çështje është e mbyllur, duke thënë se do të diskutohet në seancën e radhës.

Por vijimi i qëndrimit të Bashës në foltore ka tensionuar situatën, çka ka sjellë paralajmërimin e ashpër të kreut të Kuvendit.

“Mos e bllokoni foltoren, uluni zoti Basha. Mos më detyroni që masën e parë të përjashtimit si deputet ta marrë me ju. Tërheq vërejtje për pushtim të foltores”, deklaroi ai.

Më tej kryeparlamentari ndërpreu seancën parlamentare me 5 minuta pushim. /a.y/noa.al