Transmetuar më 11-10-2017, 12:25

Ilir Meta ndodhet në Kosovë ditën e sotme në vizitë zyrtare, për herë të parë pas marrjes së detyrës si President.

Ai është takuar me homologun Hashim Thaçi, ku i është kërkuar prej tij që qytetarët e Kosovës të pajisen me nënshtetësi shqiptare në mënyrë që të kenë mundësi të lëvizin të lirshëm në Europë.

“Demarkacioni është kusht i domosdoshëm që të ndodhë liberalizimi i vizave, por nuk shoh perspektivë të Kuvendit. I lutem që duke respektuar me të drejtën për dy shtetësi tu lejojnë qytetarët e Kosovës të aplikojnë për nënshtetësi. Kjo është shpresa e vetme për të kryer lëvizjen lirshëm”, u shpreh Presidenti i Kosovës.

Në fjalën e tij Thaçi tha se Shqipëria është partnere me rëndësi.

Nga ana e tij Meta nënvizoi mbështetjen ndaj Kosovës sa i takon perspektivës europiane.

Sipas tij, zgjidhja nuk është të merret nënshtetësi për të gjithë, por tejkalimi i këtij problemi.

“Shpresoj që pas zgjedhjeve të ardhshme vendore me një dialog edhe më aktiv me BE e Malin e Zi të zhbllokojë këtë çështje pasi nuk bëhet fjalë vetëm për liberalizimin e vizave”, deklaroi Presidenti Meta.

Ai e ka cilësuar si të padrejtë kushti që BE i ka vënë Kosovë për të përmbushur në mënyrë që të fitoj vizat.

“Është e padrejtë që demarkacioni të bëhet kusht për Kosovën në mënyrë që të fitoj liberalizimin e vizave”, ka thënë Meta.

Thaçi dhe Meta kanë dalë me një deklaratë të përbashkët mbi marrëdhëniet vëllazërore dhe partneritetit strategjik, ku rikonfirmohet vullneti i ndërsjellë dhe rritja e thellimit të bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë dokument, dy Presidentët u pajtuan që të përshpejtojnë proceset e integrimit të të gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO.

Po ashtu u dakordësua për hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO.

Një pikë tjetër e deklaratës është liberalizimi sa më i shpejtë të vizave mes Bashkimit Europian dhe Kosovës, si dhe angazhimin e Kosovës që të bëjë çdo përpjekje të zgjidhë në mirëbesim dhe mirëkuptim çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Deklarata e përbashkët

Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës së Kosovës,

Të udhëhequr nga parimet dhe vlerat evropiane,

Duke i qëndruar qëllimit të përbashkët për konsolidimin e lirisë, paqes, stabilitetit, dhe begatisë në të dy shtetet dhe në rajonin ku bëjnë pjesë,

Të bindur në përfaqësimin më të mirë të interesit strategjik të qytetarëve të të dy shteteve për integrim në familjet evropiane dhe euro-atlantike,

Me besimin se “politika e zgjerimit” dhe e “dyerve të hapura” për rajonin mbeten katalizatorë të sigurisë, demokracisë, dhe zhvillimit,

Ranë dakord të:

Mbështesin ripërtëritjen e përpjekjeve të qeverive të të dy shteteve respektive në zhvillimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe kohezionit shoqëror me qëllim arritjen sa më shpejt të standardeve evropiane;

Rikonfirmojnë vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët ndërkombëtarë;

Shprehin mirënjohjen për vendet mike dhe partnerët strategjikë për mbështetjen e pakursyer e të jashtëzakonshme që kanë dhënë ndër vite, përkrahje kjo e cila mbetet e domosdoshme edhe për të ardhmen;

Përshëndesin riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit, misionin e të cilit e shohim në dritën e Delors për “Konkurrencën që nxit, bashkëpunimin që forcon dhe solidaritetin që bashkon”;

Rikonfirmojnë vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit në dobi të qytetarëve dhe të proceseve integruese;

Shprehim solidaritetin ndaj sfidave që përballin vendet mike dhe partnerët tanë strategjikë dhe zotohen për të dhënë kontributin e dy shteteve respektive në ballafaqimin me këto sfida;

Refuzojmë me vendosmëri çdo alternativë tjetër që bie ndesh me projektet strategjike të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe nxisin veprim të koordinuar, duke u përqendruar në:

1.Përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO; integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike, me ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon;

2.Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO;

3.Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, me angazhimin se Kosova do të bëjë çdo përpjekje, të zgjidhë, në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndësjelltë, çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Malin e Zi;

4.Vazhdimin e fazës përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke ftuar një angazhim të ripërtërirë të BE-së dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim njohjen përfundimtare të Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga ana e Serbisë, si një proces që do të ketë efekte pozitive për të gjithë rajonin.

Prishtinë, më 11 tetor 2017./a.y/noa.al