Transmetuar më 26-11-2017, 22:11

Pavarësisht aludimeve të shumta në media, dhe mbi të gjitha shpenzimeve që viti 2017 ka sjellë për OSHEE në faturën e energjisë së importuar, çmimi i energjisë elektrike për shqiptarët nuk do të ndryshojë.

Lajmi bëhet i ditur nga TV Klan, që referuar burimeve në OSHEE thekson se vendimi i kompanisë është për mos ndryshim të çmimit të energjisë për konsumatorin shqiptar, të paktën edhe në vitin 2018.

Konkretisht, OSHEE në raportin e saj nuk do të kërkojë ndryshim të çmimit të energjisë elektrike,  por në ERE do të çohen vetëm pasqyrat financiare dhe planet e investimit për vitin e ardhshëm.

Në fakt thatësira e këtij viti, bëri që OSHEE t’i drejtohet blerjes së energjisë elektrike për të përballuar konsumin, duke e çuar në 200 milionë euro, shpenzimet e kryera për blerje energjie.

Ndërsa, vetëm nga humbjet në rrjet KESH llogarit, rreth 88 milion dollarë humbje, shpenzime këto që korporata do t’i llogaritë në strukturën e çmimit që do t’i shesë energji vitin e ardhshëm OSHEE-së, i cili do të jetë më i lartë se regjimi aktual 1.4 lekë/kilovat orë.

Edhe viti i ardhshëm parashikohet që të jetë i thatë dhe të ketë të njëjtin prodhim të energjisë elektrike në kaskadën e Drinit.

Sipas parashikimeve, niveli i ujit në liqenin e Fierzës në fillim të janarit pritet të arrijë 270 metra, ndërsa rezerva energjitike me të cilën do të nisë punën në 2018-ën është dy herë më e vogël se ajo e këtij viti. (e.c/noa.al)