Transmetuar më 05-10-2017, 17:40

Përmes një procesi transparent dhe të monitoruar, si gjatë zhvillimit të testimit dhe të korrigjimit me skantron, u zhvillua konkurrimi për pranimin në Akademinë e Sigurisë. Në përfundim të këtij procesi u shpallën 100 studentët fitues, të cilët do të ndjekin ciklin e studimeve bachelor. 

Pyetjet e testit u hartuan nga një komision i posaçëm, nga pedagogë të Akademisë së Sigurisë. Testi përmbante pyetje alternative dhe korrigjimi i tij u bë sipas procedurave standarde të korrigjimit elektronik, me skantron menjëherë pas përfundimit të testit.

Në funksion të zhvillimit të një procesi të hapur, të drejtë, të paanshëm dhe transparent, duke marrë në konsideratë diferencën e ngushtë të konkurrentëve që u kualifikuan në fazën e parë, u vendos që edhe faza e dytë, ajo e testit psikologjik të zhvillohej me shkrim dhe e monitoruar për të shmangur subjektivizmin.

Rezultatet e testimit u shfaqën në mënyrë automatike, në sallën ku u zhvillua testimi dhe në praninë e gjithë aplikantëve. Interesi për të ndjekur Akademinë e Sigurisë ishte i lartë. Në fazën e parë u regjistruan 563 aplikantë, nga të cilët u kualifikuan 291 prej tyre.

Komisioni i Vlerësimit të Rezultatit shpalli listën fituese me 100 konkurrentë, që u renditën të parët në të dy fazat e konkurrimit. Në fund të studimeve 3-vjeçare, studentët e diplomuar gradohen ‘Nënkomisar’ në strukturat e Policisë së Shtetit.

Kjo është hera e parë që pranimet në Akademinë e Sigurisë, në të gjitha fazat u zhvillua me shkrim dhe korrigjimi u krye në mënyrë elektronike. /b.l/noa.al/