Transmetuar më 05-10-2017, 15:23

Nga data 3 tetor 2017, çdo shqiptar ka mundësinë për të aplikuar për Lotarinë Amerikane. E ndërsa ata kanë kohë një muaj për të bërë aplikimin e tyre, Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë jep herë pas here këshilla.

Ajo i është përgjigjur sot një pyetjeje shumë domethënëse, nëse ekziston mundësia që një shqiptar të skualifikohet nga programi. Një gjë e tillë sipas Ambasadës Amerikane në Tiranë, ndodh vetëm kur një person aplikon më shumë se një herë brenda një viti.

Për të gjithë ju që ende nuk keni aplikuar për të shkuar në "tokën e premtuar" duhet të informoheni për elementët që ju s’kualifikojnë apo ato që ju rrisin shanset për të qenë pjesë e listës së fituesve.

Çdo gjë është si më parë në aplikim, përveç një opsioni të ri që është shtuar këtë vit: mundësia për verifikimin e të dhënave.

E rëndësishme është që secili ta plotësojë saktë aplikimin dhe nëse nuk ka njohuri në gjuhën angleze mund të asistohet nga dikush tjetër që mund të jetë një zyrë e specializuar.

Nëse faqja e aplikimit nuk ju hapet gjatë ditës së sotme mos u shqetësoni, mund të jetë për shkak të mbingarkesës por ju keni kohë të aplikoni deri në 7 nëntor.

Nëse aplikoni për herë të parë, kujdesuni që fotografinë ta realizoni në një "Foto-Studio". Fotoja duhet të jetë e re dhe jo e përdorur më parë për aplikim. /b.l/noa.al/