Transmetuar më 10-11-2017, 11:46

Lidhur me akuzat që kreu i PD-së Basha i ka bërë kryeministrit Rama ku e cilësoi fjalimin e këtij të fundit me gazetarët si kriminal dhe nxitje dhune dhe urrejtje, ka ardhur dhe reagimi i kreut të qeverisë.

Përmes një postimi në Facebook Rama i drejtohet me një pyetje Bashës ku shprehet “LB ishe ti apo isha unë në Çadër, kur ulërije “të gjitha mediat janë të kapura nga droga përveç një kanali tv”, të cilin i’a rekomandoje publikut si burim të kulluar?! Unë kurrë s’e kam imagjinuar, jo më ta them një veshëgjatllëk të tillë. Është thjesht shpifje”.

Më tej Rama i kërkon Bashës që ti kërkojë falje njëherë të gjitha mediave (përveç njërës) që sipas tij i kriminalizoi me baltën e Çadrës për muaj të tërë, ditë për ditë, pastaj të flasë sa të dojë për rrezikun që u vjen nga fjalët e tij.

“Mos e harro, unë kam jetuar me ta, kam punuar me ta, kam ngrënë kopaçe kokës e më ka dalë edhe gjak për lirinë e fjalës bashkë me ta. Apo s’e mban mend?! Kështu që nga unë e nga fjalët e mia dje, sot e mot, atyre mund t’u dalë më shumë vrer nga goja kundër meje e qeverisë sime, po kurrë nuk u ka hyrë, nuk u hyn e nuk t’u hyjë një gjemb në këmbë. Kurrë. Por natyrisht, gojë s’kanë vetëm ata dhe gojën time e kam pasur, e kam dhe do ta kem sa të kem frymë, për të vërtetat e mia që nuk i negocioj e as i kyç në heshtjen hipokrite të medemek respektit për median”, shkruan Rama.

Kryeministri ka theksuar më tej se të gjithë jemi të lirë të flasim, njerëzit pastaj janë të lirë t’i gjykojnë të gjithë, edhe atë njësoj si gjithë të tjerët.

“Të respektosh median, do të thotë të respektosh lirinë e tyre edhe kur gënjejnë e shpifin, po jo të heshtësh edhe kur gënjeshtrat e shpifjet e tyre bëhen mal para syve të tu. Ashtu sikundër ja edhe tani, në këtë moment, ti je i lirë të gënjesh e të shpifësh ndaj meje, siç po bën prej një muaji e ca – më vjen vërtet gjynah për ty po është e drejta jote të ribëhesh qesharak. Ama njerëzit duhet të dëgjojnë edhe anën time e pastaj gjykojnë vetë ata, mos e ki merak. Sepse, mos e harro, ta kam thënë shpesh, në publik po edhe sy më sy, kush i merr shqiptarët për budallenj e pëson dhe sa më shumë t’i bëjë për budallenj aq më keq e pëson! Çudi e madhe me ty o mik që nuk mëson”, përfundon Rama.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike theksoi se me të tilla fjalime, Rama është duke nxitur dhunën dhe urrejtjen ndaj gazetarëve.

“Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur për ditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin”, u shpreh kreu i demokratëve. Klima që krijon Rama inkurajon sipas tij pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin”, tha Basha. /b.l/noa.al/