Transmetuar më 22-11-2017, 12:03

Tribunali për krime të luftës i Kombeve të Bashkuara, sot do të shpallë vendimin për ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

I njohur si "Kasapi i Bosnjës", Mlladiç është akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës. Mlladiç do të ndjekë vendimin nga një sallë tjetër në gjykatë.

Ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës i bërtiti gjyqtarit i cili po lexonte vendimin. Dëbimi i tij ndodhi pasi gjykatësi refuzoi një kërkesë nga avokati i tij për të shtyrë seancën për arsye shëndetësore.

Mlladiç mbahet përgjegjës për ekzekutimin e 8 mijë burrave myslimanë në korrik të vitit 1995, që njihet si mizoria më e madhe e kryer në Evropë pas Holokaustit.

Vendimi për Mlladiçin do të jetë gjykimi i fundit nga tribunali që ishte themeluar në Hagë në vitin 1993 për dënimin e krimeve të kryera në luftërat Ballkanike në vitet e 90-ta.

Ndër të tjera Mlladiç, akuzohet për vrasje, torturë, dhunime, shfarosje dhe bombardime. Nga ana e tij, Mlladiç i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij. /b.l/noa.al/