Transmetuar më 25-10-2017, 23:20

Nga Astrit Patozi

MËNYRA E VETME PËR T’U "HAKMARRË NDAJ RAMËS

Një kryeministër që fyen gazetarët është një shfaqje e shëmtuar që ta shpif, por kjo jo domosdoshmërisht e nxjerr atë jashtë misionit të vet.

E patë besoj sot që më shumë u fol për sharjet e Edi Rames pas seancës, sesa për atë që ndodhi në sallën e parlamentit?

Kurse një gazetar që bojkoton kryeministrin, mund të prodhojë vërtetë spektakël publik, por kjo e nxjerr atë jashtë misionit të shtypit.

Sipas meje, ka vetëm një mënyrë për t’u "hakmarrë" ndaj qeverive arrogante dhe të korruptuara.

Të informosh çdo ditë, çdo orë dhe çdo minut për të vërtetat përvëluese, që i nxjerrin ato zbuluar. Ku padyshim përfshihen edhe "shpërthimet" spontane ose të paramenduara të çdo politikani kundër shtypit.

Gazetarët dhe zyrtarët e lartë nuk kanë një garë të etikës së komunikimit me njëri-tjetrin, por i bashkon, po aq sa i ndan, shumë më tepër se kaq.

Ndaj, pa dashur të futem fare në një punë që nuk më takon, do t’u sugjeroja gazetarëve që t’i tregojnë vendin kësaj race politikanësh, jo duke u lënë fushën e lirë, sepse ashtu mbase do të përmbushnin pa dashje dëshirën e abuzuesve të tyre.

Por duke iu ngjitur mbrapa në çdo çast për t’i treguar publikut se çfarë ata janë realisht. Pa u kompleksuar kurrë nga fyerjet e tyre, të cilat ka raste kur ngjajnë me atë bezen e kuqe, që shërben për të marrë vëmendjen e demave.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al