Transmetuar më 09-11-2017, 20:09

Kryeministri Edi Rama u përplas sonte në mbrëmje me televizionin kombëtar Top Channel duke e akuzuar për gënjeshtra në informim.

Rama iu referua lajmit me titull “Hahni dhe Kazani” të këtij TV, ku thuhet se kryeministri e cilësoi median si të pabesueshme.

Për këtë, z.Rama komenton kështu: “Po, e vërtetë, kështu mendoj! Por si për ta vërtetuar me dëshminë e vet se sa të pabesueshme janë mediat, Top Channel, siç e shihni, e informon publikun se konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me Komisionerin nuk u transmetuan në ERTV! Ju të gjithë tani mund ta shikoni vetë provën e kësaj gënjeshtre me bisht, nëse zbrisni në postimin e dytë e të tretë të ditës dhe klikoni videon e dhënë live nga ERTV”, – thotë z.Rama në reagimin e tij në Facebook.

Kurse shton: “Tani pyetja që vjen vetiu është: Nëse një televizion kombëtar që ka bërë histori falë gjenialitetit të të ndjerit Dritan Hoxha, është katandisur sot të gënjejë kaq hapur, edhe për një fakt kaq të thjeshtë, si mund të quhet e besueshme media në Shqipëri?”

Por, po t’i referohesh lajmit që Rama citon, e vërteta qëndron ndryshe. TCH shkruan se konferenca nuk u transmetua vetëm në ERTV por pati dhe kamera të medieve:

“Konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me komisionerin Hahn nuk u transmetua siç transmetohen rëndom aktivitetet e tij ekskluzivisht vetëm përmes kanalit të tij personal televiziv ERTV, por pati edhe kamera të tjera”.

Megjithatë, linku që z.Rama postoi nuk shfaqet në faqen zyrtare të TCH.

Sakaq, në një link tjetër është publikuar lajmi i mëposhtëm:

Hahni dhe “kazani”, çfarë nuk u tha sot në konferencë

Liria e medias është një kriter i rëndësishëm për vlerësimin demokratik të një vendi. Dhe vlerësimi demokratik i një vendi që kërkon të hyjë në Bashkimin Europian është pjesë e kritereve të Kopengahenit, një mur i pakalueshëm për çdo kandidat për familjen europiane.

Shpesh Brukseli ka qënë kritik ndaj sektorit mediatik në Shqipëri, duke nënvizuar pavarësinë e tij, lirinë për shkak të presionit të interesave ekonomike të pronarëve.

Sot komisioneri Hahn, në një konferencë të rëndësishme për të cilën jo rastësisht ishte zgjedhur Tirana, këmbënguli tek besueshmëria e mediave dhe tek kujdesi nga fenomene të reja si “fake neës”.

Të njëjtën gjë në fakt përmendi edhe kryeministri Rama, i cili ama shkoi shumë më larg kur etikoi mediat dhe gazetarët, ashtu si ka bërë edhe javët e fundit.

Por në sy të komisionerit Hahn, ai nuk përmendi më fjalët “kazan mediatik”, as ripërsëriti epitete si “idiotë, të paaftë, injorantë”, shprehje më të cilat gazetarët ndeshen rëndom gjatë punës me të.

Gjithashtu, konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me komisionerin Hahn nuk u transmetua siç transmetohen rëndom aktivitetet e tij ekskluzivisht vetëm përmes kanalit të tij personal televiziv ERTV, por pati edhe kamera të tjera.

Kryeministri kërkoi sot që t’i rikthehet medias liria e saj, por këtë duhet të fillojë ta bëjë nga vetja. Të pranojë se kur i bëhen pyetje, ai s’mund t’i përgjigjet me fyerje, të pranojë se nuk ka pyetje, por vetëm përgjigje të këqija.

Kryeministri e di mirë se fyerja nuk mund të jetë më vepër penale, pavarësisht se ai kërkon kthimin e saj si të tillë. Sepse këtë e pengon pikërisht Komisioni Europian.

Kryeministri duhet të pranojë se ai, dhe jo mediat, paguhet me taksat e shqiptarëve dhe se misioni i tyre është pikërisht të ruajnë sesi këto taksat përdoren apo shpërdoren.

Kryeminsitri e di, ashtu si edhe ata përpara tij, se lajmësi nuk goditet dhe këtë e thotë jo vetëm BE, por edhe Kanuni qindra vite më parë.

Dhe nëse qeveria i bën mirë detyrat e shtëpisë edhe për lirinë e shprehjes, atëherë po, le të shohim se ku janë edhe problemet tona. Por, siç thoshte Ronald Reagan, problemi gjithmonë është qeveria”, – përfundon raporti i Top Channel.