Transmetuar më 26-10-2017, 21:09

Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, Ilir Tolaj, është sulmuar sot fizikisht pas një zënke në trafik. Sipas informacioneve që vijnë nga mediat e Kosovës, i përfshirë në këtë përplasje fizike ka qenë edhe reperi Don Arbas, vëllai i këngëtares Arta Bajrami. Pas këtij konfrontimi, Tolaj është dërguar për të marrë trajtim mjekësor në spital.

Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shpend Fazliu, tha se Ilir Tolaj ka lëndime në kokë dhe është duke u trajtuar në emergjencë: “Ju konfirmojmë se dr. Ilir Tolaj ka kërkuar ndihmë në Klinikën Emergjente në QKUK. Ka lëndime në rajonin e kokës. Po vazhdojnë ekzaminimet e tjera diagnostikuese. Tolaj është jashtë rrezikut për jetën”,- tha Fazliu për mediat.

Policia, ndërkohë, ka njoftuar përmes një deklarate zyrtare, se për këtë rast ka shoqëruar në polici dy persona.

“Sot, rreth orës 14:00, në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, dy persona e kanë sulmuar fizikisht doktorin Ilir Tolaj. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes thanë se Tolaj është sulmuar me shufër hekuri nga reperi Don Arbas, i cili është vëllai i këngëtares së njohur, Arta Bajrami.

Tolaj ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKU, ndërsa lidhur me sulmin janë shoqëruar dy persona për në stacionin policor.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

Gjithashtu, ka shoqëruar në stacion policor dy persona të dyshuar, ndaj të cilëve në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po kryhen veprimet e fazës fillestare hetimore”,- thuhet në deklaratën e Policisë.

Megjithatë, konfuze duket situata nga familja Bajrami. Këngëtarja Arta Bajrami, e kontaktuar nga Privè, e ka mohuar lajmin që vëllai i saj të jetë bërë pjesë e një zënke të tillë. Madje, këngëtarja ka shtuar se ata kanë rast vdekjeje në shtëpi dhe i vëllai nuk ka kohë për të tilla gjëra. Për më tepër, do t’i kishte treguar asaj për ngjarjen.