Transmetuar më 09-11-2017, 08:52

Familja Ajazaj nga Shqipëria, e cilësuar si shembull i integrimit të suksesshëm në Gjermani, vetëm 1 javë më parë ishte bërë temë në mediet gjermane. Nga 11 tetori, Xhezo Ajazaj me gruan dhe tre fëmijët, që jetojnë prej tri vitesh në Berlin, kanë jetuar nën ethet e kthimit, shkruan albinfo.ch.

Pasiguria që i priste në rast kthimi në Shqipëri, ku, siç shkruan bild.de “nuk kishin asgjë”, i përcillte ata ditë e natë.

Por, çështja duket se ka marrë një kthesë pozitive për Ajazajt. Senatori (ministri) i brendshëm i landit Andreas Geisel ka shprehur gatishmërinë që të ndërhyjë. Ai ka vendosur që çështja të rishikohet dhe të rivendoset.

Fqinjët, të njohurit dhe mediet, duke bërë fjalë për Ajazajt shprehnin shqetësimin përse “pikërisht ata” duhej të dëboheshin.

Dhe shqetësimi ishte i bazuar pasi, siç ka thënë edhe shefi gjerman i kompanisë ku punon Xhezo, “shqiptari i tij” punonte sa për tre veta.

Senatori Geisel, më 11 tetor kishte vendosur për dëbimin e familjes ndërsa tani, ai ka ndryshuar qëndrimin dhe, së paku për momentin, Ajazajt mbeten në Gjermani.