Transmetuar më 18-10-2017, 14:09

Emiri i Katarit Tamim Bin Hamad Al-Thani nisi të dielën e kaluar një tur aziatik, ku vizitoi Malajzinë (të hënën), Singaporin (të martën) dhe Indonezinë (sot të mërkurën). Gjatë këtij turi, Ai zhvilloi takime me liderët e këtyre vendeve, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, mënyrat për zhvillimin dhe konsolidimin e tyre, dhe një sërë çështjesh të interesit të përbashkët, si dhe u nënshkruan disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fusha të ndryshme.

Ky tur kishte për qëllim nxitjen ekonomike, zgjerimin e tregut dhe diversifikimin e ekonomisë së Katarit, pas implikimeve politike dhe diplomatike mes vendeve të Gjirit.

Në Malajzi, Emiri i Katarit u prit nga Mbreti Mohammed Sulltan i V dhe kryeministri Mohammed Najib Tun Abdul Razak. Takimet u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe u nënshkruan marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe.

Shumë kompani malajziane punojnë në Katar për zhvillimin e infrastrukturës. Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve arriti në 1.1 miliard USD në vitin 2015.

 Në Singapor, Emiri i Katarit u takua me Presidenten e vendit Halima Jakub, ku diskutuan marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Katari është partneri i tretë më i madh i Singaporit në Lindjen e Mesme. Kompani nga Singapori punojnë në Katar dhe kompanitë katariane kanë aksione të shumta në ekonominë e Singaporit.

Në përfundim të këtij turi aziatik, Emiri i Katarit Tamim Bin Hamad Al-Thani, vizitoi Indonezinë (sot të mërkurën), ku u takua në Xhakarta me Presidentin Joko Widodo. Në nder të tij u mbajt ceremoni pritje madhështore nga rojet e nderit, dhe nga fëmijë që mbanin flamuj katarianë.

Vlen të përmendet këtu se Doha arriti të realizojë nga ky tur pesë objektiva kryesore: 1- Forcimin e bashkëpunimit ekonomik me partnerët tregtarë; 2- Zgjerimin e rrugëve të eksportit; 3- Eksplorimin e mundësive të reja për investime; 4- Nxitjen e sektorit privat; 5 – Diversifikimin e tregjeve.

Ky është turneu i dytë që Sheik Tamim Al-Thani zhvillon jashtë vendit të tij që nga bllokada ndaj Katarit (më 5 Qershor) prej Arabisë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti. Në turin e parë (Shtatorin e kaluar) Ai vizitoi Turqinë, Gjermaninë, Francën dhe Nju Jorkun, si dhe mori pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.