Transmetuar më 10-11-2017, 22:53

Zbardhen detaje të reja nga atentati që iu bë një shqiptari, dy ditë më parë, në Ekuador.

Sipas shefit të zyrës së Antikrimit, German Cevallos atentati i ndodhur orët e vona të së martës, ndaj kosovarit Remzi Azemi, në qytetin Guayaquil, dyshohet se ka lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës nga ky vend i Amerikës Latine drejt Europës.

Mediat vendase kanë shkruar sot se shënjestra lëvizte me një automjet të blinduar, kur iu afruan dy persona që lëviznin me motoçikletë.

Më pas, ta qëlluan katër herë në drejtim të tij, me qëllim për ta ekzekutuar. Në makinë thuhet se, përveç bashkëshortes, ndodhej edhe vajza 3-vjeçe e çiftit.

Sipas policisë, Azemi kishte ndaluar automjetin, teksa bashkëshortja e tij po tymoste një cigare.

Hapja e xhamit ka rezultuar fatale, pasi hapësira e krijuar u ka dhënë mundësi autorëve që të qëllonin.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e autorëve të ngjarjes. /k.k/noa.al/